Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, mbërriti pasditen e djeshme në Vlorë, për pushime me familjen, ndërsa ka zhvilluar edhe një takim informal me kryeministrin Edi Rama në rezidencën qeveritare.
Media italiane ‘Quotidiano.net’, ka zbuluar detaje rreth një sërë çështjeve që janë diskutuar ndërmjet dy liderëve dhe që përfshijë të dy vendet.
Sipas medias italiane, temë kryesore e diskutimit ishin investimet italiane në vendin tonë dhe e ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por një tjetër temë që është diskutuar ka qenë edhe mundësia e ndërtimit të një centrali bërthamor në territorin shqiptar.
“Çështjet politike që prekin dy brigjet e Adriatikut, nga prania (masive, deri tani) e sipërmarrësve italianë te emigracioni, nga lufta në Ukrainë tek e ardhmja e Shqipërisë në BE, ishin disa nga temat që u diskutuan në bisedën joformale.
Po ashtu u diskutua edhe çështja e gazsjellësit nënujor të Adriatikut, hipoteza e ndërtimit të një centrali bërthamor në territorin shqiptar dhe vlerësimi i bumit turistik që ka sjellë qindra mijëra italianë në Shqipëri”- shkruan ndër të tjera media italiane.
Por për momentin s’ka asnjë konfirmim të këtyre pretendimeve.