Nga Frrok Çupi
Njësoj siç u zbulua se Lini i Pogradecit është vendbanimi më i vjetër në Europë (mbi 8 mijë vjet), kështu po i vihet emri ‘shqiptar’ edhe sherrit në Ballkan. Vendbanimin e Linit e zbuluan arkeologë të Zvicrës…, edhe konfliktin shqiptar që i jep emër Ballkanit, po të huajt po e vëzhgojnë.
Të gjithë, miq e armiq, fqinj e më të largët, kanë zënë vend në shkallët e amfiteatrit ku luhet konflikti. A nuk mungi në Tiranë kryeministri shqiptar i Kosovës veç për arsyen se po bëhet gati të hapë konflikt me shqiptarët e Shqipërisë? Të gjithë liderët e tjerë erdhën për Samitin e Berlinit; shqiptari jo te shqiptarët.
Kryetari i qeverisë së Kosovës nuk e priti në shtëpinë e tij kryetarin e qeverisë së Shqipërisë. Kurrë nuk ka ndodhur, as në luftën e Dytë Botërore mes armiqsh të mëdhenj; ditën shkatërronin Stalingradin e natën pinin nga një vodka.
Një ushtri e tërë servilësh rreth qeverisë së Kosovës janë nxitur të sulmojnë qeverinë e Shqipërisë…
Këta të botës së qytetëruar po studiojnë çfarë po ndodh pas 30 vjet kur na u lejua të dalim mes të barabartëve në Europë.
Kryeqytetet dhe kasabatë ku shqiptarët kanë shitur qymyr dhe flori, ku kanë shtënë pushkë e janë martuar…, të gjithë tani e kanë syrin nga ne: Beogradi, Shkupi, Sarajeva, Cetina; që nga Athina, Ankaraja deri në Vishegrad.
Dikur, aty nga fillim- shekulli i kaluar, ishim në hije, eurpianët na dinin ‘black hole’, pa asnjë lëvizje, pa informacion. Tani që jemi, në fakt edhe nuk jemi.
Të tjerët po na vështrojnë deri ku do të shkojë konflikti mes nesh.
Pse po e krijon konfliktin ‘Kosova’ e shqiptarëve kundër shqiptarëve të Shqipërisë?
Nuk ka asnjë arsye ‘të mirë’. Po të kishte arsye të mirë për ata, do të na kërkonin detin si trofe. Por detin e Shqipërisë e kanë edhe kosovarët, madje edhe më shumë se shqiptarët këtu. Ata u pasuruan nën Tito dhe mundën të blejnë thuajse gjithë bregdetin.
Arsye e mirë do të ishte për ta sikur të kërkonin vajza për martesë e kjo do t’u kundërshtohej. Por kjo nuk ndodh. Kosovarët martohen më së shumti mes vedi dhe me serbët.
Arsye e mirë…, sikur të mos kishte ecur biznesi e këta të hynin në konflikt. Por kosovarët nuk bëjnë biznes në Shqipëri, kjo punë është zgjidhur; ata shesin e blejnë në Beograd e Nish.
Atëherë, pse vallë, Albin Kurti i Kosovës e kërkon konfliktin në Shqipëri?.
Vallë e shikon veten si pushtues, ose si ‘Sulltan’ të shekullit 15? Ngjasime ka, por nuk është më koha kur mund të ndodhë pushtimi prej Kurtit. Që nga viti 2018, Kurti u përpoq ta përmbysë shtetin e votuar të Tiranës dhe të vihet vetë në krye. Gjeti vetëm 200 budallenj në Shqipëri që e votuan dhe u spraps si sulltan Murati.
Të thuash edhe se vetë ky Kurti është një njeri me probleme mendore- unë e besoj, por si tua thuash njerëzve të tij. Bill Clinton ia tha se ‘duhet të lësh mënjanë budallallëkun’, por ai nuk desh t’ia dinte. Edhe gazetari i BBC, Stephen Sockur, i tha në sy, por Kurti ia ktheu: ‘nuk jam budalla, por kryeministër’.
Arsyeja pse Kurti i Kosovës kërkon konflikt në Tiranë mund të jetë edhe punë ‘kalamani’; por nuk e besoj. Arkipeshkvi i Prishtinës tha se ‘ky është një adoleshent që nuk i do më prindërit’.
As që Kurti ka një mision vdekjeprurës kundër kombit, nuk kam si ta besoj. Por që ka të njëjtin portret si edhe Irani, i cili thotë ‘je armiku im përderisa je mik i Amerikës!’, kjo më duket afër të vërtetës.
Puna është se era e konfliktit ‘shqiptar- shqiptar’ ka marrë dhènë. Gjithë bota po përjeton situatën e Ballkanit si një konflikt që e ka emrin ‘shqiptar’.
Në fakt, nuk është hera e parë që ndodh.
Vetë Kosova që lindi nga Lufta dhe nga Amerika, sot ka një qeveri në konflikt me Luftën dhe me Amerikën. Që në rrënjë Republikë në konflikt.
Mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë ndodhur ngjarje kontroversale: Sa ngriheshin në revoltë minatorët e veriut të Kosovës, menjëherë ngriheshin minatorët e Valiasit në Tiranë; humbte ajo që ndodhte atje. PD ishte prapa tyre.
Në Rambujenë e Francës ku u hodhën themelet e shtetit të Kosovës, gjysma e shqiptarëve ishin kundër gjysmës. Shteti i ardhshëm ndodhej në teh të thikës. PD prapë aty kundër shtetit të Kosovës.
Thellë në histori kështu ka ndodhur shpesh: Shqiptarë ishin ata që sulmuan Gjergj Kastriotin, madje njerëz të tij. Shqiptarë ishin ata që e vunë në luftë njërin pashallëk kundër pashallëkut tjetër. Shqiptar ishte Fadil Hoxha në Prishtinë e Enver Hoxha në Tiranë, por në armiqësi për vdekje.
Albini i Kosovës tani është edhe ‘Fadil’, edhe ‘Enver’; prandaj nuk i mjafton vetja. I duhet, patjetër, konflikt.