Aty nga fillimi i vitit 1966, studiuesi i ri i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Rexhep Qosja, mori një apartament modest në periferi të qytetit, ku u vendos me bashkëshorten, Shpresën, dhe me vajzën, Violën, atëherë foshnjë. Ndërsa Shpresa kujdesej të vinte në vend gjërat e kuzhinës, bashkëshorti jo fort i rrahur me punët e shtëpisë, po rrekej të ngrinte “mbretërinë” e tij në dhomën e vetme, atë të gjumit. Vendosi një mbajtëse të vogël librash e një tavolinë pune mu ngjitur me dollapin e rrobave. “Mbi tavolinë”, tregon Rexhep Qosja, “u kurdis makina e shkrimit Olimpia, që e ka krismën e madhe”. Shpresa e konstatoi ndryshimin, kur ky ishte bërë fakt i kryer. “Kjo, tani, nuk quhet më dhomë e fjetjes”, tha e dorëzuar. “E si do ta quaje?-pyeti Rexhepi, tashmë i kënaqur me veprën e tij. “Dhoma e punës ose, edhe më saktë, dhoma e Olimpisë”, ja pat me humorin e saj të hollë Shpresa.
Me këtë episod zbavitës, që guxojmë ta quajmë një perlë e asaj që i madhi Marc Bloch e quante “histori njerëzore” (histoire humaine), hapet faqja e parë e vëllimit të parë e serisë 9-vëllimshme e ditarit “Dëshmitar në kohë historike, 1966-2008” e Akademikut Rexhep Qosja. Në fakt, siç edhe ku episod hyrës e paralajmëron, nuk bëhet fjalë për një ditar, në kuptimin klasik të fjalës. Ditaret, siç edhe fjala e thotë, ndërtohen rreth figurës së autorit e përditshmërisë së tij. E kështu priren të përfundojnë në monumente kotësie (vaniteti). Diçka e ngjashme me fotot e shkrepura lehtësisht me celular nga vajza të ngeshme, që fiksojnë e shpërndajnë nëpër botë 24 orët e ditës së tyre, të kaluara kot. Kësaj prirjeje nuk iu shmang dot as Winston Churchill, autor i dy botimeve mbi Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Dy botime të shkruara plot stil e kulturë, që lexuesi i zakonshëm i përpin me kënaqësi, por që historiani i lexon duke rrudhur buzët gjithë dyshim. Nuk është ky rasti i ditareve të Prof. Qoses. Ky ka zgjedhur t’u rrëfejë bashkëkohësve e sidomos brezave të ardhshëm ngjarjet dhe personazhet e një kohe historike, siç qe për Kosovën dhe, pandarë, për Shqipërinë, ajo e viteve 1966-2008. Autori nuk është as “Protagonisti”, as “Personazhi”. Është padyshim një ndër protagonistët, është padyshim një ndër personazhet, por mbi të gjitha është Dëshmitari i asaj kohe. Vërtet, Prof. Qosja ka një formim poliedrik si krijues, shkrimtar, kritik letrar, historian i letërsisë, dramaturg, publicist e studiues i kulturës. Por, në rastin e ditarit nuk flet shkrimtari, flet historiani. Flet historiani, pa figuracion e stilistikë të sofistikuar, por me gjuhë të qartë e me akribi të ftohtë shkencore. Në një kohë kur tregu është mbushur me libra të porositur, që ngrenë në qiell bëma e trimëri të sajuara familjesh, fisesh e heronjsh të paqenë, Prof. Qosja na njeh me skenat më dramatike të historisë së re të Kosovës, të jetuara në vetë të parë: zhvillimet e post-Plenumit të Brioneve (1966), lëvizja e parë masive e rinisë dhe e popullit të Kosovës për emancipim kombëtar (1968), ngritja e institucioneve të arsimit të lartë e të kërkimit shkencor, e Universitetit të Prishtinës, e Institutit të Historisë, e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe e Institutit Albanologjik, vatra e zjarrtë e lëvizjes kombëtare (1967), shkëmbimet e para me Shqipërinë mëmë në fushën e arsimit, shkencës, artit, radio-televizionit e sporteve, Kongresi Kombëtar për Gjuhën Letrare (1972), demonstratat e fuqishme të rinisë studentore e të qytetarëve të Prishtinës e të qyteteve të tjera nën parullën “Kosova-Republikë”, reagimi i egër i organeve partiake e shtetërore serbe ndaj intelektualëve me të ashtuquajturin “proces diferencimi” (1981-1989), përgjumja e nervit të rezistencës