Para ndeshjes së Shqipërisë me Poloninë në Air Albania, në emisionin Kuq e Zi, foli ndihmësi i trajnerit Sylvinho, Pablo Zabaleta. Ky i fundit zbuloi se pse luan Strakosha nga minuta e parë dhe jo Berisha ndërsa shtoi se Shqipëria luan për të fituar edhe pse ndaj Polonisë duhet të tregohen të kujdesshëm edhe në mbrojtje.
Pse luan Strakosha dhe jo Berisha? “Berisha nuk ka qenë mirë dje dhe deri sot pasdite, ndaj nuk luan”.
I druheni aspektit fizik pas asaj ndeshje me Çekinë? “Ishte një ndeshje e vështirë sepse kishim një kundërshtar fizik, por të gjithë lojtarët janë gati. Janë mirë edhe psikologjikisht sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne”.
Strategjia për të fituar ndeshjen? “Do të luajmë njësoj, luajmë në shtëpi apo jashtë, ne luajmë gjithmonë për të fituar. Duhet të jemi të organizuar në mbrojtje sepse polakët kanë kualitet dhe mund të bëjnë dëm. Pastaj duhet të bëjmë diferencën në sulm për të shënuar gol”, u shpreh Zabaleta.