Nga Spanja, ku udhëheqësit evropianë u mblodhën për Komunitetin Politik Evropian, kryeministri i vendit Edi Rama ka folur dhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
I pyetur, para nisjes së samitit, nga gazetarët se nëse në këtë takim do të ketë dhe një sugjerim të vendeve që mund të jenë pjesë e një anëtarësimi të klasit të dytë, Rama mohoi të kishte diçka të tillë.
Ai u shpreh se, “nuk ka një anëtarësim të klasit të dytë, por ka një Europë të klasit të parë dhe një Europë të klasit të dytë”.
Duke i referuar edhe krizave të fundit në kontinent, Rama u shprehe optimist se pavarësisht problemeve të shumta që e kanë prekur unionin, BE është në gjendje të zgjerohet.
Edi Rama: Nuk ka një anëtarësim të klasit të dytë, por siç jemi në këtë situatë, po ka një Europë të klasit të parë dhe një Europë të klasit të dytë midis europianëve që kanë B-në bashkëlidhur dhe europianëve që kanë vetëm E-në, por nuk kanë B-në.
Në të njëjtën kohë, duhet të jemi realistë dhe nuk duhet të shohim gishtin, ndërkohë që tregojmë ku është hëna dhe besojmë që kjo Europë e 27-s e cila ka shumë probleme për të pasur një vendimarje kompakte, për të pasur një të menduar e planifikim strategjik, është në gjendje të zgjerohet me 33, apo 35 apo 37 së shpejti.
Në vend të gjithçka apo asgjë për ne që nuk jemi anëtarë të BE-së duhet gjetur një qasje e re. Duhen gjetur alternativa të reja që duhen marrë në konsideratë dhe sigurisht kjo ndarje brenda duhet të bëhet më shumë ndëraktive. Për shembull, fryma e komunitetit politik europian duhet dhe mund të transpozohet brenda perimetrit të Bashkimit Europian pa dhënë domosdoshmërish anëtarësimin e plotë sepse kjo nuk do të ndodhë./m.j