Në mbledhjen ku do të nxitej themelimi i Shoqërisë Biblike rol pati fjalia “Nëse duhet për Uellsin, pse jo edhe për Perandorinë Britanike dhe për gjithë botën?”. Dhe ishte pikërisht kjo fjali, e cila do ta fuste edhe gjuhën shqipe ndër 30 të parat nga 422 gjuhë në të cilat u përkthye e u shpërnda Bibla. Këtë histori e ka sjellë si pjesë të ligjëratës “Shqipja në rrezik dhe rreziku i shqipes: vështrime rreth kontekstit të veprimtarisë letrare të protestantëve në viset shqiptare” profesori David Hosaflook
Ishte Maria Jones, 15-vjeçare, nga një fshat thellë në malet e Uellsit, e cila do të luante rol goxha të rëndësishëm për gjuhën shqipe në shekullin XIX. Dëshira e madhe e Jones për të lexuar Biblën në gjuhën amtare qe ajo që e nxiti krijimin e një Shoqërie Biblike për të furnizuar të gjithë popullin e Uellsit me bibla në gjuhën e tyre. Kjo, pasi që Jones kishte kursyer gjatë të holla dhe kishte udhëtuar rreth 50 kilometra më këmbë për ta takuar pastorin Thomas Charles, i cili ishte anëtar i Shoqërisë së Broshurave Fetare dhe nga i cili do ta blinte Biblën.
Në mbledhjen ku do të nxitej themelimi i Shoqërisë Biblike rol pati fjalia “Nëse duhet për Uellsin, pse jo edhe për Perandorinë Britanike dhe për gjithë botën?”. Dhe ishte pikërisht kjo fjali, e cila do ta fuste edhe gjuhën shqipe ndër 30 të parat nga 422 gjuhë në të cilat u përkthye e u shpërnda Bibla.
Këtë histori e ka sjellë si pjesë të ligjëratës “Shqipja në rrezik dhe rreziku i shqipes: vështrime rreth kontekstit të veprimtarisë letrare të protestantëve në viset shqiptare” profesori David Hosaflook, në kuadër të edicionit të 41-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Hosaflook ka jetuar në Shqipëri që nga viti 1992 dhe ka doktoruar në histori në Universitetin e Tiranës, duke shkruar historinë e parë kronologjike të dokumentuar të Lëvizjes Protestante Shqiptare për vitet 1816–1908. E fokusuar te kjo temë erdhi edhe ligjërata, të cilën ai e filloi me historinë e Maria Jonesit.
“Ndoshta sot, sikur të ishte këtu me ne Maria Jones, ajo do të na pyeste: ‘çfarë paskam bërë për kulturën shqiptare, për kulturën tuaj?’. Në fakt, aq shumë ka bërë saqë e kemi një libër që u botua në Korçë në vitin 1930 ‘Maria Jones dhe Bibla e saj’, një përkthim nga një botim i Shoqërisë Biblike britanike dhe për vendet e huaja”, ka thënë ai. Sipas tij, në fakt Maria Jones ishte frymëzimi për themelimin e Shoqërisë Biblike në Londër, themeluar në vitin 1804.
“Në kohën e saj nuk qarkullonin bibla në gjuhën e Uellsit. Ishin botuar, por ishin kaq pak saqë biblat mbërtheheshin me hekur në tavolinat e kishave në mënyrë që të mos vidheshin. Edhe kjo vajzë çdo javë do të ecte 3 deri në 4 kilometra vetëm për të lexuar Biblën, bukën e saj të përditshme”, ka thënë Hosaflook.
Sipas tij, atëherë shqipja ishte në rrezik, por po të përhapej do të përbënte rrezik politik e fetar për shtetet përreth. Hosaflook ka theksuar se atë kohë Lëvizja Protestante në thelb ishte një lëvizje letrare.
“Lëvizja Protestante erdhi me një veprimtari të theksuar letrare në një kontekst kur shqipja ishte në rrezik. Një prej rreziqeve është mospërdorimi i gjuhës. Ne kemi një shprehje në anglisht ‘If you don’t use it, you will lose it’, (në qoftë se nuk e përdor, ka për të humbur). Është një rrezik në kohën e ardhjes së protestantëve në viset shqiptare, shqipja e shkruar nuk ishte e përhapur, edhe shqipja jo vetëm që ishte në rrezik, por përhapja e shqipes së shkruar përbënte një rrezik për fuqitë e ndryshme në rajon, për fuqi politike e fetare. Kishte probleme në Ballkan dhe natyrisht gjuha do të ishte një rrezik për bashkimin e shqiptarëve”, ka thënë Hosaflook.
