Kryetari I Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me rastin e 8 marsit ka shtruar në Kombinat një drekë për gratë në pamundësi ekonomike, për të festuar ditën ndërkombëtare të gruas. Në qendrën sociale të shërbimit ditor në Kombinat, Veliaj dhe stafi i tij u ka shërbyer vet të gjitha grave.
“Dua t’ju uroj festën e 8 Marsit në këtë qendër sociale ku ne shërbejmë një vakt falas, e sigurohemi që, pavarësisht rrethanave ekonomike apo gjendjes sociale, asnjë zonjë, asnjë grua, asnjë gjyshe e Tiranës, nuk duhet të ngryset pa një vakt. Ndaj, më vjen mirë që kjo qendër sociale është bërë model dhe kjo mensë sociale na shërben edhe për të transformuar gjendjen sociale në pjesë të tjera të Tiranës, dhe për t’u siguruar që në çdo cep të kryeqytetit të krijojmë të njëjtat mundësi”, tha kryebashkiaku Veliaj. Veliaj duke ngrënë drekë bashkë me gratë, vlerësoi rolin e tyre, që sipas tij përmbëjnë gjysmën e punës.
“Nëse në punët tona, qofshin këto në bashki, qofshin në qeveri, në njësi apo në këtë qendër sociale, nuk përfshijmë gratë, gjithçka do të jetë si një makinë që ecën me gjysmë shpejtësie ose si një ekip që luan me gjysmën e skuadrës. Ndaj, dua të falënderoj të gjithë ata që nuk e morën ditën pushim me familjet e tyre, por erdhën e shërbyen këtu”, u shpreh ai.
Veliaj tha se janë 1007 gra që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe asistencë nga bashkia. Shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të ofrojë edhe një paketë ushimore për vajzat dhe gratë në nevojë.