nëpërmjet qasjes papisto-gandiste të propaganduar nga forca politike të lindura pas vitit 1990, shpërthimi i revoltës popullore dhe orientimi i saj drejt qëndresës së armatosur (UÇK), epopeja e Prekazit të Jasharëve (1998), ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe Konferenca e Rambujesë (shkurt-mars 1999), ndërhyrja e NATO-s e çlirimi i Kosovës (qershor 1999). Në të gjitha këto ngjarje, që përbëjnë gurë kilometrikë në historinë e re të Kosovës e të mbarë kombit shqiptar, Prof. Rexhep Qosja, Drejtor i lavdishëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ka qenë pjesëmarrës, ka qenë protagonist, ka qenë një pikë e fortë dhe e besueshme referenciale për studentët, për kolegët, për luftëtarët e lirisë dhe për diplomacinë ndërkombëtare. Prof. Qosja u përfshi në të gjitha ato ngjarje, jo si ai “profeti”, që shkëlqente me misterin e heshtjes së tij. Por si një qytetar, si një tribun i përgjegjshëm, që lufton e që gjëmon me fjalën e me shembullin e vet.
Ndodh rëndom, që autorë të ditareve, të jetëshkrimeve apo të kujtimeve nga e kaluara, t’i prezantohen lexuesit duke rreshtuar atribute e virtyte të tyre, që garantojnë vërtetësinë e ngjarjeve dhe objektivitetin e gjykimeve të atyre vetë. Dëshmitari i historisë, Rexhep Qosja, është një dëshmitar atipik. Ai e paralajmëron lexuesin për limitet dhe të metat e tij të natyrës intelektuale e karakteriale: “Lexoj shumë që të zvogëloj masën e madhe të mosdijes sime”, kujton ai netët pa gjumë të rinisë, kur përpinte biblioteka të tëra me një dashuri e uri të pashuar për dije. “Nxitohem, ah ky nxitim i mallkuar…Jam sedërlli (sedërtar), dhe sedra më bën të jem i rëndë në sjellje… Nuk kam talent poetik…Sot heshta kur nuk duhet të heshtja…Dje nuk fola mirë”. E plot “nuk-e” të tjerë. Njeriu që është dëshmuar botërisht si denoncues i papajtueshëm e sypatrembur i regjimit serb të pushtimit e të represionit, nuk ia fsheh lexuesit edhe ndonjë episod, që në gjykimin e ndonjërit do e cenonte perceptimin e përgjithshëm të figurës së tij, si luftëtar i paepur i çështjes shqiptare. Ngjarjet e mars-prillit 1981, shpërthimi i demonstratave masive të studentëve të Prishtinës e të qyteteve të tjera të Kosovës, Prof. Qosja i përjetoi me gëzimin e krenarinë e një profesori, që i sheh studentët, studentët e tij, të thyejnë frikën dhe heshtjen e të dalin në vijën e parë të luftës për emancipimin kombëtar të popullit të vet. “Dua të shkoj te mensa për t’i parë”, shkruan ai, dhe shton: “Por më mungon guximi”. Lexuesi mund të jetë kundërshtar i papajtueshëm i Prof. Qoses, por vështirë se do ta përdorte këtë pohim të sinqertë të tij për ta akuzuar si frikacak. S’do ta besonte kush. Në fund të fundit, vetë autori i “Ditarit” e konsideron frikën një gjendje momentale të njeriut. Por ajo s’duhet të kthehet në një ndjenjë mbizotëruese. Ai vetë ia ka dalë ta luftojë atë, duke i përsëritur vetes sentencën e Kantit: “Sa më i parëndësishëm një njeri, aq më shumë i trembet vdekjes”. Dhe nisur nga karakteri, nga pozicioni e roli i tij publik, Prof. Qosja i doli shpesh herë vdekjes përballë. Por, e ruajtën miqtë, e ruajtën shokët dhe e ruajtën edhe kolegë me të cilët ndahej në shumë gjëra. Ai nuk harron të tregojë, se si studiuesit e shquar, gjuhëtari Rexhep Ismajli dhe shkrimtari e publicisti Mehmet Kraja me të cilët Qosja nuk pajtohej në shumëçka, rendën ta vinin në dijeni për goditje që përgatiteshin kundër tij nga organet partiake e pushtetare të Serbisë. Edhe kjo një histori njerëzore e atyre kohëve të vështira, kur siç thotë Prof. Qosja, “pihej shumë duhan e konsumohej shumë raki”, dhe kur përtej bindjeve e ideve të ndryshme, intelektualë të atij kalibri bashkoheshin pashmangërisht në llogoren e humanizmit e të patriotizmit.
