Kanë dalë sot para Gjykatës së Selanikut grupi i përbërë nga 5 shqiptarë, të cilët u kapën një javë më parë me një ngarkesë prej 585 kilogramësh kokainë.
Pjesëtarët e bandës (4 burra dhe një grua), të cilët akuzohen për trafikim dhe shitje të lëndëve narkotike, thanë sot para trupës gjykuese greke se ishin thjesht “transportues” të ngarkesës dhe se sasinë e lëndës narkotike do t’ia dorëzonin dikujt tjetër dhe se thjesht po zbaronin urdhra, duke nënkuptuar se nuk kanë informacione të tjera në lidhje me destinacionin final të ngarkesës.
Për rrjedhojë drejtësia greke vendosi sot masën e paraburgimit për 5 shqiptarët. Pritet të ketë një seancë gjyqësore të dytë ku grupit do t’i komunikohet masa finale nga drejtësia greke. Ndërkaq mediat greke raportojnë se njëri prej pesë shqiptarëve, konkretisht një 50-vjeçar dyshohet të jetë “koka” e grupit kriminal.
Në dëshminë e tij 50-vjeçari ka mohuar akuzat, për drejtim të grupit kriminal, duke theksua se zbatonte urdhra. Ai ka thënë para gjykatës se punon si zjarrfikës në Shqipëri. Mbetet për t’u parë nëse dëshmia e tij është e vërtetë ose jo.
Kujtojmë se informacioni për ngarkesën e paligjshme, më e madhja e kapur në Selanik dhe një nga më të mëdhatë në mbarë vendin, mbërriti te autoritetet greke përmes zyrës së Administratës Amerikane të Zbatimit të Drogës (DEA) në Athinë. Zyrtarisht nuk dihet se si dhe kur ka mbërritur droga, por dyshohet se ka ardhur nga Amerika Latine dhe se është transportuar me rrugë detare në portin e Selanikut.
/a.r