Tërhiqet kompania private ‘Porta Saber Albania’ e cila do të merrte me koncesion “targat me çip”. Lajmi konfirmohet nga burimet e News 24, të cilët sqarojnë se nuk dihet arsyeja e tërheqjes së kësaj kompanie.
Kompania private ‘Porta Saber Albania’ i ka kërkuar Ministrisë së Transporteve të drejtën e një koncesioni 35-vjeçar për pajisjen me çip elektronik të çdo makine që qarkullon në rrugët e Shqipërisë. Në shtator 2015, kjo kompani dorëzoi në ministrinë e Transporteve edhe studimin e fizibilitetit të koncesionit dhe ishte në pritje të një vendimi për miratimin e tij.
Studimi i fizibilitetit, parashikon që çdo pronar automjeti do të duhet t’i paguajë koncesionarit 48 euro (me TVSH) për instalimin e çipit elektronik. Mbas tre viteve të para ky çmim indeksohet sipas normës së inflacionit. Kompania Porta Saber Albania premtoi të investonte 6.259.853 euro në pesë vitet e para të koncesionit ku parashikonte të merrte mbrapsht 95.9 milionë euro të ardhura në 35 vitet e operimit të tij.
Porta Saber Albania është një kompani e re, e themeluar më 20 prill 2015 në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve, QKR. Kompania administrohet nga Fitnete Sulaj-sipërmarrëse e hershme në fushën e Sigurimeve dhe presidente e një shoqate të quajtur “Këshilli Kombëtar i Sigurisë Rrugore”.