Policia e Shtetit ka zbuluar një skemë mashtrimi përmes sistemeve kompjuterike, e cila synon persona fizikë dhe juridikë me qëllim marrjen e shumave të ndryshme monetare.
Me anë të një njoftimi Policia e Shtetit bën të ditur se ka nisur puna e menjëhershme, për parandalimin e pasojave, për hetimin e ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po ashtu, policia ka publikuar edhe disa mesazhe të rreme që sipas saj qytetarëve u kanë shkuar në postën elektronike, ne emër të titullarëve të Policisë së Shtetit.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike është vënë në dijeni për një fushatë mashtrimi nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e cila synon persona fizikë dhe juridikë, pa dallime të caktuara, me qëllim marrjen e shumave të ndryshme monetare.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike njofton të gjithë qytetarët, se ka nisur puna policore e menjëhershme, për parandalimin e pasojave, për hetimin e ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Për t’i shkuar në ndihmë çdo shtetasi që mund të preket nga kjo fushatë mashtrimi, bashkëlidhur këtij njoftimi do të gjeni formatin në të cilin dërgohet mesazhi i postës elektronike, si dhe dokumentin e rremë që i bashkëngjitet këtij mesazhi.
Policia e Shtetit fton qytetarët që janë prekur nga këto mesazhe të cilat iu kanë shkuar në emër të titullarëve të Policisë së Shtetit, kjo për të rritur besueshmërinë e këtyre mesazheve, të denoncojnë menjëherë në adresën e postës elektronike **@as*.al, të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, e cila është duke kryer hetime intensive dhe në ditët në vijim do të japë më shumë informacion rreth kësaj fushate mashtrimi”, thuhet ne njoftimin e policise./m.j