Rrëfime e gjykime të rënda për vetveten, që nuk jemi mësuar t’i dëgjojmë ndonjëherë nga VIP-a kokëboshë e gjysmë-analfabetë të ditëve tona. Madje, Prof. Qosja i zbulon lexuesit, se përtej pamjes së tij prej burri shtatlartë, plot fibër e shëndet, ai ka një fizik të brishtë që e mundon. Dhimbjet e forta të shpinës e detyrojnë çdo vit të mbërthehet për ditë të tëra në shtrat. E megjithatë, duke u spërdredhur e duke u ankuar nga dhimbjet, profesori nuk heq dorë nga rituali i zakonshëm, leximi, mes dhimbjesh, i librave të rinj. Duke ndërmarrë, madje, edhe ndonjë aventurë të rrezikshme, si ajo e 28 Nëntorit 1997, kur i shtrirë në sediljen e pasme të makinës hallemadhe të mikut të tij, Jahirit, mes dhimbjeve infernale të shpinës, që ia acaronin gropat e rrugëve të Shqipërisë, mbërriti në kohë për të mos munguar në kremtimet për 85-vjetorin e Ditës së Flamurit. Në Vlorën e tij, në Vlorën e plagosur nga një president i çmendur arkeo-komunist, që tentoi të fusë në luftë civile vëllavrasëse popullin shqiptar.
Duke lexuar rrëfime të tilla të sinqerta për ato që Prof. Qosja i konsideron brishtësi fizike e karakteriale të tij, lexuesit spontanisht i vijnë në mendje emra VIP-ash të jetës sonë politike e kulturore, të kalbur fizikisht e moralisht, dhe spontanisht i dhuron një buzëqeshje plot simpati e besim dëshmitarit-njeri, që ka marrë përsipër të përjetësojë besnikërisht në letër historinë e popullit e të njerëzve të tij. Me pohime të tilla, e të tjera si këto, Prof. Qosja fshikullon dobësi e mangësi, që ai ia atribuon vetes pa u kujdesur se kështu mund të dëmtojë autoritetin e vet. “Para se të jem kritik letrar, politik e moral ndaj të tjerëve, jam i tillë me veten”, thotë ai. E ngarkon veten me faj, që megjithë përpjekjet e bëra deri në organet më të larta partiake e shtetërore të Kosovës, nuk mundi ta mbrojë Zymer Nezirin, studiuesin e dalluar e patriot të Institutit Albanologjik, kur nga organet e pushtetit erdhi urdhri të pushohet nga puna për pjesëmarrjen e tij në lëvizjet e vitit 1968. E gjen me vend të shënojë se dikur, në një mbledhje nga ato të “diferencimit” të organizuara nga pushteti serb pas demonstratave të vitit 1981, ndërsa kolegë të tij u lëshuan t’i dënojnë ato si dhe implikimin e pretenduar të Tiranës, ai nuk foli. Heshti. Ndan me lexuesin pendesën, që në prezantimin e Marrëveshjes për ndërtimin e strukturave të administratës së përkohshme, në 15 dhjetor 1999, nuk deshi “ta prishë festën” e nuk tha atë që kishte në mend të thoshte: që marrëveshja në fjalë duhet të shpallte shpërbërjen e organeve të ashtuquajtura paralele serbe, të cilat përfaqësonin rrezik për rendin e sigurinë në Kosovë; që duhej shpërbërë e ashtuquajtura qeveri në ekzil e Bukoshit dhe e Rugovës; që marrëveshja në fjalë duhet të ndalonte veprimtarinë e Këshillit Kombëtar Serb, që ishte krijuar për ta kantonizuar Kosovën. E pra, Prof. Qosja i shënon këto raste të rralla heshtjeje të tij, edhe pse për të njëjtat çështje ai ishte shprehur e do të shprehej fortë me dhjetëra e qindra herë në intervista, artikuj, deklarata e takime me përfaqësues shqiptarë e të huaj.
