Nga Harrilla Koçi
Dirk Niebel, ish-ministër për Zhvillimin Ekonomik në Qeverinë “Merkel 2”, në periudhën 2009-2013, ka mbërritur në Vlorë për të marrë pjesë në Edicionin e Parë të “Vlora Economic Forum”, që zhvillohet sot në sallën e Teatrit “Petro Marko”, në qytetin e Vlorës, organizuar nga Fate Velaj, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama dhe personaliteteve nga fusha e ekonomisë e politikës. Niebel ka qenë deputet për katër mandate në Bundestagun Gjerman. Por sot, pavarësisht se, nuk është më një politikan aktiv, ai, sikundër pohon vetë, mendon politikisht. Në një intervistë për “Shekulli“, Niebel përcjell disa nga mendimet dhe perceptimet e veta për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian, ndërkohë që vlerëson kryeministrin Edi Rama, për vizionin e tij për të ardhmen e vendit. Niebel, me një elokuencë komunikimi për t’u admiruar, reflekton një afeksion dhe simpati gjithashtu të spikatur për vendin tonë, për momentet historike që po kalon Shqipëria në synimet e saj drejt Evropës.
Zoti Niedel, cili është mendimi juaj për progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Evropën e Bashkuar?
Unë tashmë nuk kam më funksione politike, por jam një person që mendoj politikisht. Unë vlerësoj përpjekjet e Shqipërisë për progresin, synimin e saj për anëtarësim në BE. Unë nesër (sot) do të jem në një takim, këtu në Vlorë, me kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të bashkëbisedojmë rreth zhvillimeve ekonomike dhe perspektivën. Në kohën që kam qenë ministër, unë jam munduar dhe gjithmonë kam mbajtur shikimin në të njëjtin nivel dhe konkretisht jo për ta parë Shqipërinë në planin e neglizhencës, si një vend me 3 milionë banorë, kundrejt Gjermanisë me një popullësi shumë herë më të madhe. Filozofia ime është që ta shohim njëri-tjetrin nga i njëjti këndvështrim, çka ka bërë që ta konsideroj Shqipërinë si një partner që, së shpejti do të jetë pjesë e të njëjtit organizëm, siç është Evropa e Bashkuar. Ministria që unë kam drejtuar, hap perspektiva dhe perspektivat janë ato që vendosin marrëdhënie mes vendeve, mes shteteve dhe hapin horizonte të reja në fushën e bashkëpunimit në të ardhmen. Dhe, në këtë kuadër dhe si pjesë e një synimi të përbashkët, unë mendoj se, të gjitha vendet duhet t’i bëjmë pjesë të frymës së dialogut dhe të bashkëpunimit me aktivitete të tilla. Unë përfaqësoj mendimin tim se, Shqipëria është një vend që është në gjendje të japë ndihmesën e vet për zhvillimet në Evropë. Evropa e Bashkuar dhe Gjermania, e kanë parë Shqipërinë gjithmonë në të njëjtin këndvështrimi dhe ne jemi të bindur për këtë. Prandaj dhe do ta ndihmojmë vendin tuaj që, perspektiva e njerëzve të jetë këtu. Dhe perspektivat janë ato që u japin mundësi njerëzve për të dialoguar me njeri tjetrin, prandaj dhe për mua është kënaqësi e madhe takimi paraprak që do të kem me kryeministrin Rama.
E keni takuar më parë, zotin Rama?
Kam parasysh këtu, periudhën kur ju ishit Ministër i Zhvillimit Ekonomik. Kam patur shansin të takoj kryeministrin Rama në vitin 2011, kur ai ka qenë kryetar i opozitës dhe qysh atë kohë, jo vetëm në bashkëbisedim, por edhe në shikim, unë perceptova dhe krijova për të, idenë e një njeriu të hapur, që e njihte tërësisht problematikën në të cilën ndodhet sot Evropa.
Si ish-politikan dhe si një njeri që, sikurse thatë, mendoni politikisht, çfarë roli do të ketë Gjermania në procesin e zhvillimit dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt Evropës së Bashkuar?
