Nga Besnik Gjongecaj
Gjithmonë e më shumë po bëhet e qartë se ka një dyshim të përgjithshëm dhe sigurisht, jo vetëm qeveritar, nëse duhet apo jo të zhvillohen zgjedhje në universitetet publike të vendit. Si gjithmonë, krejt ky dyshim dhe hezitimi që e shoqëron atë, vjen e profilizohet ekzaktësisht atje ku ndodhet kufiri që ndan standardin evropian me Shqipërinë, me sistemin universitar të saj. A janë plotësuar standardet më të përgjithshme nga universitetet publike shqiptare që më pas të mendohet se edhe zgjedhjet universitare bëhen pjesë e natyrshme e të tërës, e modelit evropian të një universiteti? Pra, a janë zgjedhjet universitare një pjesë e natyrshme apo një trup i huaj në modelin e një universiteti shqiptar? Dhe më pas vjen edhe bash-pyetja: a i bën më shumë keq se mirë aplikimi apriori i zgjedhjeve, si një element esencial i standardit evropian, një universiteti shqiptar larg këtij standardi? Këto dyshime mund t’i fshish, pra mund t’i japësh përgjigje edhe pyetjeve të shtruara, vetëm kur kthjellohet kufiri midis standardit universitar evropian dhe standardit të një universiteti publik shqiptar.
Standardi evropian
Ndërsa tradita evropiane e demokracisë akademike është aktualisht e përfshirë në një diskutim të gjerë mbi atë se si mund të organizohet universiteti për të maksimizuar efektivitetin e qeverisjes universitare apo të manaxhimit universitar, parimet e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit nuk kanë qenë dhe nuk janë vënë në dyshim asnjëherë. E gjitha kjo buron nga një rol dhe një status special, të veçantë, që vetë universiteti ka në shoqëri. Në një shoqëri demokratike universiteti është vendi ku ka lindur dhe ku rafinerohet, përsoset përditë liria e shprehjes, liria e mendimit dhe e ndërgjegjes. Nga ana tjetër, universiteti është edhe vendi më vital ku formohen qytetarët e arsimuar dhe qytetaria në përgjithsi. Janë këto arsyet më thelbësore, por edhe të tjera me natyrë historike, pse një universitet i një shoqërie demokratike duhet të udhëhiqet nga parime të njëjta të pjesëmarrjes dhe përfaqësimit. Vetëm në këtë mënyrë universitarët mund të shpresojnë që qeverisësit e universitetit të tyre nuk janë vetëm një produkt individual apo i përbashkët i zgjedhjes që kanë bërë vetë universitarët, por ata, qeverisësit, bartin njëkohësisht edhe personalitetin, shqetësimet dhe aspiratat e sejcilit universitar, pa përjashtim. Kjo mënyrë e të perceptuarit të së përbashkëtës dhe individuales është, në fakt, edhe thelbi i asaj që legjitimon qeverisjen, si në nivel shtetëror, ashtu edhe në nivel institucional. Prandaj, për të siguruar përmbajtjen e këtij perceptimi, për ta sendërtuar atë, në modelin evropian të përfaqësimit dhe pjesëmarrjes të gjitha postet akademike vendimmarrëse janë poste me zgjedhje, ashtu sikundër, të gjithë universitarët, pra të gjithë pjesëtarët e universitetit, pra jo vetëm stafi akademik dhe studentët por edhe stafi jo akademik, kanë të drejtën e votës. Sigurisht, sipas modaliteteve të ndryshme që pasqyrohen në statutin dhe në rregulloret e një universiteti.
Standardi shqiptar
Në ambjentin universitar shqiptar demokracia akademike është dëmtuar rëndshëm. Ajo është përçudnuar, shpërfytyruar aq shumë sa që është e pamundur, kur shkon në thelbin e saj, ta quash përsëri demokraci akademike. E gjitha kjo ka ndodhur se ajo është zbrazur nga thelbi i saj, qëllimi, vlerat. Në këtë mënyrë, prandaj, ka humbur edhe qëllimin e zgjedhjeve universitare. Vetëm nëse do të krahasonim për një moment standardin e demokracisë akademike evropiane me atë të një universiteti shqiptar do të kuptonim se sa shumë është zhytur te e keqja sistemi ynë universitar. Le të shohim se si transformohet në realitetin tonë perceptimi evropian se “…qeverisësit bartin njëkohësisht edhe personalitetin, shqetësimet dhe aspiratat e sejcilit universitar…”.
