Bashkimi Evropian ka thënë të shtunën se veprimet e Wagnerit në Rusi janë “çështja e brendshme” e tyre.
Duke theksuar se blloku po vëzhgon nga afër situatën në Rusi, derisa ajo shpaloset, presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel ka shkruar në Twitter se “Kjo është qartë një çështje e brendshme ruse”.
Ai tha se ka qenë në kontakt me liderët evropianë dhe partnerët e G7.
Michel shtoi se mbështetja e BE-së për Ukrainën dhe presidentin e saj, Volodymyr Zelenskyy mbetet e palëkundur.
Në një zhvillim të ngjashëm, Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, postoi në Twitter se ai kishte telefonata me ministrat e jashtëm të G7, në të cilat u diskutua situata në Rusi.
“Përpara Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së të së hënës, unë po koordinoj brenda Bashkimit Evropian dhe kam aktivizuar qendrën e reagimit ndaj krizave”, tha ai, duke shtuar se mbështetja e unionit për Ukrainën vazhdon e pandërprerë.
Presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi shefin e Wagner, Yevgeny Prigozhin për tradhti në një fjalim kombëtar të shtunën, pasi luftëtarët paraushtarakë kaluan kufirin nga Ukraina në Rusi, duke hyrë në qytetin e Rostov-on-Don.
Ndërkohë, para pak orësh, grupi Wagner ka postuar një video duke thënë se një automjeti në kolonë është goditur me sulme ajrore nga forcat ruse.
Kurse, presidenti turk, në një telefonatë me homologun e tij rus të shtunën, shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të bërë pjesën e tij për një zgjidhje paqësore në mes Wagner dhe Rusisë.
Prigozhin akuzoi forcat ruse për sulmimin e luftëtarëve të tij, një pretendim që Moska e mohon.
Prigozhin në muajt e fundit ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe ministrin e Mbrojtjes, Sergej Shoygu se nuk i kanë furnizuar me armë të mjaftueshme grupit paraushtarak.
Wagner ka luftuar së bashku me ushtrinë e rregullt ruse në Ukrainë
Rusia nisi “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë më 24 shkurt të vitit të kaluar./m.j