Legjenda braziliane e Real Madridit, Marcelo është bërë protagonist për keq në sfidën e vlefshme për kupën Libertadores, teksa Fluminense luajti përballë Argentinos Juniors.
Mbrojtësi i majtë ishte duke realizuar një triblim që do të kishte qenë fantastik për manual futbolli, por që përfundoi duke i thyer këmbën kundërshtarit.
Në minutën e ’57 të ndeshjes, Marcelo shkeli me takë këmbën e 29-vjeçarit Luciano Sanchez dhe e kuptoi menjëherë që ndërhyrja ishte fatale, duke bërë shenjë që të ndalet loja.
Pasi pa këmbën e kundërshtarit në gjendje të mjerueshme, Marcelo nuk i mbajti dot lotët duke shpërthyer në të qara.
Ai u rrethua nga lojtarë të shqetësuar të të dyja skuadrave, ndërsa arbitri nxori kartonin e kuq duke e larguar nga fusha yllin brazilian.
Sfida u mbyll me rezultatin 1-1. Mediat lokale pas përfundimit të sfidës, duke iu referuar mjekëve në spitalin Sanatorio Finochietto vlerësuan kohën e rikuperimit të Sanchez midis tetë dhe 12 muajsh.
Ndërkohë, Marcelo shkroi në rrjetet sociale: “Kam jetuar një moment shumë të vështirë në fushë sot. Pa asnjë qëllim kam lënduar një koleg futbollist. Dua të të uroj shërimin më të mirë të mundshëm, Luciano Sanchez”.
Klubi argjentinas i Sanchez u përgjigj po me një postim në rrjetet sociale: “Ne jemi rivalë, jo armiq”.
/a.r