Nëse flasim për personalitetin, jo vetëm të profesorit (pedagogut) por edhe të studentit, atëhere mund të thuhet pa hezitim se profesori dhe studenti i tij janë shndërruar, prej kohësh, në qënie me guackë. Kanë vrarë në fillim komunikimin e hapur, dhe pastaj, pasi e kanë varrosur antikonformizmin atje thellë në varrezat e ndërgjegjes së tyre, e kanë zëvendësuar, për të qenë të sigurtë se nuk do të mund ta zhvarrosin kurrë më, me autocensurën, duke u shndërruar kështu në “yesmen-ë” të neveritshëm. Ky është personaliteti më i pëlqyeshëm që qeverisësit e universiteteve shqiptare do të duan të reflektohet nga votuesit e tyre. Këta nuk janë të gjithë universitarët, sigurisht. Profesori dhe studenti tjetër është ai që nuk pranon ta varrosë personalitetin, antikonformizmin, që nuk pranon të veshë guackën. Por, në rastin më të mirë ai izolohet. I priten të gjitha fijet e komunikimit me autoritetet, strukturat universitare; për të nuk ka më ftesa konferencash, projektesh, udhëtimesh; madje edhe ata atje jashtë universitetit e zhbëjnë sikur nuk është sa herë ulen katundarisht, buzëvarur se do të duhet të shpenzojnë kohën e tyre të çmuar, rreth një tryezë për atë gjënë që e quajnë universitet. Ky profesor apo ky student, pra ky i vërteti, fillon dhe “zerohet” gradualisht, ndërsa “peshqit” që s’e kanë patur kurrë personalitetin e tij, hapin e mbyllin gojën nga gëzimi prej peshku se nuk janë vetëm ata që nuk flasin e nuk dëgjohen në këtë botë, por ka edhe të tjerë, madje edhe nga ata që dinë. Në të gjitha rastet, gjithsesi, një gjë mbetet thellësisht e vërtetë: profesori dhe studenti shqiptar nuk është aty për të krijuar një qeverisje evropiane të universitetit shqiptar.
Çfarë shqetësimi, të kaluar te ai përmes votuesit të tij, bart sot një autoritet universitar? E sigurtë është një gjë: asnjë shqetësim që lidhet me zhvillimin, prosperitetin e vetë universitetit. Ka kohë që fati i individit nuk është i lidhur me fatin e universitetit. Kjo lidhje ose nuk ka ekzistuar kurrë ose, edhe nëse ka ekzistuar për një kohë të caktuar, në një universitet të caktuar, ka kohë që është bërë copë e çikë. Prej saj nuk ka mbetur më asgjë. Lidhja universitet-individ nuk ekziston sepse fati i universitetit nuk përcaktohet nga universitari, nga puna, niveli dhe profesionalizmi i tij. Fati i universitetit shqiptar përcaktohet nga politika e kombinuar me “pronarët” e zgjedhur të universitetit, thjesht. Universitetet mbijetojnë pavarësisht performancës së tyre në vendin që quhet Shqipëri. Atëhere shqetësimet e universitarëve nuk janë dhe nuk mund të jenë universitare. Ato janë shqetësime të tjera: Si të punësoj fëmijët dhe të bëhem vetë i shtatë në universitet, si të marr një diplomë të pamerituar, si të futem në një projekt ku vidhen para, si të falsifikoj një artikull shkencor, si të marr një titull akademik të pamerituar, si të vjedh një tender, si të grabis një kafene…ja me çfarë shqetësimesh ngarkohet dhe përfaqëson një autoritet akademik prej votuesve të tij! Gjë që vetëm universitare nuk është; dhe në mënyrë të qartë nuk mund të jetë evropiane.
Sipas standardit evropian, autoriteti akademik i zgjedhur duhet të përfaqësojë edhe aspiratat e çdo universitari. Vërtet, çfarë aspiratash mund të ketë një universitar, i cili, objektivisht, fatin e tij nuk e ka të lidhur me zhvillimin e universitetit të tij? Në pjesën më të madhe, por në asnjë mënyrë të gjithë, universitari ynë është një njeri i zbrazët, i zhytur në një pragmatizëm të rëndomtë, provincial. Në aspiratat e tij nuk hyn një zë origjinal në një konferencë shkencore, një korigjim i vogël teorik diku por që do të bëjë që emri i tij të mbesë në historinë e shkencës, një kundërshtim publik brilant të një teorie apo eksperimenti të gabuar, një leksion i shkëlqyer në një ambjent akademik të shquar, një tekst universitar origjinal që rezaton kulturë por edhe lidhje të ngushtë të teorisë me praktikën eksperimentale, një kundërshtim publik i një programi të gabuar qeverisës, një debat i paepur televiziv, një mirënjohje studentësh për sakrificat e tij në arsimimin e tyre. Aspirata e tij është si të vendosë emrin në një artikull që flet për një kërkim shkencor që ai s’e ka bërë kurrë, si të falsifikojë zbatimin e kritereve për të marrë një titull apo një gradë shkencore, si të marrë para për punë që nuk i ka bërë, si të vishet e stoliset me tituj e grada shkencore që nuk i ka merituar, si të përfshihet në projekte ku fliten gjuhë që nuk i ka folur kurrë, si të shndërrohet në bimë dhe si ta shndërrojë universitetin në serën që do ta ngrohë e bëj të mundur vegjetimin e tij. Gjë që, përsëri, vetëm universitare nuk është!
