Nga Agron Gjekmarkaj
Kronikë e përmbysjeve të mëdha. Në horizont duket lufta.
(Pjesa e parë, Babo bëmat dhe buja).
Raketat e shqetësimeve ka dy ditë që bien mbi kroniken! Pse nuk del, çka ngjarë, kush në mërzi ju ka yshtur?
Vështirë t’ju shpjegosh që e ënjtja të cilën e lamë pas nuk qe si të gjitha ditët dhe për të, aty për aty nuk shkruhej. Mejtim kërkohej. Vetë Babo erdhi në Kuvend dhe asgjë nuk është më si më parë.
Kur i prezantuan programin e pritjes pas provave të shumta kishte varur turinjtë. Jua kishte grisur për rënie në folklorizëm. Teksa grimcat në tokë binin, Shalsi me Tonin kishin rëndur drejt ferrave në qoshe të Akademisë për të fshehur kostumet popullore. Aty hoqën dhe cingaret pas veshit që nën këshillën e Xhemalit kishin vënë për zbukurim.
Për t’u kthyer allafrënga nuk u desh shumë. Akulli e ngrica i zuri të gjithë nën vete.
Kosta i Gramozit dhe Linditës ishte nxirë më shumë se Harapi i Venedikut. I lutej Zotit merrma shikimin, dëgjimin mbyllma, pse ta jetoja këtë ditë ?!
Gramozit vetë në filxhan maraz e shamatë i kishte dalë e nuk qe nisur. Nuk kam moshë për qortime i foli vetes. Pas shumë lutjesh po tashmë me humor të prishur duke patur besim të patundur tek hallë Ikonomi në çështje gustosh kulinare pranuar kishte të cimbiste ndonjë gjë sa për të ulur aciditetin në stomak. Po nuk paskësh qenë dita, sallata në sanduiç hidhur i kishte rënë. Babo një piskamë bezdie lëshoi. Kush dreqin e ka pastruar vikati aq sa Eni Xakes tabakaja me llokume ju derdh për tokë dhe Bora u fsheh pas gardistëve e tulatur.
Me drojë foli Klotilda Bushka që fati i keq aty e zuri….. po ja ….Babo ….Iliri e mori përsipër….por…..eh…uf….me sa duket…..! Ai ju hakërrye ‘leri gëk mëket…ma hiqni nga akçihanja dhe çojeni për 6 muaj të pastrojë yzyrhanen’. ‘Si urdhëron’ u përgjigj Klodi pak e skuqur dhe nën tension…..! Lini Çyrben në korridor ta kopanisë po nuk u bind. Sa u nis të çonte lajmin, Babo kroi pak kokën dhe e thirri…kthehu…kthehu….zjarri e baroti, flaka e kashta nuk rrinë bashkë, tek ajo e grave të shërbejë mos të duket nga sektori i burrave.
Ai sa mori detyrën u bind, nën moton e re; ‘pastro e mallko’.
Babo hyri në sallë i zymtë, ngarkuar me tërsellima i bëri një selam të pakuptueshëm si xhebraili Xhafës, i cili u hutua në e kishte me të apo jo? Braçja nga pas insistonte “qafsha të gjithë ma bëri me shenjë mua”. Por u pa qartë se ajo qe për Fatmirin, i cili nuk dinte në duhej të gëzohej apo hidhërohej. Klosi i kishte kallëzuar për mungesë pasioni dhe rënie në disfatizëm gjatë lyerjes së kangjellave. Mimi di Puccini dhe Majkua nuk kishin atë sigurinë e përhershme. Ngjanin me dy lajmëtarë që njoftonin boten për sosjen e qytetërimit. Gjiknuri mërmëriste paçi fatin tim paçi. Babo nuk e la me kaq, një tjetër lëvizje dore bëri andej nga rri Çuçi e Toni po nga gatishmëria pese koka u ndeshen me njëra tjetrën ajo e Nasipit, Xhemalit, Kollçakut, Tonit e Bledit dhe një dang dang u përcoll ngado, po ai e la me aq , nuk e shpjegoi kërkesën.
Ata pyesnin Elisën secili “me mua e pat” ajo e mermertë dhe e pashpirt nuk i linte të jetonin gjatë dilemën dhe u përgjigjej me një jo të thatë si krisëm moti. Babo pasi i rrëfeu një gjë Ulsiut, Ogertës dhe Elisës duke ju falur aq e aq lumturi mori fjalën e foli alla Fidel nja dy orë të rrasta dhe iku. Dëgjoi vetëm Salianë, i cili ndonëse i vetmuar i tha atij; ‘kaq ta bësh dhëmbin nuk të lë të flasësh po nuk ndenje të dëgjosh Opozitën’, Babo pranoi, por mbajti vetëm çerekun e llafit. Çudia u përhap ngado kur më vonë i uruari Salianj u pa dy herë me Arben Pëllumbin dhe nuk kuptohej në ky i fundit e përgëzoi apo qortoi për çka bëri. Tezes nuk i kishin bërë këmbët. Dukej gjithçka si natë e errët nëse si qiri shikimi i Margeritit nuk ndizej në sallë. Luljeta Bozdo fliste me Etilden, ja kështu si ty kam qenë edhe unë e re, me nur e heshtur e plot përkorja.