Gjermania, është donatori më i madh për Shqipërinë. Dhe ndihma jonë për Shqipërinë ka nisur prej vitesh, përmes financimit të projekteve në infrastrukturë, në ujin e pijshëm apo në energji. Sepse, këto tre fusha, për mendimin tonë përbëjnë edhe bazat e zhvillimit ekonomik. Konkretisht, pa energji nuk ka se si të mund të synohet zhvillimi i një vendi. Gjatë periudhës kur unë drejtoja Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, kemi ndihmuar mjaft edhe për zhvillimin e arsimit profesional, pasi ne mendojmë se, përgatitja e profesionistëve të rinj në profesione të ndryshme, përbën një bazë të fuqishme, për t’i paraprirë zhvillimit. Në vitin 2009, Shqipëria paraqiti kërkesën për të marrë statusin e vendit Kandidat në BE, çka u realizua në vitin 2014, kur ajo e mori këtë status. Unë e kuptoj dëshirën e madhe që ka Shqipëria, për të çelur negociatat për anëtarësim në BE. Sot, në kushtet e krizës së emigrantëve nga Siria, unë mendoj se, Shqipëria mund të luajë një rol të konsiderueshëm, duke dhënë një ndihmesë të rëndësishme për BE-në. Kjo gjë, do të ndihmonte edhe përshpejtimin e hapave të saj, drejt Evropës së Bashkuar.
Çfarë roli mund të luajë Shqipëria në këtë krizë? Pra, si mund të ndihmojë ajo? Duke u bërë një vend tranzit për emigrantët që vijnë nga Siria për në Evropë, për në Gjermani?
Po. Duke qenë një mundësi stacionimi për emigrantët. Është në favorin e Shqipërisë që të bëhet pjesë e mbështetjes së emigrantëve që vijnë nga Siria me destinacion vendet e Evropës, duke u shndërruar në një stacion të përkohshëm për ta, përmes një programi ndihme dhe menaxhimi të mbështetur financiarisht nga Evropa. Ka një kosto shumë të madhe, duke përfshirë edhe atë financiare dhe itinerarin aktual të lëvizjes së emigrantëve sirianë, nga vendi ku ata ndodhen aktualisht drejt vendeve evropiane, ndërkohë që, do të ishte shumë më favorizuese që Shqipëria, si një vend stacionimi i përkohshëm, të mund të ofronte shërbime për ta. Këtë mund ta realizojë përmes menaxhimit dhe bashkëpunimit të strukturave shtetërore me kompani private,duke përfshirë edhe ato gjermane që operojnë në Shqipëri. Jam koshient që ka vështirësi në kapacitete menaxhuese dhe organizuese, por, kjo mund të kompensohet me përfshirjen e ekspertizës së institucioneve ndërkombëtare evropiane që operojnë gjithashtu në Shqipëri. Shqipëria do të fitonte një kredibilitet shumë më të vlefshëm në arenën evropiane, që do ta favorizonte atë në procesin e anëtarësimit. Gjithsesi, duhet të theksoj se, ky është mendimi im personal, jo i Qeverisë Gjermane.
“Honoris Causa” për Niebel
Gjatë ditës së djeshme, si pjesë e aktiviteteve që i paraprijnë zhvillimit të Forumit Ekonomik, Niebel u vlerësua me titullin akademik “Doctor Honoris Causa“, akorduar nga Universiteti “Ismail Qemali“ për merita të veçanta në zhvillimet ekonomike, jo vetëm në Gjermani, por edhe për ndihmesën dhe ndikimin e tij si ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe promotor i disa investimeve strategjike në Shqipëri, siç është linja e interkonjeksionit me Kosovën, Malin e Zi, me Maqedoninë etj. Niebel mendon se, Shqipëria është përpara një sprove dhe ka një mundësi për të qenë pranë Evropës së Bashkuar, duke e ndihmuar atë përballë problemit që lidhet me krizën e emigrantëve. “Është në favorin e Shqipërisë që të bëhet pjesë e mbështetjes së emigrantëve që vijnë nga Siria me destinacion vendet e Evropës, duke u shndërruar në një stacion të përkohshëm për ta, përmes një programi ndihme dhe menaxhimi të mbështetur financiarisht nga Evropa“, shprehet ai.