Sali Berisha ka dalë këtë të hënë në një deklaratë për mediat, teksa ka folur edhe njëherë për çështjen e sekuestrimit të inceneratorit të Tiranës.
Sipas Berishës, Arben Ahmetaj e ka refuzuar gjashtë herë kërkesën për ndërtimin e këtij inceneratori.
“Vapa e gushtit ra, por flakët e djegësit të Tiranës që nuk ekziston bëhen gjithnjë e më përcëlluese. Të dhëna autentike, zyrtare, origjinale faktojnë se Erion Veliaj është autori më kryesor së bashku me Edi Ramën i vjedhjes së shekullit me inceneratorin e Tiranës.
Këto të dhëna të cilat disponohet plotësisht edhe nga Prokuroria Speciale dëshmojnë se, jo një, por gjashtë herë Ministria e Financave fillimisht Shkëlqim Cani dhe më vonë Arben Ahmetaj kanë refuzuar kërkesën e përsëritur prej gjashtë herësh të ndërtimit të djegësit të Tiranës, si një kërkesë krejtësisht e papërballueshme nga pikëpamja financiare, gjë të cilën e konfirmon me përgjegjësi të plotë para një viti edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Janë të gjitha datat: 28 shtator 2016, 27 nëntor, 7 dhjetor i po të njëjtit vit, 27 dhjetor të 2016 në të cilat Ministria e Financave ka shprehur disaprovimin e saj të plotë për djegësin e Tiranës. Përveç këtyre, data 1 shkurt, 21 shkurt, pra janë edhe këto data të kërkesave dhe të refuzimit të Ministrisë së Financave për projektin e vjedhjes së shekullit që është Inceneratori i Tiranës.
Në ndryshimin e qëndrimit, të cilin unë nuk e mbroj, nuk pranoj se ndryshimi i qëndrimit të Ministrisë së Financave duhet të ndodhte, por në ndryshimin e qëndrimit, rol vendimtar ka patur falsifikimi dhe mashtrimi i Erion Velliajt, se bashkia do të përballonte shpenzimin për fondin prej 91 milionë eurosh.”
Sali Berisha