Gazetari Skënder Minxhozi, në një intervistë për “News Line” në ABC News komentoi punën që po bën SPAK për të hetuar kryesisht rastet korruptive të nivelit të lartë. I pyetur nga gazetarja Viol Xhafaj nëse drejtësia e re po godet vetëm majtas, Minxhozi theksoi se SPAK duhet të merret së pari me çështje të mëdha që kanë kushtuar jetë njerëzore dhe kanë mbetur ende pa zgjidhje. Natyrisht pa lënë pas dore korrupsionin si plagë e vjeter e shoqerisë shqiptare.
“SPAK po anon aktualisht vetëm majtas. E vërtetë dhe normale është që do të duhet të anonte kryesisht majtas në hapat e parë të punës, sepse pushteti aktual është i majtë dhe sepse PS ka 10 vjet që drejton vendin. Drejtësia e re do të duhet të anonte jo vetëm për komoditet dhe apriori drejt palës që mban në dorë frenat e pushtetit, por sepse kështu është e drejtë të ndodhë. E thënë kjo, u shpreh Minxhozi, parimisht SPAK do të duhet të ndiqte palën që ka shkelur më thellë dhe më rëndë ligjin, pa parë ngjyrime ideologjike.
Një njeri që akuzohet për vjedhje nuk do ta gjykoja para një njeriu që akuzohet për vrasje, tha Minxhozi. Mendoj se ka ardhur koha që SPAK të vërë dorë jo për ekuivalencë, por për të qenë objektiv, i drejtë dhe i vërtetë, dhe të marrë në shqyrtim ngjarje që presin prej vitesh dhe që kanë kushtuar jetë njerëzore. Ngjarje të rënda që nuk duhen harruar, protagonistët e të cilave janë ende në vitrinën e politikës shqiptare, tha ai.
Nëse jemi në epokën e një drejtësie të re, duhet të gëzojmë frytet e një drejtësie të re dhe jo të konsumojmë të njëjtat akuza dhe pritshmëri prej shumë vitesh ndërkohë që nuk ndodh asgjë, u shpreh gazetari. SPAK është i mirëpritur që të vazhdojë të gjithë luftën që ka nisur kundër fenomenit të korrupsionit të zyrtarëve të lartë duke sjellë prova, duke çuar dosje dhe formuluar akuza konkrete ndaj të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin, të majtë dhe të djathtë. Ka ardhur koha që SPAK të godasë pa parë në sy askënd dhe pa lexuar emrin në pasaportë.”, përfundoi ai./m.j