Pjesa e dytë (Jorida me të zeza, Opozita në sulm, Kryezëvendës Lideri i menduar)
Dënimi i tetë luftëtarëve të lirisë me në krye Gaz Bardhin të cilin Lideri i vogël historik kërkon ta heqë edhe nga rreshti sëbashku me mua meqenëse i dukemi trazovaçë e gjakprishës kishte mërzitur qamet Joridën, e cila nuk dinte si ta shprehte dhimbjen veçse të vishej me të zeza sterrë. Ajo dukej si një Penelopë që në avlemendin e politikës po thurte copën që nuk lë metonjesit të marrin xhevapin e fundit duke pritur Odisenë-Gazmend që të kthehej për të shpëtuar Itakën në zvetnim e rënie. Për ne të Opozitës dita filloi me një minutë heshtje për të përjashtuarit. Për lavdinë e tyre Ina Zhupa foli. Dash Sula vajtoi si rapsod homerik. Hije i pat çjerrja e faqeve. Saimir Koreshi, i cili u nis të behej balerin e kthye në sakat po të lipset rrahu gjoksin e bëj copash dhe krahun tjetër.
Kryezëvendës Lideri Muli na mblodhi dhe na mbajti me gajret. Nuk kishte asnjë shenjë hatërmbetjeje ndaj kronikës. Foli gjatë për çështje kardianale si kurajo, guximi, epërsia morale dhe intelektuale, armë me të cilat do të përballeshim në beteja. Isuf Çela në një defter diçka shënonte. Ky fjalim më motivoi pa masë për pleudarinë që do mbaja në mbështetje të rezolutës për Kosovën. Po zevendësja halleshumë e Kryezëvendës Liderit Albana si ndihet pas asaj atyre plagëve pyeta? Edi Paloka mu përgjigj, “edhe pse në krevat xhevap u kthen letrave të solidaritetit e përgëzimeve që ka marrë për librin e zi të zgjedhjeve tha. Oerdi ngrohej nga zjarri që kishte në mendje. Për të mbledhur midenë e numëruar mendimet u ulem në kafe me Dhurata Çupin e Joridën, morëm një red bull dhe e ndamë në tre, patëm sherr se si do ta paguanim. Jorida si ekonomiste tha ta pjesëtojmë për tre. Mua me thirren dhe ika, po nga fytyra e ngrysur më vonë dukej se Tabaku i kishte lënë leket.
Kur mbjell stuhi do korrësh tufan. Pasdite mazhoranca na nxori gjuhën, na mohoi komisionet hetimore dhe reformën zgjedhore. Opozita u ngrit në llogore. Bledon Nallbati ngjante me Akilin që kërkonte shpagim, turfullonte. Xhelal Mziu vët vët mbrehtë jataganin. Ramadan Lika solemnisht premtoi se do sillte disa arka verë nga e vetja për të na karrikuar para sulmit.
Shpejt do na njihni e shihni. Tymi dhe flaka kanë për pushtuar horizontin. Paqes e bereqetit po i vjen fundi.
(Pjesa e tretë – Fitorja ndaj Çekisë dhe dertet e Alket Hysenit)
Pasi një mik në minutën e fundit me gjeti një biletë për herë të parë shkova në stadium. Aty kisha pranë gjithë yndyrën e vendit. Kur bëhej gol prisja të riperseritej si në televizor dhe u hutova se nuk ndodhi. Fati me zemergjersinë e vet pranë Alket Hysenit me vuri. U ndjeva pak ligsht se herë pas herë e kam qesëndisur po ai zuri be për kokë të Taulant Ballës, tha s’të kam mbajtur inat dhe fap porositi nja dy birra kallkan për të lyer fytin e tharë.
Ashtu u bë. Qerratai si gjithë rilindasit e vërtetë mjekrën e kishte kuruar dhe të gjatë aq sa duhej e mbante dy gisht më të shkurtër se Babo. ‘Një mërzi’ tha më ka pushtuar, më hapi zemren, sikur Babo më ka harruar. ‘Për t’u harruar jam unë që aq e aq beteja kam bërë, dhe po më kërkoi jetën i them na merre si të një shelegu?!’. ‘Hak ke’ i thashë, jo nuk je, sonte ke mundësi të ndryshosh të ardhmen tënde! Kur të bëjë gol kombëtarja ti mos thërrit emrin e lojtarëve po kthehu me fytyrë nga ai e bërtit; Babo Babo goool, Babo bëri gol. E kështu në vend të Seferit e Asanit ai gjëmonte Babo Baboo. I kthente shpinën fushës ushtonte me brohoriten përsëri e përsëri; Babo Babo Babooo. Më duket tha se Zaho më pa e dëgjoi. Nuk është keq si fillim i dhashë zemër, kështu vazhdo. Shqipëria fitoi dhe u gëzuam të gjithë.