Fontana di Trevi në Romë është ndoshta shatërvani më i famshëm në botë. Miliona turistë që shkojnë aty tashmë e kanë si ritual hedhjen e një monedhe në shatërvan, të kthyer me shpinë nga uji, duke menduar një dëshirë, me shpresën se do të realizohet.
Pamje të ngjashme shihen në shumë vende në botë. Po ku shkojnë këto monedha që hidhen përditë nëpër shatërvane? Përgjigjen e jep revista “Travel and Leisure”, e cila ka shkruar se ekipe speciale që janë caktuar për këtë punë mbledhin monedhat çdo ditë. Në shatërvanin “Fontana di Trevi”, mblidhen deri në 15 mijë euro në javë, ndërsa në vit shuma arrin deri në 920 mijë euro.
Shoqata Caritas, e cila ka marrë përsipër pastrimin e shatërvanit, i shpërndan paratë te të varfërit. Madje, ka hapur edhe një supermarket që t’u shërbejë njerëzve që janë në nevojë.
Në artikull shkruhet se shatërvane të tjerë pastrohen më rrallë, siç është ai i kazinosë Bellagio në Las Vegas, që mbledh rreth 12 mijë dollarë në vit, pará që shpërndahen gjithashtu për të varfërit.
Ndërkohë në shatërvanin “Disney World” në Florida mblidhen rreth 18 mijë dollarë në vit.