Nga Ben Andoni
Si pak herë në vitet e fundit ka pasur kaq zhgënjim të madh në publik me shtetin tonë. Nëse kjo është demokracia jonë, atëherë, çfarë është demokracia e vërtetë, që ne ëndërruam?! Një varg filozofësh dhe teoricienësh mund të thonë se ka vetëm një problem dhe ky lidhet me faktin se pas Murit të Berlinit, demokracia nuk ka më armikun e dikurshëm: Diktaturën. Po, a është ky i vetmi argument? Në fakt, na intereson thjesht rasti i Shqipërisë.
Ditët e fundit, ç’kodimi i mesazheve në aplikacionet “Sky” dhe “Encro” na ka nxjerrë zbuluar figurën e shumë prej zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe kokat e krimit të organizuar, një pjesë e të cilëve u arrestuan më 27 korrik, falë punës së SPAK-ut dhe partnerëve. Nëse për një pjesë të popullatës emrat e tyre janë të panjohur sepse u duhet të përballin të përditshmen e vështirë, për ata që janë në nivele më të qeta social-ekonomike dhe të përditësuar me lajmet: arrestimi i biznesmenit Pëllumb Gjoka, drejtuesit të prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dhe ish-drejtuesit të Grupit të Operacionales, Olti Bistri ka trandur shumë gjëra. Emra të tjerë pritet të dalin, por të gjitha bashkë tregojnë nivelin e frikshëm të krimit të organizuar dhe mbi të gjitha stadin e korrupsionit në vendin tonë. Jeta e çdokujt prej nesh është gati asgjë, kurse jeta e kundërshtarëve në krim merret për dhjetëra-mijëra euro. Një pjesë e tyre ka shumë më tepër vlerë se çdo individ apo intelektual, që kontribuon sinqerisht për këtë vend. Një paralelizëm, por në një sens tjetër, shkon me botën e spektaklit, ku flitet për shumë marramendëse, por për fare e pak vlera. E megjithatë, këto përbëjnë modele sot për të rinjtë. Kriminelët, fatmirësisht në këtë shoqëri, shikohen si shumë interesantë, krahasuar me intelektualë që jetojnë akoma me divanët e dikurshëm, ashtu si modelet e showbizit me vajzat e bëra dhe false, që pushojnë në resorte botërore, mbeten modelet e vërteta të të rinjve të sotëm! Kjo është një masë, që të lëbyr vërtetë, po pjesa tjetër? E kush do t’ia dijë për ata! Për këtë të ndihmon një raport i BB-së. “Shkalla e varfërisë në Shqipëri ka mbetur kokëfortësisht e lartë, pavarësisht periudhave të rritjes ekonomike edhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Me një shkallë rreth 29.3 për qind të popullsisë vlerësuar në vitin 2022, shkalla absolute e varfërisë në Shqipëri (e matur me 5.5 dollarë amerikanë për person në ditë sipas fuqisë blerëse [PPP]) është aktualisht pothuajse dyfishi i normave të vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor për të cilat ekzistojnë të dhëna të krahasueshme të kohëve të fundit që vlerësojnë varfërinë.
Shkalla e varfërisë duket se është ulur në mënyrë të konsiderueshme midis 2016 dhe 2018, ç por më pas tërmeti i nëntorit 2019, i ndjekur nga pandemia e COVID?19, fillimisht përmbysi trendin dhe më pas ngadalësoi shkallën e uljes së varfërisë. Ajo që vihet re është se lidhja midis rritjes së PBB-së dhe shkallës së varfërisë ka qenë shpesh negative në 20 vitet e shkuara, rritja nuk reflektohet në mirëqenien e njerëzve më vulnerabël në Shqipëri”, thuhet në raport.
