Mbrojtësi i Liverpool-it, Nathaniel Clyne, thotë se skuadra e tij dëshiron hakmarrjen ndaj Manchester Unitedit kur të dy skuadrat takohen në 1/8-ën e finales në Evropa Ligë.
“Djajtë e Kuq” kanë fituar në katër ndeshjet e fundit ndaj “Të Kuqve” duke përfshirë edhe dy fitoret e sivjetme në ligë. Ata do të luajnë lojën e parë në Anfield të enjten, dhe Clyne thotë se mezi pret këtë ndeshje që të revanshohet ndaj rivalëve.
“Të gjithë duan të luajnë në garat evropiane andaj do të jetë shumë interesante kundër rivalit United. Mendoj se është dashur të fitonim në ligë ndaj tyre. Por kemi kohë për të vendosur gjërat në rrugën e duhur dhe të kalojmë tutje.
Duhet të luftojmë deri në fund. E dimë që mund të krijojmë raste dhe se nëse jemi të mirë në mbrojtje mund t’i ndalim sulmet e tyre. Shpresoj të realizojmë gola dhe të arrijmë rezultat pozitiv për ndeshjen e dytë”, ka thënë ai për uebfaqen zyrtare të klubit. Liverpooli nuk e ka mposhtur Unitedin që nga shtatori 2013.