Mero Baze e konsideron përplasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me aleatët Perëndimorë, si një përpjekje e tij për të zhbërë historinë e Kosovës, duke qenë se ai nuk ka patur një rol në të dhe sipas gazetarit, nuk e duron dot këtë fakt.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Baze deklaroi se Kosova ka shumë gjasa ta humbasë Veriun, ndërsa tha se opozita nuk është e konsoliduar dhe nuk lufton kundër “nacionalizmit” të Kurtit edhe nga frika e humbjes së votave, por kryesisht e bazon aksionin e vet duke “përgjuar” se çfarë bën Albin Kurti.
“Politika e Kosovës, ndryshe nga politika e Shqipërisë, nuk është e parcelizuar mbi të majtën dhe të djathtën historike, siç e kemi ne, që kemi caktuar që e majta janë ata që kanë qenë me Partinë e Punës dhe e djathta ata nuk kanë qenë me Partinë e Punës.
Kosova për fakt të keq e ka më të parcelizuar dhe krahinor. Partitë janë formuar në bazë të krahinave. Grupi i Drenicës ka Partinë Demokratike të Kosovës. Grupi i Dukagjinit ka Haradinajt. Grupi i Malishevës ka Limajn. Grupi i Podujevës, Prishtinës dhe Ferizajt ka LDK-në.
Lindi Vetëvendosja, e vetmja parti me karakter ideologjik, si një parti marksiste radikale, e mbështetur me një lloj nacional komunizmi, një lloj imitimi i Hoxhës, që ishte edhe trim edhe i pavarur… Ata e maskuan këtë me luftën kundër korrupsionit, që në fakt ka qenë shumë i përhapur në Kosovë dhe tërhoqën brezin e ri rreth partisë. Fituan Prishtinën duke qenë në opozitë, që ishte e vetmja gjë politike që po ndodhte në Kosovën e pas viteve të lirisë.
Ajo parti kur erdhi në pushtet u kthye në një rrezik real për Kosovën dhe sot Kosova po përballet me një betejë të ligë të Albin Kurtit, për të zhbërë historinë e Kosovës dhe për të krijuar historinë e tij në funksion të Kosovës. Ai e do Kosovën për të ilustruar historinë e vet dhe jo ti shtohet Kosovës.
Ai është i qartë, po e lodh Perëndimin, sepse e di që Përëndimi është i lodhur. Ai nuk do që të quhet Rugova i Kosovës, Hashim Thaçi, çlirimtar i Kosovës, por duhet që Kosova ose të njohë historinë e tij, sepse e vuan idenë që nuk ka bërë një luftë dhe nuk është protagonist në historinë e Kosovës, nuk e ka pranuar kurrë as çlirimin e Kosovës, as pavarësinë as Eulex-in dhe tani po bën betejë të paprinciptë për ta sanksionuar Kosovën dhe për t’u viktimizuar, për t’i thënë popullit të Kosovës që ne kemi një armik të madh, Perëndimin, që po na merr Veriun.
Veriu i Kosovës është duke ikur, për fat të keq besoj se është duke ikur. Nuk do t’i ikë Serbisë por do t’i ikë nga duart Kosovës duke u bërë një Republikë e forcave ndërkombëtare dhe atje Albin Kurti as si turist nuk do të shkojë më, për shkak se nuk do të firmosë një gjë, që do ta bënte Veriun pjesë të Kosovës, me autonomi të zgjeruar të serbëve, por do që t’ja rrëmbejnë Veriun dhe të thotë që na e rrëmbyen ndërkombëtarët ndaj nuk duhet ti kemi aleatë. Do të ilustrojë idetë e veta duke përdorur Kosovën.
Ajo që ka problem Kosova tani është opozita e cila është si opozita e Shqipërisë. Opozita e Kosovës natë e ditë përgjon Kurtin dhe thotë çfarë mendon ky për ne, sikur të gabojë ai a mund të fitojmë ne. Nuk kanë betejë të tyren. Po përgjojnë Albin Kurtin që bën marrëzira, në vend që t’i dalin përballë. Albin Kurti u ka dalë përballë atyre, ka vajtur në burg përballë tyre. Ata duhet të bëjnë betejë kundër atij nacionalizmi, sepse nuk është nacionalizëm por shkatërrim për Kosovën.
Kosova nuk është si Shqipëria, as si Serbia, Maqedonia dhe Greqia. Kosova mund të jetë vetëm një vend demokratik, sepse ndryshe ajo zhbëhet, nuk e lë Perëndimi një vend që e ka prodhuar vetë, të jetë vend me udhëheqës autoritar që nuk pyet njeri. Kosovën e kanë bërë për të qenë vend demokratike, për vend jo demokratik ishte Millosheviçi, nuk kishte pse e ndante.
Atë që u ka bërë Millosheviçi shqiptarëve, Albin Kurti kërkon t’ua bëjë sebëve të Veriut. Ka caktuar një budalla atje që rri në Komunë dhe ka tre javë pa lërë, është mbyllur ai dhe thotë do të vdes këtu. Nuk është ai Kosova, nuk përfaqëson asgjë, e kanë votuar 37 vetë”, tha Baze.
/a.r