Nga Dritan Hila
Gazment Bardhi është ndjerë i ngazëllyer që ka çuar deputetë te Berisha. Në fakt ka menduar se janë nën hyqmin e tij, por aty karrigia është e Berishës dhe komandon Berisha. Gazi vetëm bythët ka të tijat.
Pjesëmarrja e disa figurave të reja në këtë grupim, nuk tregon asgjë përveçse cektësisë politike të tyre. Të bëhesh pjesë e intrigave të një ish-aparatćiku të promovuar politikan si Bardhi, është miopi politike.
Askush prej atyre që shkuan aty nuk ka të ardhme politike. Mund të kenë bërë pazare me Berishën (do jenë pa tru nëse i kanë bërë me Bardhin), por në zgjedhjet e reja Berisha do bëjë repartin e tij besnik dhe jo njerëz që e kanë dredhur bishtin njëherë. Pasi ai e di që nuk fiton zgjedhje ndaj nuk i duhen personalitete, por besnikë. Është e vështirë të mendosh se çfarë i ka shtyrë këta njerëz që t’i hyjnë kësaj valleje? Më realistët ndoshta me shpresën se në të ardhmen Berisha do t’i fusë në pjesën fituese të listës. Një bast i nxituar ndërkohë që Berisha nuk e di nëse do futet nën çadrën e Metës apo do bëjë parti tjetër.
Një pjesë ndoshta kanë shpresë se…..
Nejse. Askujt nuk i interesojnë llogaritë personale të disave që rastësisht i ka kapur lapsi për deputetë dhe as kanë nuhatje politike të një këlyshi. Berisha është histori e mbyllur. Gazment Bardhi është histori kot, aq sa do zgjasë mandati i kësaj legjislature. Është një humbje kohe analiza e fatit të secilit prej tyre. Janë të vdekur politikisht edhe sikur të kishin 69 deputetë. Cili do të jetë fati i Bashës, pak rëndësi ka. Por grupi i Berishës dhe Bardhit e ka të shkruar në ballë fatin.
Ajo që është shqetësuese për vendin është mbetja pa opozitë. Bllokimi që i ka bërë Berisha këtij institucioni është me pasoja afatgjata pasi jo vetëm që po lë tokë të djegur brenda PD-së, por po e identifikon opozitën me gjithfarë diletantësh që po krijojnë parti si kërpudhat në vjeshtë. Rrjedhimisht jo vetëm që i zgjat qeverisjen Edi Ramës, pasi ky është problem i klasës politike, por po e lë pa një oponencë serioze, dhe ky është problem i vendit.