Nga Lorenc Vangjeli/
Me të gjitha gjasat Ben Imami do të refuzonte të shndërrohej qoftë dhe për një çast në gardian burgu edhe me kushtin që klienti i tij i vetëm të ishte Edi Rama, që tre vjet më parë e donte patjetër në qeli. Ndaj armikut të gjetur prej vitesh në petkun e ish-mikut të ngushtë, Imami me siguri nuk do ta përdorte vezë kundër tij edhe pse do të donte ta shihte në humbellat më të thella të politikës. Hakmarrja është gjymtyrë njerëzore që ka lindur bashkë me njeriun dhe faljen. Edhe pse njëra është rregull dhe tjetra është përjashtim në Shqipëri.
Genc Rulit nuk do t’i shkonte kurrë ndër mend të hynte në parlament me bikerina të fshehura nën xhaketë. As Gon Duka, që me shpirt, për bamirësi dhe për gallatë mund të dhurojë kontenierë të tërë me vezë, nuk do të përdorte asnjë kokërr si gur që hidhet. Po kështu edhe Majlinda, edhe Albana, edhe Mesila, edhe Astriti e të tjerë e të tjerë. Natyrisht mbi të gjithë Doktori, Jozefina dhe vetë Lulzim Basha, kryetar i Jozefinës, nuk do të mbushnin, në asnjë rast e asnjë rrethanë, xhepat me vezët e Gonit të opozitës që të qëllonin Edin e qeverisë.
Edhe nga ana tjetër e sallës, askush nuk mund të përfytyrojë Gramozin, Artën, Mimin, Valin, Fatmirin, Lirin, Linditën, Shalsin, Bashkimin, Pandin e të tjerë e të tjerë, me vezë të fshehur në trup, që i kalojnë fshehtas nën skanerin e sigurisë duke ja hedhur rojeve të gardës dhe pastaj nën komandën “yrysh”, marrin nishan koka kundërshtarësh. Dhe pastaj, nëse dalin huq, bëjnë pis vetëm mure.
Të enjten e shkuar, me të gjitha gjasat Edi Rama nuk ja dinte emrin Albinës. Mund ta kishte dalluar ndonjëherë si portret në sallë, por me siguri nuk e kishte dëgjuar kurrë të fliste. Nuk e dinte edhe sesi quhej kunji mizor dhe i padrejtë i gazetës TemA, Arbiola që ju sul shqiponjërisht gardhit burrëror të rojeve të gardës. Edhe për Arbiolën u tha me garanci të plotë se Rama nuk e dinte si deputete dhe njeri real, por vetëm si një shpikje të poshtër, antihumane dhe trill letrar e botuesit cinik të TemA-s.
Ndoshta kjo padijeni ishte njëra nga arsyet që tërësisht gabimisht dhe me ligësi më të ligë se e liga, Rama përmendi fjalën Monstër! Ai vetë e refuzoi fort një gjë të tillë dhe pretendoi se ka thënë fjalën e pafajshme Motër, por kjo nuk ndryshon gjë në thelbin e debatit: Kryeministri nuk i njihte dy deputetet luftarake dhe pikë.
Dhe as nuk ka kuptuar gjë me siguri se çfarë lidhjeje kishte britma që i vinte përpara fytyrës me porosi nga Mirdita dhe çfarë lidhjeje kishin traditat e kësaj treve të vyer e të veçantë shqiptare me atë seancë të zakonshme të parlamentit mëse të zakonshëm shqiptar, gjatë të cilit, tre vezë patën fatin të lyjnë muret e sallës.
Dhe këtu ndodhi mrekullia. Njëlloj si në ca shfaqje televizive të modës apo si me ca këngëtare që bëhen befas të modës me një foto apo me një intervistë të vetme. Nga ajo ditë, qoftë kryeministri, qoftë historia politike e parlamentarizmit shqiptar i ka shpëtuar përfundimisht nga harresa ato emra dhe nja dy të tjerë që nuk po kujtohen për momentin. Emrat e simbiozës fatale me vezët e pafajshme.
Duke pasur fatin e Kristofor Kolombit, ata do të kujtohen si deputetët e parë që e përdorën produktin e pulave si element të posaçëm beteje të luftës së paprerë politike në vend.
Kjo lloj lufte nuk synon të vrasë kundërshtarin sepse veza është një objekt i brishtë. Ajo ka një guackë gjithashtu të dobët dhe që thyhet lehtë. Duke e goditur kundërshtërin me vezë, kërkohet poshtërimi i tij duke e bërë pis me atë përzjerje bardh e verdhë që e pëlqejnë fëmijët zakonisht dhe kanë nisur ta përdorin si lodër të rriturit. Dhe deri këtu është fotografia. Deri këtu është e zakonshmja që prodhon gjaknxehtësia ballkanike e qytetarëve të një vendi që janë me kuriz nga Mesdheu i nxehtë dhe me fytyrë nga Alpet e ftohtë. E pazakonta nisi që në muzgun e asaj dite. Vezët dhe politika e vezëve, u bënë problem në mbrëmjen e të enjtes dhe pak nga pak problemi u rrit duke pritur një nga kulmet e tij të martën me protestën e paralajmëruar me vezë përpara selisë së kryeministrisë.
Lulzim Basha i pari dhe pas tij gjithë të tjerët, lartuan fort dhe lart vezëhedhjen ndaj Ramës si një akt politik dhe aktorët që e bënë një gjë të tillë, si politikanë të një kalibri të veçantë. E tha zyrtarisht dhe e mendon edhe politikisht një gjë të tillë. E menduar në këtë mënyrë, zoti Basha dh një sinjal domethënës edhe për konkurimin e vlerave politike në këtë parti. E thjeshtëzuar skema e CV-ve fituese do të niste me zotësinë për të gjetur vezë, me aftësinë për t’i kaluar pa rënë në duar të gardës, me trimërinë për t’ju afruar tryezës së qeverisë dhe me nishanin për të shënjestruar Ramën të parin e pas tij edhe të tjerët. Nuk ka nevojë për asgjë tjetër.
Dhe nëse ndërrohen rolet pala tjetër duhet të gjejë gra e burra të aftë që të bëjnë vezën e kurajos në opozitë dhe mburojën nga vezët në pushtet. Në një luftë për pushtet ku nuk ka vegjetarianë, por secili që nuk ka një emër vetjak, pret rastin të bëhet gardian i tjetrit; në një luftë që po i japin ngjyrën, formën, tmerrin dhe marrëzinë e 97-ës, por që kërkojnë t’ja zëvendësojnë kallashnikovët kinezë me vezë Shijaku.