Dhe, nëse heshti ndonjëherë, absolutisht nuk akuzoi e nuk denoncoi shokët, siç bënë shumë kolegë të tij. Refuzoi plot neveri urdhrin e politikanëve të Kosovës, puthadorë të Serbisë, për të akuzuar autoritetet e Tiranës si organizatore të demonstratave, gjë që e bënë plot kolegë të tij. Nuk u bë instrument i politikës serbe të “diferencimit” e, pra, të ndëshkimit të studentëve e profesorëve patriotë, siç u bë një pjesë e mirë e parisë politike e kulturore shqiptare. Me këtë lloj parie, që i kishte hipur në qafë popullit të vet, Prof. Qosja është i papajtueshëm, këtë ai thjesht e neverit dhe e shigjeton me thënien e platoniane: “S’ka robëri më të rëndë se robëria e robit të robëruar nga robërit e tjerë”. Në të kundërtën, në shënimet kushtuar demonstratave të vitit 1968 e 1981, ai nuk përmbahet t’i bëjë elozhe shpirtit të vetëmohimit e të sakrificës që tregonin militantët e Lëvizjes Ilegale. “I adhuroj për atë guxim moral, për atë epërsi morale që ata kanë kundrejt nesh, atdhetarëve të salloneve”, shkruan ai duke ia lënë edhe njëherë meritat dhe vendin e lavdisë të tjerëve.
***
Mjeshtër i analizës, Prof. Qosja di të zbulojë në sende në dukje të vogla, ngjarje të pritshme epokale. Hapjen e një ekspozite të Librit Amerikan në Prishtinë, në 1990, ai e komenton në ditarin e tij me fjalët: “kjo do të thotë prani amerikane në Kosovë”. Por, kjo prani vonoi dhe nuk qe drejtëvizore. Për të arritur në 24 marsin e vitit 1999, politika e administratës amerikane kaloi nëpër zik-zake marramendëse. Nga përpjekjet e viteve 1990-1991 për të ruajtur me çdo kusht Jugosllavinë titiste, në këmbënguljen e saj, që vijoi e tillë deri aty nga mesi i vitit 1998, për të shpëtuar nga Jugosllavia e Madhe e Titos, të paktën Jugosllavinë e Vogël të Milosheviçit. Pra, Kosova duhej të ruante paqen, duke mbetur pjesë përbërëse e kësaj të fundit si krahinë e Serbisë. Në emër të asaj “paqeje”, në 24 shkurt 1998 ambasadori Gelbart e mburri regjimin e Milosheviçit për “progresin” e bërë prej tij në zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, shpalli heqjen e disa prej sanksioneve të “murit të jashtëm” dhe…e quajti UÇK-në “organizatë terroriste”. Një vlerësim i gabuar, të cilin vetë Departamenti i Shtetit e zhbëri vetëm pak ditë pas deklaratës fatkeqe të ambasadorit Gelbart, kur duke marrë zemër prej saj, forcat e ushtrisë e të milicisë serbe u lëshuan e shkaktuan përgjakjen e përbindshme të Prekazit.