Tutje është përmendur periudha midis viteve 1824 dhe 1910 gjatë së cilave dihet për 30 botime të Biblës në të dyja dialektet dhe 5 alfabete të shqipes. Hosaflook ka sqaruar se në kohën kur protestantët nisën projektin e përkthimit të Biblës, shqipja kishte një problem – nuk kishte një alfabet të njësuar, madje nuk njihej asnjë alfabet shqip. Prandaj botimet dolën në 5 alfabete gjatë viteve, sepse nuk ishte zhvilluar shqipja e shkruar dhe doemos duhet të bëheshin eksperimente linguistike.
“Në periudhën gjashtëdhjetëvjeçare 1824–1884, që ishin vitet themelore për zgjimin kombëtar dhe ishte epoka e Jeronim de Radës dhe e Elena Gjikës, Lëvizja Protestante ishte e përfshirë në 35 për qind të të gjithë botimeve të botuara në gjuhën shqipe—më shumë se botimet e çdo komuniteti tjetër fetar. Por, këtu duhet të theksojmë se bëhet fjalë vetëm për tituj, jo për tirazhin. Çdo botim nga këto 30 botime kishte në tirazh 1.000 deri në 10.000 kopje. Pra, bëhet fjalë për një projekt kolosal për kontekstin e tij kohor”, ka bërë të ditur Hosaflook.
Në ligjëratën “Shqipja në rrezik dhe rreziku i shqipes: vështrime rreth kontekstit të veprimtarisë letrare të protestantëve në viset shqiptare”, Hosaflook ka përmendur e cituar figura të rëndësishme të historisë shqiptare si Jeronim de Rada, Elena Gjika e Mid’hat Frashëri.
“Për shumë vjet librat e Dhiatës së Vjetër dhe të Dhiatës së Re, në gegërisht e në toskërisht, kanë përbërë pothuajse tërësinë e letërsisë së Shqipërisë. Kjo ka bërë që Shoqëria Biblike edhe për vendet e huaja të nderohet dhe të respektohet nga të gjithë shqiptarët atdhetarë, qoftë myslimanë ose të krishterë”, ka cituar Mid’hat Frashërin.
Sipas tij, pajisja e shqiptarëve me shkrimet e shenjta në gjuhën shqipe dhe përhapja e një lëvizjeje protestante ishte një nismë ambicioze dhe e vështirë, po të merren parasysh kushtet me të cilat po ndesheshin misionarët. Ka thënë se mund të paraqiten fakte dhe burime për Lëvizjen protestante te shqiptarët, por, për mendësinë shqiptare ndikimi i kësaj veprimtarie mezi mund të llogaritet shkencërisht.
“Mund të vërtetojmë se ishin botuar së paku 60 mijë kopje të Shkrimeve të Shenjta dhe librave fetarë në shqip, gjatë viteve 1824–1912, por si mund të matet përfitimi shpirtëror i tyre? Mund të përmendim emrat e rreth 55 librashitësve shëtitës, të cilët u ranë kryq e tërthor viseve shqiptare me librat e tyre, por si mund të matet gëzimi i fëmijëve shqiptarë, kur kanë lexuar për herë të parë fjalën shqipe?”, ka thënë ai. Ka treguar se mund të bëhen krahasime analitike të botimeve në gegërisht e në toskërisht, por si mund të rroket ndikimin psikologjik që këto botime kanë pasur për vetëdijen kombëtare.
“Relativisht pak shqiptarë mund t’i lexonin kopjet e Shkrimeve të Shenjta që po shpërndaheshin. Në një rrethanë të tillë të papërshtatshme, edhe arritjet më të vogla të Lëvizjes Protestante Shqiptare do të merrnin një rëndësi të madhe. Megjithatë, edhe pse në kushte të tilla, arritjet e lëvizjes nuk ishin të vogla” ka përfunduar Hosaflook. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të vazhdojë deri në fund të javës që vjen me kurse gjuhe, ligjërata nga studiues eminentë e vizita studimore. /Koha Ditore