* * *
Standardi i zgjedhjeve universitare në Shqipëri është në një distancë të pamatshme, astronomike, larg me standardin e zgjedhjeve universitare evropiane. Edhe në Shqipëri mund të bëhen zgjedhje universitare, sigurisht, por përmbajtja e përfaqësimit dhe pjesmarrjes është e një cilësie krejt tjetër në krahasim me ato të standardit evropian. Në pamje të parë, gjithsesi, ky edhe mund të mos quhet problem, sepse mjaft të zhvillohen zgjedhjet universitare dhe kaq. Fatkeqësisht, kjo nuk është e vërtetë. Zgjedhjet universitare, në dallim nga zgjedhjet politike, nuk janë thjesht çështje teknike, çështje përqindjesh, numrim i saktë votash, etj. Ato janë shumë më tepër. Zgjedhjet akademike, në dallim nga zgjedhjet politike nuk mund t’i sjellin zhvillim universitetit dhe universitarëve nëse përmbajtja e tyre, pra kriteret apo kushtet e përcaktimit të autoriteteve dhe strukturave universitare, nuk përputhen me një standard të pranuar parprakisht. Shkëputja e fatit të universitarit nga fati i universitetit në sistemin tonë universitar i ka deformuar zgjedhjet në thelbin e tyre. Sado korrekte që të zhvillohen ato, ka një probabilitet të lartë që në krye të çdo universiteti shqiptar, për shkak të “personalitetit, shqetësimeve dhe aspiratave” jo universitare të universitarëve tanë, pra për shkak të shmangjes nga përmbajtja e standardit, do të dalin të paaftët, të korruptuarit, ata që njohin mirë mekanizmin e plotësimit të paligjshëm të interesave të paligjëshme të një pjese të madhe universitarësh. Ka kohë që universitetet e këtij vendi e kanë pranuar paaftësinë dhe korrupsionin e të gjitha përmasave si motor të “zhvillimit” të tyre. Kjo i ka deformuar aq shumë universitetet tona sa zgjedhjet vetëm se do ta thellojnë, madje do ta bëjnë akoma më të dukshëm këtë deformim. Sepse, për shkak të rrënimit që s’po ndalet, zgjedhjet universitare nuk janë më zgjidhja, por vetë problemi i universiteteve shqiptare.
* * *
Prandaj, siç ndodh pothuajse gjithmonë, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një problem që shfaqet shumë më i ndërlikuar në Shqipëri, vend relativisht i prapambetur, se ç’mund të shfaqej në një vend evropian të zhvilluar, megjithëse mjetet për ta zgjidhur atë janë shumë më të pakta te ne. Kështu, nëse mekanikisht plotësohet standardi, pra nëse bëhen zgjedhje, pritet që te universitetet e sotme të kalcifikohet edhe më shumë deformimi i tyre dhe ato të bëhen gjithmonë e më shumë jo universitare, të korruptuara; në të kundërtën, pra në mungesë të zgjedhjeve, çka do të thotë plotësim i vendeve të autoriteteve universitare nga përfaqësues të qeverisë, do të cënohej standardi i demokracisë akademike. Po të merren veç e veç, sejcila është e papranueshme. Të dyja bashkë, ndoshta, mund të fitojnë legjitimitet. Prandaj duhet të konsiderohet një tranzicion hibrid, në të cilin, fillimisht, universiteti e ndan me qeverinë të drejtën e përfaqësimit dhe pjesmarrjes. Në këtë rast, legjitimiteti i këtij standardi të ri mbështetet te vullneti politik i qeverisë për të plotësuar premtimin publik në përpjekjen për t’i kthyer universitetet publike të vendit në standardet evropiane. Në radhë të parë duhet hequr dorë nga autoriteti i rektorit, i cili, ka dështuar turpshëm në universitetet shqiptare. Duke ditur natyrën ndërhyrëse të qeverive shqiptare te universitetet, gjë që është vënë re rëndshëm edhe te qeveria ekzistuese, veçanërisht te ligji mbi arsimin e lartë, përfaqësuesit e qeverisë në universitete do të duhet të seleksionohen nga brenda universiteteve dhe jo jasht tyre. Ndërsa universiteti nuk i seleksionon, por i zgjedh përfaqësuesit e tij. Ky do të ishte fillimi: konstituimi i përbashkët, qeveri-universitet, i një organi kolegjial, i cili do të zëvendësojë rektorin, senatin dhe këshillin administrativ. Ky organ do të drejtojë universitetin jo vetëm në pikpamjen administrative, ashtu siç parashikohet në Ligj-in ekzistues, por edhe në pikpamjen akademike, ose në të gjitha pikpamjet. Më vonë, me zhvillimin gradual demokratik të vetë universitetit, me bërjen e tij gjithmonë e më shumë universitet, ndodh edhe kalimi i plotë te universiteti i të drejtës së përfaqësimit dhe pjesmarrjes.