Rritja ekonomike, që na afrohet nga burokratët e shtetit, nuk përkthehet asfare në rritjen ekonomike që kërkon buxheti familjar i shqiptarëve. Jo vetëm nuk kemi mundur t’i përdorim si duhet burimet publike, por sot e shikon hapur sesa janë përmirësuar realisht kushtet e jetesës së njerëzve. Sipas një anketimi të përvitshëm të Barometrit të Ballkanit për vitin 2023, 60% e shqiptarëve nuk arrijnë të përballojnë dot shpenzimet për të bërë një 1 javë pushime, në një kohë që zyrtarët po na përplasin përpara syve miliona turistë në vend, ashtu si VIP-at shqiptarë garojnë përmes grave dhe luksit, për të na shfaqur diferencën. Krizat e vazhdueshme na tregojnë se përballemi me mungesa të shërbimeve sociale cilësore, ku përfshihet si sens edhe shkollimi dhe kujdesi mjekësor. Për këtë të fundit debati publik i ditëve të fundit, pas operimit të një aktori, nxori problematikat e pafund të sistemit. E sikur të mos mjaftonte kjo, shqiptarët përballen ende me mungesën e shërbimeve bazë, të tilla si p.sh.: uji i sigurt dhe 24 orësh në një vend të bekuar për rezerva ujore; energjia elektrike; shërbimi i transportit publik e shumë e shumë të tjera.
Paradoksi është se sapo hapet një debat i tillë, menjëherë angazhohet një propagandë e tërë për të treguar se është thjesht një situatë e kalueshme dhe e vërteta është “krejt ndryshe”. Paçka se faktet i hedhin poshtë argumentet, që servirin shumë nga burimet zyrtare, shqetësimi publik është se shqiptari i sotëm është gjithnjë më i zhveshur para krimit, një administratë problematike dhe të paaftë për problematikat e qytetarëve dhe propagandës lëbyrëse. Rama duket se i shkundi në aktivitetin e fundit socialistët për këtë realitet. Po a mjafton?!
Në fakt, demokracia e sotme e socialistëve nuk ka më ‘armiq’. Berisha e mbante këtë narracion dikur dhe Rama pas tij e thelloi, duke iu referuar qeverisjes së tij, por sot pas 12 vitesh, kjo po e bën thjesht absurd. “Rreziku i vërtetë që kërcënon një demokraci që zyrtarisht s’ka më armiq nuk qëndron te konkurrenca e kundëridealeve: qëndron në reklamimin e një ‘demokracie të vërtetë’, që kapërcen dhe mohon atë që është vërtetë”, shkruan teoricieni i demokracisë, Sartori.
Dhe, sërish mbështetemi tek teoricieni i njohur: Çelësi i gjithçkaje mbetet opinioni publik: një opinion që sot duket se është i fuqishëm por që mbetet gjithnjë shumë i papërkryer dhe i brishtë. Kur varfëria ulet në këtë masë, si është ulur në Shqipëri, drejtësia është e mbetet për të fortët, kurse korrupsioni është normal për të fuqishmit në pushtet dhe shpurat e tyre, e pandëshkueshmëria është atribut që shkon me elitën politike. SPAK-u ndoshta po merret me këtë rebus duke treguar se mund të godasë, por deri më tani ata janë aty. Trekëndëshi i Bermudës, i etiketonte pak javë më parë Basha, kolegët e tij Rama, Meta dhe Berisha, por duke harruar se edhe ai ka kontribut jo të pakët për këtë katrahurë.
Kjo të vjen ndërmend në këto ditë, kur lajmet e përgjimeve dhe implikimeve të policisë, apatisë vrasëse të administratës dhe një ekzekutivi agresiv na përplasen para syve. Dhe, më e keqja akoma: I kemi përballë dhe nuk na bëjnë më përshtypje. Nesër do jetë radha jonë, kuptohet në rolin e viktimave. Si e thoshte në shembullin e vendit të tij, shkrimtari i madh meksikan Serxhio Pitol: “E vërteta nuk janë rrudhat, por grimasat me të cilat përpiqemi t’i fshehim”. (Homo Albanicus)