Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me arrestimin e 5 personave në Tiranë të gjatë operacionit “PUNISHER 2”, të cilët u kapën me një sasi prej 11300 tabletash ekstazi.
Balla në ‘Facebook’ shkruan se sekuestrimi i një sasie kaq të madhe droge nxjerr në pah luftën e ashpër që ka policia e Shteti ndaj këtij fenomeni, ku thekson “Duhet të rrisim sa të mundemi perimetrat e kontrollit dhe sigurisë rreth e pranë shkollave, ku rrjeta jonë të kapë me patjetër çdo keqbërës”.
Ndër të tjera shton se Policia e Shtetit duhet të kthehet në institucionin më të besuar për qytetarët lidhur me shpërndarjen e lëndëve narkotike, ku shton “Nëse Policia e Shtetit synon të kthehet në institucionin më të besuar, duhet pikësëpari të mos zhgënjejmë prindërit që presin prej nesh të parandalohet dhe luftohet shitja e drogave në përgjithësi dhe në afërsi të shkollave në veçanti. Prindërit në shtator kur të rifillojë viti shkollor do të na e ribesojnë ne këtë detyrë”.
Postimi i plotë:
Suksesi i operacionit të radhës të Policisë së Shtetit në goditjen e një rrjeti trafikantësh nga Kosova në Shqipëri dhe sekuestrimi i një sasie shumë të madhe dozash/tabletash të një lloj droge nxjerr në pah dhe nevojën e një lufte edhe më të ashpër ndaj këtij fenomeni. Kjo është një betejë dhe një sfidë për policinë e çdo vendi dhe disa mund të thonë se është e vështirë, se edhe vendet e tjera e kanë këtë problem. Unë nuk mendoj kështu. Në javët e fundit janë goditur disa rrjete shpërndarësish lëndësh narkotike edhe pse duhen ndjekur fijet dhe duhet të shkohet tek “bosat” e tyre sa më shpejt.
Publiku dhe çdo familje shqiptare presin që Policia e Shtetit të marrë më shumë përgjegjësi ndaj çdo të riu e të reje, madje dhe adoleshentë, të cilët nuk i dinë sot sa duhet rreziqet e mëdha për shëndetin dhe familjet e tyre, ndërsa bien në grackën e narkotikëve. Pra duhet një QILIZËM KOMBËTAR për të pastruar sa të mundemi shpërndarjen e drogave pranë shkollave, pallateve dhe mjediseve të tjera publike. Duhet të rrisim sa të mundemi perimetrat e kontrollit dhe sigurisë rreth e pranë shkollave, ku rrjeta jonë të kapë me patjetër çdo keqbërës.
Nëse Policia e Shtetit synon të kthehet në institucionin më të besuar, duhet pikësëpari të mos zhgënjejmë prindërit që presin prej nesh të parandalohet dhe luftohet shitja e drogave në përgjithësi dhe në afërsi të shkollave në veçanti. Prindërit në shtator kur të rifillojë viti shkollor do të na e ribesojnë ne këtë detyrë. Policia e Shtetit duhet ta mbajë fjalën dhe bëjë detyrën! E ardhmja nuk duhet të ketë krahasim me të sotmen dhe unë jam i motivuar të bëjmë më të mirën siç publiku pret prej nesh. Pres rezultate nga Policia e Shtetit!/m.j