Nga Jakin Marena
Këto ditë një lajm i ardhur nga Evropa duket se tronditi dhe më tej themelet e plasaritura të opozitës shqiptare, por habiti dhe politikën e opinionin publik në Shqipëri. Pasi erdhi dhe në një ditë ndryshe, më 12 shtator, në përvjetorin e 25-të të vrasjes së liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari.
Dhe lajmet e habitshme me sa duket kanë lidhje vetëm një njeri, çuditërisht me shumë fat dhe që fati e ndjek gjithmonë: Lulzim Bashën, kryetarin e PD zyrtare në opozitë. Po çfarë ndodhi?
Komiteti për Çështje Politike e Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës votoi me unanimitet për të emëruar kryetarin e PD Lulzim Basha raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.
Pra ndërkombëtarët e kanë vënë Bashën ‘kryehetues’ dhe ‘rojtar’ për pasuritë e ngrira dhe të aseteve të konfiskuara të rusëve, në pritje të përfundimit të luftës në Ukrainë, në mënyrë që këto para, të kalojnë në dispozicion të Kievit për të rindërtuar vendin, të shkatërruar nga makineria luftarake e Putin. Pra, është një besim shumë i madh ky për Bashën, por na nderon dhe ne si shqiptarë, duke na njohur një kontribut të jashtëzakonshëm për Ukrainën e agresuar nga Rusia.
Eshtë një detyrë me të vërtetë e lartë, një besim jashtëzakonisht i madh për liderin e PD zyrtare në Shqipëri, emërim që vjen pikërisht pas rikthimit të tij në krye të kësaj partie, pas një viti e gjysmë ‘sorollatje’ andej këndej, pas dorëheqjes nga posti i kryetarit, me shpresën se do tërhiqej dhe Sali Berisha nga drejtimi i grupimit më të madh në PD, Rithemelimit. Gjë që nuk u ‘kap’ nga Berisha që vazhdon e mbahet me ‘thonj’ pas këtij grupimi, duke bërë që të rikthehet sërish Basha në krye të grupimit tjetër demokrat, atij zyrtar.
Nuk mbeti askush pa bërë ironi për rolin e Bashës në këtë periudhë kohore dorëheqjeje nga drejtimi i PD. Madje i publikuan dhe fotot kur hante byrek në Bruksel, shërbim i çastit ky. Ironi u bë dhe me takimet në SHBA, Europë apo dhe me grupe të caktuara demokratësh nëpër rrethe, teksa ngrinin supet, se ‘me çfarë statusi i bën këto lëvizje, atë të ish kryetarit të PD?”
Madje bënë ironi dhe me një veprim të tijin në mbështetje të luftës në Ukrainë, duke e argumentuar se ‘nuk erdhi dot në pushtet për 10 vite në krye të opozitës, madje humbi dhe postin e kryetarit të PD dhe tani po investohet për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë”.
E themi këtë pasi gjatë kësaj periudhe pa mandat kryetari por vetëm me statusin e deputetit të PD, Basha paraqiti një projekt rezolutë në Këshillin e Europës që bënte thirrje për konfiskimin e aseteve ruse, krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e konfiskuara dhe vendosjen e këtyre fondeve në dispozicion të financimit për projektet e rindërtimit të Ukrainës.
Dhe një propozim i ngjashëm po diskutohet edhe në Kongresin amerikan ndërkohë që edhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka kërkuar që Rusia dhe oligarkët e saj se duhet të kompensojnë Ukrainën për dëmin dhe të mbulojnë kostot për rindërtimin e vendit.
Pra Basha nuk paska qëndruar kot gjatë këtyre muajve që vërtitej sa këndej andej, ndonëse ironia ndaj tij s’kishte të sosur, e shoqëruar me mungesën e reagimit nga kryetari aktual i PD zyrtare.
Paska qënë me sa duket ‘skemë’ e tij kjo heshtje, kjo lëvizje, e bashkërenduar dhe me mbështetjen e aleatëve tanë të mëdhenj, BE, SHBA e Britania dhe e materializuar këto ditë me vendimin e KiE që Basha të jetë përgjegjës për pasuritë e konfiskuara ruse dhe përdorimin e tyre si dëmshpërblim për Ukrainën për dëmet e shkaktuara nga agresioni i Putin?
