Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, pas informacioneve të marra në rrugë operative, për një rast të tentativës për të kontrabanduar në vendin tonë, një sasi medikamentesh, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me autoritetet doganore në Morinë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Medikamenti”.
Gjatë operacionit, në hyrje të PKK Morinë, si rezultat i kontrollit të ushtruar nga shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me autoritetet doganore në Morinë, në autobusin në pronësi të shtetasit M. H. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 15 kuti me medikamente të ndryshme (mallra për të cilat paguhet akcizë), me vlerë 15 000 euro.
Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi M. H., 54 vjeç, banues në Kosovë, pronar i autobusit të linjës Prishtinë -Tiranë, në të cilën u gjetën medikamentet që do të kontrabandoheshin në Shqipëri.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.
/a.r