Sulme që lëshohen jo pa destinacion, por me shënjestër të qartë, urën e Krimesë. Ukraina ka bombarduar pikën strategjike që lidh gadishullin e aneksuar me Rusinë, me synimin e qartë për të ndërprerë furnizimet ushtarake për ushtrinë pushtuese.
Të paktën dy persona, burrë dhe grua, humbën jetën nga ky sulm, ndërsa vajza e tyre minorene mbeti e plagosur. Shërbimet e sigurisë në Ukrainë konfirmuan sulmin në urën Kerç, ndërsa saktësojnë se normat e së drejtës ndërkombëtare, analiza e situatës operative dhe traditat e luftërave e lejojnë ndërprerjen e rrugëve logjistike të armikut. Por ndryshe mendojnë zyrtarët lokalë në Krimenë e aneksuar dhe ata në Kremlin.
Përfaqësuesit e shtetit të Rusisë e konsiderojnë atë që ndodhi një krim kundër njerëzimit, pasi ura përdoret vetëm nga civilët, sipas tyre. Mediat në Kiev raportojnë se sulmi në Urën e Krimesë ishte një operacion special i Forcave Detare të Ushtrisë së Ukrainës dhe Shërbimit të Sigurisë. Objekti është sulmuar me ndihmën e dronëve sipërfaqësor.
“Bilbil, i dashur vëlla, ura ka rënë sërish në gjumë, për herë të dytë”, lexohet në një mesazh të inteligjencës ukrainase. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, akuzoi Ukrainën se e ka kryer sulmin në urën e Krimesë me ndihmë të Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Vendimet merren nga funksionarë dhe ushtarakë të Kievit me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të agjencive të inteligjencës dhe politikanëve amerikanë e britanikë”, thekson zëdhënësja, por duke mos ofruar asnjë provë. Më i ashpër reagimi i numrit dy të këshillit të sigurisë kombëtare të Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili lëshoi një kërcënim ndaj atyre që kryen sulmin.
“Terroristët janë insekte që duhen shkatërruar me metoda çnjerëzore, pasi ata kuptojnë vetëm gjuhën e forcës”, theksoi ish presidenti rus.
/a.r