Nga Dritan Hila
Kur u krijua SPAK, u përfol për rregulla të forta deri te kontrolli me kë do pinin kafe dhe me kë do flisnin në telefon. Jo pak nga këto rregulla morën në qafë shumë prokurorë dhe gjykatës gjatë vettingut, vetëm për një telefonatë apo takim në këmbë me njerëz që as i kishin nën hetim/gjykim, dhe në raste ekstreme që aktivitetin e jashtëligjshëm e kishin filluar vite pas ngjarjeve.
Sot ka një inflacion të dosjeve të SPAK, përgjime, biseda, procesverbale, që kanë marrë dhenë.
Ajo që më bëri përshtypje janë përgjimet e fundit ku del i implikuar një drejtues policie me emrin Oltion. Por ajo që është e shëmtuar dhe duket qartas që është një hakmarrje meskine e prokurorit që ka nxjerrë materialin apo e gazetarit që e ka botuar, citimi i emrit të Rebani Jaupit. Mbase z. Jaupaj është i implikkuar, por derisa ka dalë deri tani nga përgjimet atij vetëm është përmendur emri mes Oltionit dhe Gjokës.
Nëse e lexon me kujdes askund nuk del që ka marrë para apo ka qenë i përfshirë në rrjet. Përkundrazi, del një punonjës i rregullt shteti që nuk ka hyrë në pazare dhe as ka dekonspiruar operacione. Mirëpo titujt spekulativë bëjnë që një lexues i pavëmendshëm të krijojë ndjesinë se kemi të bëjmë me një punonjës shteti të korruptuar.
Sikurse shkatërrohet jeta e një njeriu që jetën e tij ia ka kushtuar profesionit dhe që nuk është aspak i mësuar të merret me bullizmin e rrjetit. Sidomos në kushtet kur publiku merr për ar safi çdo publikim të SPAK, nuk është çudi që t’i shkatërrojnë edhe karrierën.
Kështu që e mira do të jetë që SPAK në vend se të furnizojë me scoope shtypin, të vazhdojë punën. Fundja rezultati është sa para ka sekuestruar, sa të korruptuar dhe banditë ka çuar pas hekurave dhe jo sa ka mbajtur shtypin me lajme./dritare.net