Në një intervistë për median boshnjake “Hyat Tv”, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë për dorëzimin e terroristëve që kanë ikur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Kurti ka përsëritur deklaratën se shteti serb qëndron prapa këtij sulmi, gjë që e dëshmoi edhe fakti se Serbia shpalli ditë zie për vdekjen e tre terroristëve.
“Tani po llogarisim në presionin e bashkësisë ndërkombëtare që këta kriminelë dhe terroristë t’iu dorëzohen autoriteteve tona të sigurisë dhe drejtësisë… Serbia përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet t’i dorëzojë Kosovës këta anëtarë të tjerë që nuk u vranë dhe nuk u arrestuan për të vuajtur dënimin pas dorëzimit dhe pas procesit gjyqësor, sepse ata janë padyshim terroristë, janë njerëz që kanë sulmuar me armë të rënda dhe në këtë mënyrë tentuan destabilizimin e Kosovës. Ata dështuan në këtë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të përballen me drejtësinë”, tha Kurti.
Kurti tha gjithashtu se e diela e 24 shtatorit dëshmoi se organizatat terroriste dhe bandat e tilla kriminale nuk kanë asnjë shans me Policinë e Kosovës. Ai tha se “në Serbi ekzistojnë dy organizata, ndoshta kanë anëtarë në pjesën veriore të Kosovës, të quajtura Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile, dhe ne i kemi shpallur organizata terroriste në seancën e Qeverisë sonë më 29 qershor të këtij viti”.
“Kjo do të thotë se pas tyre qëndron Serbia dhe mbi ta, Beogradi zyrtar ka dhënë urdhrin për të sulmuar Kosovën, por mendoj se tani e kanë kuptuar se organizatat dhe bandat e tilla terroriste nuk kanë asnjë shans me policinë tonë. Në Serbi ekzistojnë dy organizata, ndoshta kanë anëtarë në pjesën veriore të Kosovës, të quajtura Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile, dhe ne i kemi shpallur organizata terroriste në seancën e Qeverisë sonë më 29 qershor të këtij viti. Besojmë se këto dy organizata, të cilat mbështeten nga Beogradi zyrtar, janë drejtpërdrejt përgjegjëse”, tha Kurti./m.j