Nga Jakin Marena
Athina zyrtare i ka ashpërsuar tonet në drejtim të Shqipërisë, duke kërcënuar madje për bllokim të procesit të integrimit në BE e deri tek bllokimi i financimeve nga Europa e bashkuar.
Madje mesazhet publike janë dhënë me tone të tilla ultimative dhe kërcënuese, duke na risjellë në skenën politike ballkanike, tonet e dikurshme, por pa mundur të ‘përtërijë’ masat dëshkuese ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi, përmes operacioneve “fshesa.
Sepse janë akomoduar shqiptarët me dokumente në Greqi, dhe për më tepër fqinji ynë jugor ka nevojë për krahë pune, ndërsa emigratët tanë tashmë po lëvizin nga Greqia drejt vendeve të pasura të BE. Ullinjtë janë bërë për t’u mbledhur, ka dhe procese të tjera pune të bllokuara për fuqi punëtore.
“Ta harrojë paratë nga BE nëse pengon betimin e Beleri. Shqipëria do harrojë paratë nga Europa nëse Fredi Beleri nuk betohet si kryebashkiaku i Himarës. Shqipëria do paguajë çmim shumë të lartë nëse vazhdon të shkelë të drejtat e grekëve”, kërcënoi ministri i Punës në Greqi.
Një deklaratë që vjen pikërisht në ditën e darkës të thirrur nga kryeministri grek Mitsotakis, me liderët ekzekutivë të rajonit, por që për habi ftesën për palën shqiptare e dërgoi në zyrën e Presidentit Bajram Begaj. Duke shkelur me dashje paritetin, pasi si president i një republike parlamentare, Begaj ka vetëm funksion ceremonial e aspak politik, siç ishte dhe darka e organizuar nga kryeministri grek, në 20 vjetorin e nismës së Selanikut për integrimin e Ballkanit në BE. Për më tepër që një kryeministër nuk ‘lëviz’ dot një President.
Jo vetëm mediat e Athinës por dhe ato të vetë institucionit të BE, e kanë cilësuar anashkalimin e kryeministrit shqiptar nga ana e homologut grek, për të marrë pjesë në darkën e kryeministrave të rajonit, si një mesazh nga Athina zyrtare, për të treguar se janë mërzitur nga burgosja e kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë Fredi Bejleri, i kapur në flagrancë për blerje votash dhe që prej asaj dite është subjekt i drejtësisë së re në Shqipëri.
Nuk jemi fort qartë se cila është arsyeja e vërtetë që Athina zyrtare këmbëngul duke i kërkuar kryeministrit Rama që të lirojë Bejlerin nga burgu, e të shkojë e të bëjë betimin si kryebashkiak. Eshtë inerci e deklaratave të fushatës zgjedhore që sapo kaloi në Greqi, ku Mitsotakis fitoi shumicën për të qeverisur i vetëm vendin, është një rizgjim i nacionalizmit në Greqi, apo është një përpjekje e kryeministrit grek për të ringjallur rolin grek si lider i Ballkanit, rol që e ka humbur që me krizën e thellë të para disa viteve dhe ku për pak tërë Greqia doli në ankand për të shlyer borxhet.
E vërteta është se Greqia po kërcënon Shqipërinë me bllokim të integrimit në BE dhe me bllokim të financimeve të unionit për Shqipërinë. Kërcënime që deri më tani kanë mbetur si zë në shkretëtirë, pasi asnjë nga homologët europianë nuk e ka përkrahur, por as institucionet evropiane dhe SHBA nuk kanë dhënë asnjë deklaratë në mbrojtje të Belerit apo në mbështetje të Athinës zyrtare për rastin në fjalë. Përpos qëndrimeve të prera të aleatëve tanë që drejtësia është e pavarur, dhe politika duhet t’i mbajë larg duart nga drejtësia e re.
Teksa i kërkohet Ramës që të fusë duart në punët e drejtësisë për të nxjerrë nga burgu Bejlerin, pa vendim gjykate apo me një vendim të orientuar gjykate, Athina zyrtare del jo vetëm kundër qëndrimit zyrtar të BE ku është vend anëtar dhe ku Shqipëria kërkon të jetë pjesë, por dhe kundër qëndrimit zyrtar të vetë Greqisë që në vendin e vet aplikon respektimin e shtetit ligjor. Të paktën kështu iu përgjigjën shqetësimit të Kroacisë për çështjen e dhunimit dhe burgosjes së tifozëve të Dinamos së Zagrebit. Pra Athina Zyrtare po përdor një standard të dyfishtë.
