Një leksion i hapur, mbi koleksionin e dorëshkrimeve bizantine shqiptare, duke thyer hendekun mes informacionit dhe publikut në Hemingway bar Tirana; arkivisti Sokol Çunga në një laptop ka dhënë imazhet e librave mesjetarë, udhëtimin e tyre deri më sot në vendin tonë, duke e mbyllur me dy përfaqësueset unike, thesarin e purpurt, kodikët Beratinus 1 dhe Beratinus 2, që ruhen në Arkivin e Shtetit.
Mungojnë disa marrëdhënie që e bëjnë delikate dhe klasike njëkohësisht historinë mes librit dhe lexuesit. Sidomos kjo bëhet humnerë e frikshme kur këta libra i takojnë historisë së vendit, një lloj trashëgimie që ruhen në arkiva e biblioteka, ku edhe për studiuesit ka “luftë” të ashpër informacioni, dijeje përballë publikut.
Ndaj arkivisti dhe studiuesi Sokol Çunga, siç transmeton MAPO, na jep një përgjigje praktike pse në një bar kafe, me një grusht miqsh, pa selektuar seriozitetin shkencor, propozon një udhëtim nëpër koleksionin e dorëshkrimeve bizantine dhe postbizantine shqiptare. Në të njëjtën kohë është një punë prezantuese çfarë pasurie ruan Arkivi Qendror Shqiptar.