Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar në rrjetet sociale pas dhunës në Kuvendin e Kosovës. Ai ka akuzuar zv/kryeministrin Besnik Bislimi që sipas kreut të PDK-së sulmoi deputetët. Krasniqi thotë se Bislimi provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore dhe pastaj goditi me shishe deputetin Mërgim Lushtaku.
“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, aktorëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiçit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore. Madje, ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku”, u shpreh Krasniqi.
Po ashtu, ai ka hedhur akuza nga kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca se ka futur policinë, në një kohë kur kjo gjë nuk është lejuar as kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës brenda parlamentit.
“Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejoj atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës. Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”, tha Krasniqi.
Sipas kreut të PDK-së gjithçka bëhet që pushteti të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Milan Radoiçiçin.
“Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiccin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti. Një Qeveri që bashkëpunon me kriminelët serbë, në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të shkoj në shtëpi një orë e më parë”.
Prandaj Krasniqi bën thirrje për zgjedhje të reja që sipas tij do të zgjedhë një qeveri të besueshme dhe që do ta kthejë Kosovën në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik.
/a.r