Me sa duket këtë fakt kanë parë dhe SHBA, BE e Britania, teksa s’kanë lëshuar asnjë deklaratë në mbështetje të kryeministrit Mitsotakis për çështjen “Bejleri”, duke ia lënë gjithë zgjidhjen e saj drejtësisë së re shqiptare, e cila në të gjitha shkallët e gjykimit deri më tani e ka lënë në burg kreun e zgjedhur të bashkisë Himarë.
Ndërkohë që dhe vetë Rama, teksa ka vepruar me të njejtin standard dhe për ish kryebashkiakët apo ish zyrtarët e partisë së tij të arrestuar apo nën hetim, duke mos u dhënë mbrojtje politike dhe duke kërkuar nga drejtësia që të bëjë punën e saj, ashtu dhe për kryetarin e zgjedhur të Himarës, ka deklaruar dhe publikisht se është punë e SPAK dhe e drejtësisë shqiptare, pa asnjë ndikim nga politika.
Eshtë direktivë e SHBA, BE e Britanisë kjo mosndërhyrje, pasi këtë drejtësi partnerët tanë ndërkombëtarë e mbështetën fort që kur u ngrit e deri më tani. Dhe financiarisht fort madje. Më saktë drejtësia e re në Shqipëri nuk pyet për Ramën, por është me sytë nga partnerët e mëdhenj. Dhe kryeministri grek, nëse është i shqetësuar kaq shumë për Bejlerin, ta bëjë kërkesën direkte tek SHBA, BE e Britania për ta liruar, të mos harxhojë kohë me Ramën.
Por nëse në krah të Athinës zyrtare për çështjen “Bejleri” nuk është vënë asnjë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, asnjë nga aleatët tanë të mëdhenj, mbështetja i ka ardhur pikërisht nga ai që nuk pritej, sëpaku formalisht: Sali Berisha, kreu i “Rithemelimit”, i ardhur nga ‘pensioni’ politik.
“Patrioti” i madh Sali Berisha, gjysma e jetës e së cilit ka ‘shkuar’ duke ‘luftuar’ kundër idesë ekstremiste të nacionalistëve greke për “Vorio Epirin”, tashmë është përthyer në gjunjë, duke kërkuar të mbështesë ‘krijesën’ e tij të konfliktit mes dy vendeve, Fredi Bejlerin dhe këdo që e mbështet atë. Dhe Athinën zyrtare dhe këdo që është kundër Edi Ramës.
Eshtë në vazhdën e faljes së ‘detit’ Greqisë nga ana e qeverisë së atëhershme të Berishës, është në vazhdën e luftës kundër Ramës dhe kur mbështeti deklaratën e Lavrov për “Ballkanin e Hapur”, kur ‘antenat’ e tij kapin çdo sinjal kundër kreut të qeverisë shqiptare, për ta mbështetur e kapërcyer madje shumëfish vetëm e vetëm për të dëmtuar, sipas mendjes së tij, rivalin politik.
Besojmë se kjo situatë do të tejkalohet, përtej mesazheve kërcënuese që jepen tani nga Athina zyrtare, ndoshta për të rikuperuar imazhin e rënë si lider i Ballkanit, apo dhe për të pasur një ‘enklavë’ konflikti në Shqipëri, herë të fjetur e herë të riaktivizuar sa herë ka zgjedhje në Greqi.
E themi këtë sepse mesazhet kërcënuese për bllokim të integrimit të Shqipërisë në BE apo dhe të financimeve të Unionit për vendin tonë, nuk besojmë se mund të sjellin ndonjë realitet të ri në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Europën e Bashkuar dhe marrëdhëniet e saj me Brukselin. Apo dhe të donanacioneve europiane për Shqipërinë. Nuk ka asnjë sinjal për këtë nga BE.
Shtuar këtu dhe faktin se vetë BE është drejt ristrukturimit total të saj, para se të integrohen vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria është me statusin e vendit kandidat. E ka kërkuar presidenti francez Macron dhe shumë liderë të tjerë të vendeve anëtare të BE. Bëhet fjalë për heqjen e vetos dhe futjen e vendimit të shumicës së cilësuar në vendimmarrjen e BE.
