Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka biseduar të martën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për nevojën e uljes së tensioneve në veri.
Ajo i shtohet numrit të zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë që, përmes bisedave të tilla, po bëjnë përpjekje për të siguruar stabilizim të situatës.
Përmes një postimi në Twitter, ajo ka përmendur edhe nevojën e rikthimit të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizim të marrëdhënieve.
Ajo ka thënë se do të bisedojë më vonë gjatë ditës edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.
Çështja e tensioneve në Kosovë do të jetë temë diskutimi edhe në takimet e shefave të shteteve të BE-së, të enjten dhe të premten në Bruksel./R.E.L