Vajza nga Kosova Fiona Krasniqi e cila që katër vjeç ka arritur në Britaninë e Madhe, tani po synon nivelin e Deputetit në Parlamentin Britanik. Që nga mosha 16 vjeçare ka nisur karrierën e saj në botën e punës. Në Mbretërinë e Bashkuar kosovarja Fiona Krasniqi po shkëlqen në fushën e politikës dhe të legjislacionit.
Në këtë shtet ku prindërit e saj emigruan nga Kosova dhe asaj iu dha mundësia të studioj e punojë, Krasniqi ka arritur të bëhet pjesë e Odës Britanike të Tregtisë që në korrik të 2014-tës. Vajza nga Kosova, në Mbretërinë e Bashkuar do të fillojë karrierën e saj që nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar dhe Shërbimi Arsimor, pastaj Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Zyrës Qeveritare të Barazisë, në Dhomën e Lordëve dhe Odën e Tregtisë Shqiptaro-Britanike ku roli i saj kryesor ka qenë ngritja e profilit të organizatës dhe identifikimi i anëtareve të Parlamentit që kanë mbajtur një interesim të qëndrueshëm mbi industritë dhe politikat zhvillimore në Shqipër.
E rritur në një familje ku është folur gjuha shqipe, janë rrënjosur traditat dhe është vizituar Kosova dy herë në vit, ajo nuk ka humbur asnjëherë lidhjen me Kosovën. Rrjedhshëm me një shqipe të pastër, Fiona Krasniqi, në një rrëfim për “Zërin” tregon se është angazhuar si asistente për Marrëdhënie me Publikun në Odën Britanike të Tregtisë në korrik të 2014-tës ku momentalisht është Zyrtare e Lartë për Marrëdhënie me Publikun.
Roli i saj njëkohësisht përfshin politikat si dhe përfaqësimin. Ajo është përgjegjëse për përfaqësimin dhe ndihmesën në koordinimin e strategjisë kombëtarë të fushatave të Odës Britanike të Tregtisë me qëllim ndikimin e politikave qeveritare. “Njëkohësisht, këshilloj mbi politikat që mbulojnë infrastrukturën fizike dhe digjitale si dhe mbështetjen e femrave në ndërmarrësi”, thotë Krasniqi për gazetën.