Nga Carlo Bollino
Pas editorialit të dy ditëve më parë, përmes të cilit denoncova turpin e një shëndetësie private që merr dhuratë nga Shteti një terapi jetëshpëtuese siç është trombectomia, duke detyruar pacientët me këtë diagnozë të gjejnë brenda 6 orëve 20.000 euro për të derdhur në Spitalin Amerikan, (i vetmi në gjendje ta aplikojë, ndryshe pacienti vdes), më erdhën shumë komente publike, por edhe private.
Bashkë me reagimet, mësova edhe disa lajme shtesë, edhe pse në formë anonime, pasi të gjithë kanë frikë të flasin për këtë temë. Heshtin mjekët e përfshirë, sepse e dinë që janë në faj. Heshtin politikanët e përfshirë, sepse e dinë që nuk kanë të drejtë. Heshtin mjekët e ndershëm, sepse nuk besojnë se diçka mund të ndryshojë. Heshtin deri edhe të afërmit e viktimave të cilët, si gjithë të tjerët, i druhen kushedi se ç’raprezalje, sikur humbja e një familjari për faj të një shëndetësie të sëmurë nuk është një dënim dhe një dhimbje e mjaftueshme. Ka nga ata që edhe falanderojnë spitalet private se pranuan shumën e kërkuar dhe mjekët e politikanët që i detyruan ta paguajnë atë shumë, sikur e gjitha të ishte normale. Sikur shëndeti publik duhet të funksionojë vetëm kështu, patjetër. Problemi është se pikërisht kjo heshtje dhe ky servilizëm, në fund të fundit, lejojnë që sistemi të mos ndryshojë.
Për fat të mirë, i mbrojtur nga anonimati, ndonjë flet. Dhe në këtë mënyrë zbulova se gjëndja është edhe më e rëndë nga sa shkruajta. Në të vërtetë QSUT i disponon prej vitesh ato aparate të domosdoshme për të kryer trombectominë, por nuk i përdor. Kjo, pasi disa janë prishur në pritje të mirëmbajtjes, ndërsa të tjerave u mungon një aksesor i domosdoshëm që quhet “kateter”. Kateteri është një lloj tubi që futet në damar, arrin në tru dhe liron trombin që ndryshe e çon në vdekje pacientin. Çështja është se askush nuk bën një tender as për të blerë katetera dhe as për të kryer mirëmbajtjen. Me aparatet e prishura ose pa katetera, mjekët e QSUT-së nuk janë në gjendje të kryejnë trombectominë, dhe pacientët, të cilëve iu diagnostikohet pikërisht në QSUT tromboza cerebrale akute, duhet të nisin numërimin e 6 orëve për të gjetur brenda atij afati kohor 20 mijë eurot për t’ja paguar Spitalit Amerikan, që për vete ka bërë edhe mirëmbajtjen e aparaturave, edhe blerjen e kateterave. Pranë këtij të fundit punon pjesa më e madhe e mjekëve të formuar në QSUT, por të lenë pa aparatura. Ja pra, skandali është i gjithi këtu.
I kujt është faji? I mjekëve të neurokirurgjisë të QSUT-së që duhet t’i kërkojnë drejtorisë së QSUT-së dhe ministrisë organizimin e tenderave? Dhe nëse nuk e kërkojnë, përse nuk e kërkojnë? Është faji i drejtorisë së QSUT-së që nuk kontrollon funksionimin dhe përdorimin e aparaturave të veta? Është faji i ministrisë që nuk informohet? Apo që bën sikur nuk sheh? Në fund të fundit, kush fiton nga kjo seri neglizhencash është spitali privat dhe kush paguan pasojat, janë qytetarët. Skandali për këtë qe po ndodh është aq i rëndë sa ndoshta edhe SPAK do të ishte mirë të hidhte sytë.
Shëndetësia në Shqipëri është e kushtëzuar nga konflikti gjigand i interesave mes publikes dhe privatit, ku strukturat private favorizohen gjithmonë në dëm të strukturave publike. Rasti i trombectomisë, një terapi jetëshpëtuese deleguar në formë ekskluzive Spitalit Amerikan, u bë një çështje kombëtare pasi familjarët e aktorit të njohur Genc Fuga i prekur nga tromboza, bënë një apel publik për të gjetur në 6 orë 20.000 euro të domosdoshme për shtrimin në spitalin privat, pasi QSUT nuk mund të bënte asgjë.
Një skandal ndaj të cilit Shteti duhet të reagojë menjëherë dhe ta korrigjojë, ose duke futur trombectominë në terapitë e rimbursueshme (po pse në Europë kjo terapi kushton nga 10 mijë në 11 mijë euro, ndërsa në Shqipëri 20.000 euro?!) ose duke i dhënë QSUT-së pajisjet e nevojshme për te rifiluar ta bëjnë këtë shërbim falas për të gjithë pacientët.
Do të ishte mirë që të paktën Ministria e Shëndetësisë të mos vazhdojë të heshtë si gjithë të tjerët, duke e lënë gjendjen kështu siç është në pritje që personazhi tjetër i njohur të bëjë zhurmë përsëri. Pasi, ndërkohë dihet, hallet e përditëshme të njerëzve të thjeshtë nëpër spitale, nuk bëjnë asnjëherë zhurmë.