Një nga pikat turistike më afër kryeqytetit është Parku Kombëtar i Dajtit. Ai është i frekuentueshëm nga qytetarët e Tiranës dhe turistë të huaj në të katër stinët e vitit.
Për shfrytëzimin turistik të këtij parku janë interesuar edhe vende të huaja si Republika Çeke, Sllovakia, Austria dhe të tjerë në veri të Europës. Për këtë janë paraqitur dhe disa projekte që kanë filluar nga zbatimi. REC Shqipëri ka filluar zbatimin e projektit “Parku Kombëtar i Dajtit, një destinacion turistik i arritshëm dhe tërheqës”, i pari në zbatim të bashkëpunimit trepalësh të ashtuquajtur Austerlitz/Slavkov midis Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë.
Për këtë është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi midis këtyre vendeve në Shqipëri. Hulumtimet për studimin e tendencave të turizmit shqiptar tregojnë për një prirje të vizitorëve për të udhëtuar jashtë qyteteve dhe kryesisht tregojnë orientimin e tyre drejt aktiviteteve në natyrë.
Projekti më i ri synon të ofrojë lehtësira për eksplorim të sigurtë dhe modern të peizazhit. Projekti do të realizohet në kuadër të bashkëpunimit trepalësh të ashtuquajtur Austerlitz/Slavkov- një platformë e re e bashkëpunimit të tre vendeve të themeluar në takimin e kryeministrave të Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë në Slavkov u Brna në fillim të vitit 2015, me qëllim themelimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri do ta zbatojë këtë projekt në partneritet me Shoqatën Dajti Alpino Turistik, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencitë përgjegjëse për Zonat e Mbrojtura dhe Parqet.
Mihallaq Qirjo, Drejtori i REC për Shqipërinë firmosi marrëveshjet dypalëshe ndërmjet REC dhe secilit prej donatorëve të këtij programi. Ndër të tjera, ai tha se “mbështetja e vyer do të synojë të sjellë njerëzit dhe veçanërisht fëmijët, më afër vlerave të natyrës, sportit dhe veprimtarive të shëndetshme. Atraksione të tilla duhet të jenë nxitës të zhvillimit lokal duke promovuar vlerat natyrore dhe biodiversitetin”.
Në kuadër të projektit do të shënohen gati 100 km shtigje në gjithë territorin e Parkut Kombëtar të Dajtit dhe rrethinat e tij, do të shtypen broshura, fletushka dhe harta turistike, do të prodhohen aplikacionet në rrjet dhe për telefonat e lëvizshëm, si dhe do të ofrohen programe edukative për fëmijët dhe të rinjtë./ATA