Me sa duket gjërat qënkan akoma më të thella, dhe pas buzëqeshjes standarde të Lulzim Bashës, e rrezaton me shumicë dhe atëherë kur bëjnë ironi me të, dhe atëherë kur e akuzojnë si një dembel funksional që në fakt është, dhe atëherë kur e akuzojnë si një njeri që ka marrë qyl gjithçka në jetë deri më tani dhe atëherë kur e akuzojnë se ka humbur të gjitha përballjet elektorale përballë kundërshtarit politik për 9 vite me radhë sa ishte në krye të opozitës, pra pas asaj fytyre të qeshur si të stampuar në fytyrën e Bashës, paska pasur një mister të heshtur. Por dhe me nocione të lehta ironie nga Basha, me të gjithë ata që u tallën me të?!
Madje dhe që e akuzuan rëndë brenda demokratëve, ku Sali Berisha urdhëroi dhe ngriti një grup auditimi për këtë marrëveshje lobimi me para ruse, duke identifikuar Bashën si personin zyrtar që pa pyetur partinë ka pranuar gjysmë milioni dollarë financim rus për të lobuar në SHBA dhe realizuar një takim me ish presidentin Donald Trump. Pra ia lanë Bashës këtë aferë.
E përmendëm fort fjalën ‘akuzë’ pasi një pjesë e politikës dhe e medias, dhe në fund të herës vetë ‘babai’ i tij politik Sali Berisha, të cilin e ‘vrau’ pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA duke e përjashtuar nga grupi parlamentar dhe më pas nga partia duke e lënë rrugëve pa vulë dhe logo, e kanë akuzuar fort se në emër të PD, Lulzim Basha ka firmosur një marrëveshje lobimi në SHBA të financuar me para ruse. Bëhet fjalë për gjysmë milioni dollarë.
Zyrtarisht çështja në ngarkim të Bashës është pushuar nga drejtësia shqiptare. Ndërkohë që në SHBA, hetimi i kësaj çështjeje nga FBI por dhe vetë CIA ka marrë dimension tjetër. Duke na treguar se nuk është sikurse duket në sipërfaqe. Ndërsa prapa buzëqeshjes ironike të Bashës, duket sikur buron pyetja retorike e tij: Ju thashë që s’kam gisht në këtë maskarallëkun e thithjes së parave të Kremlinit, gjysmë milioni dollarë financim, për të rrëzuar qeverinë shqiptare dhe destabilizuar vendin dhe rajonin?!
Vetë emërimi nga KiE me vonë unanime i Bashës si raporter për konfiskimin e aseteve ruse, dhe përdorur këto pasuri për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga agresioni rus e tregon këtë, se Basha nuk paska pasur asnjë lidhje me paratë ruse që financuan PD-në në vitin 2017. Teorive të tjera konspirative nuk mund t’ju hyjmë, pasi tashmë kemi diçka zyrtare: Basha raporter i emëruar nga KiE.
Dhe jo se nuk është një financimi vërtetë ai i dhënies nga Kremlini të gjysmë milioni dollarë për PD. Pasi këtë fakt e ka pranuar e deklaruar dhe Departamenti amerikan i Shtetit, sipas njoftimeve të CIA-s, që ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku rënditen disa parti politike që nga vende të BE dhe deri Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria, që kanë përfituar investime nga paratë ruse.
Madje, sipas DASH, këto parti politike dhe liderët e tyre, do të vihen në lupën e institucioneve ligjzbatuese të Amerikës e BE, pas kësaj do të shikohet çdo akt i bashkëpunimit me ta. Dhe njëri prej këtyre liderëve të financuar rëndë nga rusët është dhe ai i PD, ku Basha të paktën zyrtarisht ka qënë kryetar i PD në atë kohë. Të asaj të bashkuar, me gjithë Berishën brenda.
Meqë nuk paska qënë Basha i implikuari i madh i financimit rus për PD-në shqiptare, aleatët i besuan një detyrë të rëndësishme për asetet e konfiskuara ruse, kush paska qënë atëherë përfituesi i këtyre parave?
