Zyra e BE në vendin tonë konfirmon pezullimin e përkohshëm të programit IPARD në Shqiperi, program I cili I vjen në ndihme zhvillimit të sektorit bujqësor.
Përmes një sqarimi dhënë për Vizion Plus pas interesimit tonë, zyra e BE në Tiranë sqaron se për këtë gjë është lajmëruar edhe qeveria shqiptare.
“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II.”
Lidhur me arsyet e pezullimit të këtij program të rëndësishëm për mbështetjen e fermereve dhe zërat që e lidhin këtë vendim me gjetjet e OLAF mbi abuzime të mundshme me këto fonde të BE në vendin tonë, Delegacioni I BE në Tiranë sqaron se:
“Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.”