“Fatos Nano krijoi një parti moderne nga partia më konservatore e më ‘injorante’ e serës së majtë në Europë” ky është vlerësimi i avokat Spartak Ngjela për liderin historik, themeluesin e Partisë Socialiste i cili prej një jave vijon të jetë i shtruar në reanimacion.
Në një intervistë për Report Tv Spartak Ngjela kujton takimin e parë me Fatos Nanon kur ishte në burg.
Nanon e kam takuar në burgun e Tiranës. Jo se kisha vajtur kastile për Nanon, shkova të takoja disa klientë. Ata më thanë që aty ishte Fatos Nano, hajde ta takosh. Nano fliste atje sikur ishte kryeministër. Fliste me shumë delikatesë e moral” tregon avokati.
Në Mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit me pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata.
“Saliu e kishte burgosur me budallalliqe dhe gjykatë injorante që e akuzoi Nanon për vjedhje në favor të të tretëve. Edhe një student i vitit të tretë të juridikut do të qeshte. Se nuk ka vjedhje në favor të të tretëve. Ka bashkëpunim” kujton Ngjela.
Më pas 1994 lulëzimi i skemave piramidale dhe rënia e tyre në vitin 1997 që shkaktoi një revoltë të armatosur të nxitur nga opozita atëherë PS-ja kundër qeverisë me kërkesën për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale. Ngjela kujton se kur ishte ministër i Drejtësisë dhe si iu rrezikua jeta Fatos Nanos
“Kur u bëra ministër i Drejtësisë pata shqetësim të madh se më erdhën në zyrë gardianët e policët e burgut të Tiranës e më thanë se kemi harxhuar 40 mijë fishekë natën se na kanë sulmuar natën për të vrarë Nanon. I thashë hap dyert e burgut dhe Nanon merre e çoje në shtëpinë e tij. Ishte me gjithë Ramiz Alinë të dy. Si do të mbaja unë përgjegjësi se kush do i vriste?! Ku e di unë çfarë hordhishë ishin në një kohë kur Shqipëria kishte humbur gjithçka. U hapën të gjithë burgjet. Doli Nano, i çova makinën time e çuan deri në shtëpi dhe i thanë deri këtu e kishte ministri përgjegjësinë tani je në shtëpi. Nano qeshi. Më pas u largua jashtë se ishte në rrezik.”
Pastaj kujton dhe reagimin e ndërkombëtarëve dhe përballjen me ta dhe sesi nxorri dekretin për të kthyer të gjithë të burgosurit edhe një herë në burg
Çështja ishte se u hapën burgjet. Ndërkombëtarët më kërkuan arsyen. Një shtet që nuk garanton dot jetën e të burgosurit i nxjerr në shtëpi. Ju e dini si ishte 1997. Më pas u qetësua situata.
Më pyetën cfarë do të bëjmë?
Nxorra një dekret në parlament. Ish të burgosurit që janë larguar nga burgu jo të arratisur por për shkak të gjëndjes së 1997-tës nëse kthehen në burg marrin 30% ulje të dënimit. Ata të OSBE-së më thanë gjetje.Erdhën të gjithë por morën 30 % e uljes së dënimit ama” kujton Ngjela gjatë intervistës për gazetarin e Report Tv Nertil Agalliu.
/f.stafa