Por problemi nuk qëndronte aq tek inkoherencat e vështirësitë e kolaudimit të politikës amerikane në Kosovë. Në fund të fundit, këto pasqyronin qëndrimin e LDK e të dr. Rugovës, në Prishtinë, dhe të PDSH e të kryetarit të saj Sali Berisha në Tiranë. Nuk është një rastësi, që fill pas deklaratës së ambasadorit Gelbart, UÇK u stigmatizua prej tyre si organizatë “terroriste”, e akoma më tej, si organizatë “marksiste” e madje si “krijesë e UDB-së serbe”. Dukej se SHBA kishte zgjedhur përfundimisht politikën e nënshtrimit të Kosovës ndaj Serbisë, dhe në maj 1998, ithtarët e saj nxituan të vrapojnë në Beograd për të takuar Milosheviçin e për t’u paraqitur tek ai, të vetëm, si negociatorë të “paqes”. Por le t’ia lemë penës së rëndë të Prof. Qoses përshkrimin e atij takimi të parë të turpshëm të krahut pacifist të politikës kosovare me kasapin e shqiptarëve, Slobodan Milosheviçin:
“Përshtypja e parë e shikuesit shqiptar që mendon me kryet e vet është: “përfaqësuesit tanë u paraqitën vocërrakë… Si nusja para zotit të shtëpisë! Si rrogëtarët para pronarit! Si bujkrobër para feudalit! Kuku! Kuku! Rugova e përshëndet Milosheviçin duke ia shtrënguar dorën e duke i treguar dhëmbët e porcelanit me buzëqeshje tre gishtrinj të gjërë! Fehmi Agani e përshëndet Milosheviçin duke iu përkulur deri te gjunjët e, pastaj, i kryqon duart mbi bark si shtatzëna një muaj para lindjes! Mahmut Bakalli e përshëndet trupdrejtë, por kokën e ul aq poshtë sa e ulte edhe para Titos dhe Kardelit dikur! Pajazit Nushi ia shtrëngon dorën aq dukshëm, aq gjatë, saqë shikuesve mund t’u shkojë mendja se, ja, do ta marrë me vete për kujtim në Kosovë atë dorë! Vetëm Veton Surroi e përshëndet kasapin e Ballkanit denjësisht: ia jep dorën prej së largu, pa u përkulur as me trup as me kokë asnjë centimetër”.
Një prelud të këtij takimi poshtërues, Prof. Qosja e shënon që në ditarin e vitit 1979, kur gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, një Tito i pakënaqur dhe i ngrysur, priti për pak minuta në “Grand Hotel” një përfaqësi të drejtuesve shqiptarë. Tregon Prof. Qosja, se pas takimit të shkurtër me Titon, ndërsa Mahmut Bakalli e Xhavit Nimani po vonoheshin duke biseduar në holl të hotelit, një bodigard u afrohet e u thotë zymtë: Pritja ka mbaruar, ikni. “E mjaftueshme për të kuptuar se dikush tjetër sundonte vendin tonë”, shkruan Prof. Qosja.
E pra, në faqe të tjera të Ditarit, Prof. Qosja nuk i kursen fjalë të mira e vlerësime pozitive për të gjithë personazhet e cituara në episodet e mësipërme. Por, ai nuk e fsheh, se si shqiptar, në atë maj të vitit 1998, ai u ndje i turpëruar. Në faqe të tjera të Ditarit Prof. Qosja i thotë hapur mospajtimet e tij me Veton Surroin. Por, në rastin e mësipërm, ai “harron” për një çast se edhe Surroi ishte pjesë e asaj dërgate turpi, e lumturohet e ndjehet krenar për sjelljen e tij burrësore përpara vrasësit të popullit të tij. Kështu, pra. Është e kotë të presësh prej pendës së Prof. Qoses gjykime “paushale” e përfundimtare. Personazhet gjykohen prej tij sipas kohës, sipas rastit e, sidomos, mbi bazën e përputhshmërisë, ose jo, të veprimeve të tyre me interesin kombëtar. Ai e ka vënë veten në rolin e dëshmitarit e regjistruesit të “historisë njerëzore” të popullit të tij, dhe jo aspak në rolin e mirëkuptuesit e mëshiruesit të “dobësive njerëzore” (faiblesse humaine) të drejtuesve mëkatarë të atij populli. Për sa i përket atij vetë, Prof. Qosja ua shprehu hapur e shkoqur përfaqësuesve të shquar të administratës Klinton, ambasadorëve Richard Hollbruk e Chris Hill, mospajtimin me politikën e “Paqes me çdo kusht” me regjimin e Milosheviçit, në takimin që pati me ta në Prishtinë, në 5 korrik 1998. “Ne s’jemi kundër Amerikës. Jo. Ne jemi për Amerikën. Jemi për atë Amerikën e Madhe të krijuesve të saj të mëdhenj. Ne jemi për mendimin e atij kryetari në madh të Amerikës, George Washington, i cili ka thënë: Më e rëndësishme se paqja është liria”. Fjalë të shenjta, që dua të besoj se patën peshën e tyre në atë zhvendosje epokale të politikës amerikane në favor të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre.