Rasti polak, ai hungarez dhe bullgar, që me veton e tyre kanë bllokuar vendime të rëndësishme për çështje ekonomike dhe politike, e kanë përshpejtuar mundësinë e heqjes së vetos. Pasi po hasin shumë vështirësi si Union nga mistrecllëqet e anëtarëve të ndryshëm trë BE.
Deri sa të bëhet Shqipëria gati për t’u anëtarësuar dhe vetë BE për të na pranuar në gjirin e saj si vend anëtar me të drejta të plota, është e sigurtë se kjo nismë e Macron dhe e liderëve të tjerë do të jetë bërë realitet, duke u hequr disa vendeve që ‘jetojnë’ thjeshtë dhe vetëm për një veto, mundësinë e bllokimit të proceseve integruese dhe ecurinë e vetë BE.
Ndërsa Athina zyrtare, me vetëm një aleat si Sali Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania, e i trajtuar si i tillë nga vendet anëtare të BE dhe të rajonit, e ka të vështirë të imponohet ndaj drejtësisë shqiptare për çështjen “Bejleri” qoftë dhe përmes mesazhe kërcënuese apo të lënies jashtë takimeve e darkave formale që organizohen nga lidershipi grek.
Eshtë aleat i pasigurtë Berisha, i cili thjeshtë u ‘ngriti topin’ fqinjëve tanë me kandidimin e paimagjinueshëm të Bejlerit në emër të grupimit të tij, për bashkinë e Himarës. Këtë e ka kuptuar dhe vetë Mitsotakis dhe qeveria e tij që nuk e përmend fare Berishën. Këtë e ka kuptuar dhe media greke që nuk përcjell deklaratat e Berishës. Megjithëse i lëshon dy herë në ditë, duke dalë krah Athinës zyrtare. As ata nuk e llogarisin Berishën. Eshtë një ‘mercenar’ falas, e në hall.
Pjesa tjetër, ajo e pjesëmarrësve në darkën formale të përfaqësuesit të Kosovës, kryeministrit Albin Kurti, thjeshtë nuk dimë çfarë emri t’i vëmë. Eshtë i kuptueshëm fakti që lidershipi i Kosovës kërkon nga Greqia njohjen si shtet i pavarur. Dhe për këtë do të bëjnë çfarë është e mundur për ta realizuar. Megjithëse Greqia ndoshta do jetë shteti i fundit që do njohë Kosovën.
Por nga pikëpamja formale, të shkosh në një darkë qoftë dhe formale me shumë liderë të tjerë përreth ku nuk të njeh zoti i shtëpisë, pra si ‘fanti spathi’, vetëm Albini mund ta shpjegojë. Do Zoti dhe Albini ka ndonjë flamur të Kosovës në xhep, që ta vendosë në tavolinë në takimin para apo pas darkës, pasi Greqia nuk disponon të tillë, pasi nuk e njeh shtetin e Kosovës. Kurti do ketë dhe ‘armikun’ Vuçiç në tavolinë për darkën informale, presidentin e Serbisë që nuk e njeh Kosovën dhe që është në ‘konflikt’ të thellë me të.
Na vjen mirë që Kurti shkon në takime në fakt, qoftë dhe për inat të Ramës, si në rastin e darkës së Mitsotakis në Greqi. Sepse deri më tani i ka bojkotuar të gjithë, ndërkohë që pas konfliktit me SHBE, BE dhe Britaninë për tensionet në Veri, dhe masave ndëshkuese për Kosovën, ftesat janë ndërprerë për të nga aleatët tanë të mëdhenj. Na vjen mirë që dhe Kurtit i është fiksuar sikurse Berishës se rruga për njohjet dhe për integrimin kalon nga fqinji ynë jugor. Fundja vend anëtar i BE është, ndonëse nuk është Brukseli.
Përfundimisht, “qirje” Berisha e tregoi anësinë, mbron Bejlerin hapur dhe sulmon kryeministrin e Shqipërisë. Të presim çfarë do të deklarojë Albini në Athinë, do thotë ndonjë fjalë për këtë mungesë të kreut të qeverisë së shtetit amë. Si ‘patriot’ që thuhet se është. Të shohim.
Nuk behet me sakte, qarte dhe shkoqur. Cudi qe mediat, kryesisht TV percjellin analiza te shkapardinuara te analisteve Lubonja & Co dhe jo analiza te tilla realiste dhe korrekte!