Akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë nga agjencia britanike ”Quality Assurance Agency” do të nisë fillimisht me 6 universitete nga të cilat 4 janë publike dhe 2 private.
Agjencia britanike, pas firmosjes së marrëveshjes me qeverinë shqiptare ka nisur punë në terren për rankimin e këtyre institucioneve, për të parë gjendjen e mësimdhënies dhe kapacitetet e arsimit të lartë, ndërkohë që raporti përfundimtar do të publikohet në qershor të 2017, ku do të shihet edhe niveli në të cilën janë universitetet në Shqipëri.
Agjencia britanike do të nisë fillimisht me universitetin Politeknik të Tiranës, Universiteti Bujqësor i Kamzës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Universiteti jopublik “Marlin Barleti” dhe Universiteti Europian i Tiranës.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në një prononcim për median tha se “do të fillohet me 6 institucione të para të arsimit të lartë, katër publike dhe dy private”. “Nga më përfaqësueset në kuptimin edhe të madhësisë, por edhe të cilësisë, që vjen pas inspektimit që Ministria e Arsimit kreu për të verifikuar cilësinë. Do të ketë një raportim të parë në fund të muajit tetor ose në nëntor dhe pastaj të gjitha institucionet do të futen në procesin e akreditimit dhe në qershorin e vitit 2017 ne do të kemi një situatë të plotë, të qartë dhe transparente, se sa cilësore janë institucionet tona të arsimit të lartë”, tha ajo.
Ne saj të rankimit të universiteteve, studentët do të mund të zgjedhin universitetin më të mirë, por edhe universitetet me performacën më të lartë do të kenë investime nga buxheti i shtetit, pas hyrjes në fuqi të reformës në arsimin e lartë.