Zhgënjime? Plot, edhe nga shokë, miq e kolegë. Edhe nga vetë masa, që ndonjëherë e gjente më oportune të njësohej, jo me luftëtarët e lirisë, por me apologjetët e “paqes”. Si atëherë, në shtator të vitit 1994, kur duke iu bindur sirenave të së keqes, populli erdhi i pakët në manifestimet e organizuara nga Partia e Unitetit Kombëtar kundër burgosjes së intelektualit e luftëtarit patriot Ukshin Hoti, kryetar i saj. Si atëherë, në vitin 2000, kur në Kosovën e posaçliruar, votuesit ende të pamësuar me lirinë, ia dhanë votën profetëve të “paqes gandisto-milosheviçiane”. Jo më kot, Prof. Qosja citon vlerësimin poshtërues ndaj shqiptarëve të bëra në 1995 nga Mihajlo Markoviç, ideologu e filozofi i PS të Serbisë: “Nuk do ketë kryengritje në Kosovë, siç duan ca faktorë të jashtëm, të cilët në atë rast, ndryshe nga Bosnja, do e kishin të lehtë të futeshin në Kosovë për arsye të terrenit e arsye të tjera. Nuk do të ketë kryengritje në Kosovë, sepse aty është krijuar një elitë e pasur dhe një elitë politike, e cila nuk dëshiron të humbë pasurinë dhe statusin shoqëror. Nga ana tjetër, nuk do të ketë kryengritje, sepse edhe vetë Berisha i këshillon shqiptarët e Kosovës të integrohen në jetën politike të Serbisë”.
Në këtë paraqitje të shkurtuar u munduam të bëjmë kapim disa nga momentet kulmore të historisë së Kosovës, kryesisht të historisë politike, ashtu si ato janë trajtuar në ditarin e Prof. Rexhep Qoses, “Dëshmitar në kohë historike”. Në 9 vëllimet e atij ditari ka gjithashtu lëndë shumë të pasur mbi zhvillimet letrare, kulturore e shkencore në Kosovë, mbi lidhjet ndërshqiptare Kosovë-Shqipëri, mbi rolin e faktorit ndërkombëtar në çlirimin dhe ndërtimin e një Kosove demokratike. Lëndë e paraqitur, si gjithnjë, me saktësi maniakale, me objektivitet e akribi shkencore. Historishkrimi i Kosovës dhe i Shqipërisë për periudhën 1966-2008, do të vuante nga varfëria, në rast se nuk do merrte në konsideratë këtë lëndë të çmuar që Dëshmitari i kohëve historike, Akademiku Rexhep Qosja i ofron bujarisht bashkëatdhetarëve të tij. Sot ai ka mbushur të 87 vjetët. Ka humbur, ndërkohë, bashkëshorten e dashur, Shpresën fjalëmbël e mendjemprehtë. Por ai mbetet lis i fortë e i paepur. Shtëpia e tij është e mbushur me zërat e gëzuar të nipërve e stërnipërve. Ndërkohë, në dhomën e punës, vijojnë të dëgjohen “krismat” e Olimpias, makinës së palodhur të shkrimit. Dhe kështu urojmë të jetë edhe për vite e vite të tjera!/Dita
___________