SPAK është një element i mirëseardhur në jetën politike dhe një arsye më shumë për të bërë mirë. Kështu theksoi kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit Sokol Balla në emisionin ‘Real Story’ nëse Struktura e Posaçme është një ‘element stresues’ në qeverisjen e tij.
Pjesë nga intervista:
Keni të drejtë, kur thoni drejtësia po bën punën e vet, po e bën punën e saj. Shtatorin e kthyet në një moment stresi, ose ju e stresuat sërish partinë tuaj, edhe pse ajo vijon të fitojë zgjedhjet, ndërkohë ju e stresoni partinë, ndryshoni strukturën, ndryshoni gjysmën e qeverisë.
Nëse partia nuk vetëstresohet. nuk jam unë që e bëj, është mënyra si ne e jetojmë PS që është kështu. Se nëse nuk e fusim veten në stres nëse nuk e kemi partinë në stres, në alert për bërë më mirë e më mirë, vjen momenti që të stresojnë të tjerët, por kur vjen ai moment, aty ke marrë fund pastaj. Është tepër vonë. Ndaj unë mendoj se të gjitha këto janë pjesë e një mënyre të jetuari në PS, ne nuk kemi opozitë, kundërshtarë që mund të na sfidojnë, i vetmi kundërshtar i yni, është vetvetja dhe në rast se nuk e vëmë në dispozicion të vetë ndryshimit, por e lemë vetveten në rehatinë e vetëpëlqimit dhe të mjaftueshmërisë.
Kur thoni vetëndryshim përfshin edhe vetëpastrimin?
Padiskutim.
Në vendimet tuaja ka ndikuar fakti apo informacionet që mund të keni për atë që pritet që mund t’i ndodh ish ministrave. A është SPAK një element stresues mbi qeverisjen tuaj?
Jo, SPAK është një element i mirëseardhur në jetën politike, dhe është një element i mirëseardhur edhe në mënyrën tonë të të jetuarit të përditshëm të qeverisjes sepse është një sy që në mënyrë të pavarur dhe i pandikuar ndjek veprimtarinë tonë qeverisëse në të mirën e publikut, kështu që është një arsye më shumë për të bërë më mirë./m.j