Sporti është përdorur gjithmonë si një instrument diplomatik. Kryeministri hungarez Viktor Orban ftoi 15 liderë të Ballkanit dhe Azisë në ditën kombëtare të 20 gushtit, me rastin e Kampionatit Botëror të Atletikës.
Mes të tjerësh spikasnin presidentët e Serbisë, Turqisë, Azerbajxhanit, Kirgizstanit, Turkmenistanit dhe emiri i Katarit, të cilët ndoqën festimet në Budapest.
Takimi mes presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban u zhvillua me dyer të mbyllura.
Kryeredaktori i agjencisë “Turkinfo”, ekonomisti Tarik Demirkan theksoi se Hungaria shërben si urë për Turqinë drejt ekonomisë evropiane.
“Është shumë e rëndësishme për Turqinë të riparojë marrëdhëniet me Perëndimin. Ajo ka raporte të mira me Rusinë, Kinën dhe Lindjen e Mesme, por tregtia e saj e jashtme anon nga Perëndimi”, tha Demirkan.
Sikurse ministri i Jashtëm hungarez i tha shtypit, në fokus të kryeministrit Orban ishte sektori energjetik i Hungarisë. Ai ra dakord me presidentin serb Vuçiç, që nëse Ukraina i jep fund kontratës së gazit tranzit me Rusinë, atëherë fluksi i gazit nga Serbia mund të rritet.
“Ftesa për presidentin turk dhe liderët e Ballkanit dhe Azisë në ditën kombëtare reflekton ambiciet e Orban për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe politik me këto rajone”, deklaroi Nora Shenouda, gazetare e Euronews.
/f.stafa