Ish-kryeministri, Sali Berisha, kërkoi që pasuesi i tij në drejtimin e ekzekutivit të japë dorëheqjen për shkak se ish-zëvendësi i tij, Arben Ahmetaj, është tashmë në arrati.
“Ai zotëria që nxin aty me mungesën e tij duhet të vijë në parlament. Sot mbyllet parlamenti, mbyllet me faqe të zezë për shkak të tij, prandaj të vijë këtu e të dalë para shqiptarëve, sepse ka një mocion dhe një interpelancë për arratisjen nga vendi të numri 2 të qeverisë, akt i pashembullt në historinë e shtetit shqiptar në momentin që u kërkua nga drejtësia. Kurse ju, ngriheni kundër Kushtetutës, doni të rrëzoni të drejtën me vota këtu dhe ai nuk paraqitet në Kuvend. Kush do të flasë për zv/kryeministrin? Do të flisni ju, jo ju s’keni tagër, do të flasin ministrat, jo ata nuk kanë tagër. Duhet të vijë kryeministri këtu para shqiptarëve të kërkojë të falur, të denoncojnë arratisjen e zëvendësit të tij dhe të japë dorëheqjen. Të japë dorëheqjen, kjo është rruga dhe këtë presin shqiptarët sot prej tij”, tha Berisha.
Ai vendosi disa postera në foltoren e Kuvendit, ku etiketonte qeverinë si “mafien e plehrave”, apo ku kryeministri Rama dukej i veshur me një kostum me gjethe kanabisi, një ironi për ligjin e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore.
Demokratët kundërshtuan gjithashtu futjen në rend të ditës ndryshimin e ligjit për Akademinë e Shkencave, të cilin një ditë më parë e quajtën “puç parlamentar”.
“Kushtetuta e parlamentit thotë në mënyrë tekstuale, se një ligj nuk mund të hyjë në rend dite pa kaluar 48 orë. Ti kryen një shkelje të rëndë ligjore të barabartë me banditët Rraja që rrihni qytetarët me shkopinj bejsbolli. Si mund ti lejosh vetes ti, një gjë të tillë. Nëse ju doni të bëni këtë gjë, ndryshoni rregulloren e parlamentit me procedurën e saj, dhe pastaj zbatoni marrëveshjen Rama-Doshi, Doshi-Rama dhe Gjinushi. Por ky është i turpshëm, është një akt i turpshëm kjo që bëni. Ky është një provokim i ulët, një shkelmim i ligjeve. Kur kryetarja e parlamentit që duhet të jetë mbrojtëse, zbatuese kryesore e rregullores, apo kushtetutës së parlamentit e shkelmon atë me dy këmbët, për interesat e Skënder Gjinushit, Tom Doshit dhe Edi Ramës, ky është fundi i këtij parlamenti”, tha Berisha.
Në mbledhjen e thirrur nga socialistët të mërkurën munguan deputetët opozitarë, por pavarësisht kësaj, akti nuk gjeti konsensus të plotë brenda sallës, pasi tre socialistë abstenuan, ndërsa nëntë të tjerë ngritën kartonët jeshil.
Nisma ligjore e propozuar nga socialistët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj parashikon ndër të tjera edhe krijimin e mundësisë për Skënder Gjinushin që të mbajë edhe një mandat tjetër në krye të Akademisë, që për opozitën ishte arsyeja e thirrjes së kësaj mbledhjeje jashtë radhe, të cilën e quajtën puç parlamentar.
/f.stafa