Brenda vetë PD, në 9 vitet e drejtimit të saj nga Basha, thuhej se kryetari zyrtar thjeshtë ‘ha përshesh’ pasi drejtimin real e ka Sali Berisha, i cili formalisht ka dhënë dorëheqjen më 2013, pasi në prapaskenë është ai që drejton këtë parti dhe ka autoritet absolut në të gjithë PD-në. Madje të gjitha lëvizjet e opozitës në atë kohë, që nga ‘çadra’ karshi kryeministrisë, djegia e mandateve të deputetit, sulmi për djegien e institucioneve e bojkoti i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, kanë qënë të diktuara nga Berisha. Që në krye të herës, thjeshtë dhe vetëm për të destabilizuar vendin dhe rajonin.
E ka pranuar dhe vetë Basha, jo vetëm publikisht por dhe në takimet e realizuara në ambasada dhe kancelaritë e partnerëve tanë ndërkombëtarë, se Berisha ishte kryetari real i PD dhe nuk merrte asnjë vendim pa miratimin e tij. Këtë e tregoi dhe lëvizja e pjesës më të madhe të anëtarësisë, deputetëve dhe strukturave në drejtim të “Foltores” pasi Basha e përjashtoi, lëvizje dhe tani së voni e Bardhit dhe e deputetëve të tjerë në drejtim të Berishës.
Pra Berisha paska qënë drejtuesi real i PD që merrtte të gjitha vendimet, por dhe njeriu që ka përfituar gjysmë milioni dollarë financim rus në emër të PD, ndërkohë që Basha thjeshtë dhe vetëm ka lëshuar firmën. Në mos pastë qënë e personalizuar dhe firma bashkë me vulën e PD dhe është përdorur nga të tjerë sa herë e ka lypur nevoja.
Fakti që Basha emërohet raporter dhe rojtar i aseteve të konfiskuara ruse, për t’i përdorur më pas për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë, po e tregon më së miri, se për partnerët tanë ndërkombëtarë Basha nuk paska lidhje me financimin rus të PD. Kështu na bën të mendojmë, sepse partnerët kanë shumë burime informacioni. Njëherësh e ngarkon këtë barrë automatikisht te Berishën, si njeriu që ka drejtuar realisht PD-në dhe ka përfituar këto para ruse në këmbim të shërbimit, për destabilizimin e Shqipërisë dhe rajonit, në këtë situatë lufte ne Ukrainë.
Ndoshta dhe ky fakt ka shërbyer dhe si një provë shtesë në vendimin e SHBA për të shpallur ‘non grata’ Berishën. Pasi rusët nuk hedhin kot asnjë lek, dhe përfitimi i gjysmë milionë dollarë financim nga Berisha është parë nga amerikanët dhe aleatët si një cënim i sigurisë së një vendi anëtar të NATO-s Shqipërisë si dhe vetë Ballkanit që është kufiri lindor i kësaj Aleance.
Ndaj themi se emërimi i Bashës nga KiE si raporter Basha raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, është një konfirmim se është Berisha, lideri i PD që është financuar nga Rusia për të krijuar destabilizim në rajonin e trazuar të Ballkanit. Dhe për t’i dhënë një ‘dorë’ Rusisë, në situatën e vështirë ku ndodhet pas agresionit që i bëri Ukrainës. Konfirmim i cili nuk besojmë se do të kalojë pa ndonjë masë tjetër ndëshkimi ndaj liderit të “Foltores”. Mesazhi i ‘koduar’ u dha.
Me sa duket Basha, bashkë me asetet ruse rrezikon të konfiskojë dhe financimet ruse për disa parti në rajon, mes tyre dhe gjysmë milion dollarët apo dhe të tjera të padeklaruara, që Kremlini i ka dhënë Berishës për destabilizim. Ndoshta dhe për këtë arsye është emëruar në atë pozicion nga KiE. Hamendësojmë këtu.
Dhe këto emërime s’janë për zotësi të Bashës, janë të tjerë ata që vendosin. Ndonëse kreu zyrtar i PD është politikani të cilin e ka ndjekur hap pas hapi fati. Ose që ka qënë gjithnjë i disponueshëm dhe bën mirë dhe ndonjë punë kur e urdhërojnë. Kuptohet, që nuk ka shumë sforco, dhe punojnë të tjerët për të.