Nga Jakin Marena
Zbatimi i një mandati kontrolli të lëshuar nga SPAK nga Policia e Shtetit në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, solli reagimin e muxhahidinëve ndaj efektivëve policorë që po kryenin detyrën e tyre. Kishte informacione se nga serverat e kampit të MEK në Durrës ishin realizuar sulme kibernetike ndaj Iranit e vendeve të tjera, sulme që klasifikohen si akte terroriste.
Dhe për këtë qëllim policia ndërhyri, duke zbatuar të gjitha rregullat e ligjet e shtetit shqiptar, duke marrë në zotërim një pjesë të këtyre mjeteve kompjuterike me të cilat dyshohet se është realizuar sulmi kibernetik bashkë dhe me dokumentacione të tjera, që janë tashmë nën hetimin e SPAK. Themi një pjesë, pasi u pa se si po digjeshin dokumente e si po asgjësoheshin pajisje.
Ndërhyrja e policisë nuk u bë e papritur, pasi kreu i saj Muhamet Rrumbullaku zhvilloi një takim me përfaqësinë e lartë të muxhahidinëve, duke u bërë të ditur qëllimin e kontrollit, që realizohet në çdo cep të territorit të Shqipërisë, sa herë që gjykata e kërkon një gjë të tillë.
Ndonëse muxhahidinët kërkuan që të shtyhej një kontroll i tillë pasi kanë një rast vdekjeje në kamp dhe duhet të kryhet ritet mortore të tij, policia vijoi detyrën, të cilën e realizoi me qetësi, deri në momentin kur iu afrua derës së sallës ku mbahej serveri qëndror i rrjetit kompjuterik. Pikërisht këtu filloi reagimi i dhunshëm i muxhahidinëve, të cilët rezistuan dhe dhunuan mbi 15 policë, në përpjekje për të ndaluar hyrjen në këto ambiente sekrete.
Madje, ndryshuan me 360 gradë dhe justifikimin se pse duhej shtyrë ndërhyrja e policisë, duke e zhvendosur vdekjen e muxhahidinit të ndjerë e duke e bërë viktimë të sulmit të policisë. Të gjithë gazetarët që raportuan nga vendngjarja e thanë një gjë të tillë. Tashmë trupi i tij i pajetë është në morgun e Tiranës dhe po i nënshtrohet mjekësisë ligjore, por informacionet janë se ka pasur vdekje natyrale. Mbetet të përcaktohet koha e ndarjes nga jeta.
Pra SPAK po heton një sërë veprash penale në fushën e krimeve kibernetike që dyshohet se janë kryer nga organizata e MEK e strehuar në Shqipëri. P heton 6 vepra penale që muxhahedinët dyshohet se i kanë kryer gjatë qëndrimit në kampin Ashraf 3 në Manzë, që përmbajnë akuzat e regjistruara për “provokim i luftës”, “përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “ndërhyrje në sistemet kompjuterike” e “keqpërdorim i pajisjeve”, të përcaktuara këto në kodit penal shqiptar.
Të gjitha këto vepra sipas SPAK janë kryer në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal” por me interes për hetimin pritet ekspertiza teknike e rreth 150 pajisjeve të sekuestruara, mes tyre kompjuterë, servera dhe USB. Në dosje theksohet se anëtarët e MEK që njihen si opozita e Iranit dyshohet se kanë kryer disa sulme kibernetike në periudha të ndryshme kohore në drejtim të Republikës Islamike të Iranit. Po në dosjen e Prokurorisë se Posaçme, ngrihen dyshime se pjesëtarë të organizatës së MEK janë të përfshirë edhe në aktivitetin kriminal të terrorizmit dhe financimit të tij.
Duke qënë se statusi i organizatës MEK është humanitar, s’janë as azilantë politikë dhe as kanë shpallur autonominë në Manzë, por kanë ardhur në Shqipëri si rezultat i një marrëveshjeje me qeverinë e SHBA, duke u kujdesur fort që në çdo pikë të kësaj marrëveshjeje të jetë e përjashtuar mundësia e marrjes me politikë, e për më tepër përdorimi i territorit shqiptar për sulme terroriste ndaj një shteti tjetër, nëse vertetohen dyshimet për sulme kibernetike nga drejtësia shqiptare, atëherë është shkelur marrëveshja e nënshkruar që me ardhjen e tyre në Shqipëri.
Çka përbën problem! Pasi në këtë rast për pranimin e tyre, Shqipëria ka marrë një kosto tepër të lartë, duke hyrë në përplasje me Republikën e Iranit, çka solli më pas sulmet kibernetike ndaj institucioneve shqiptare. Kjo u cilësua si hakmarrje nga Teherani, për sulmin që MEK sipas tij i ka bërë institucioneve të Iranit! Për pasojë Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, vendim që vijon të jetë në fuqi dhe sot e kësaj dite. Pra Shqipëria mori një kosto tepër të lartë, pikërisht për hir të miqësisë dhe detyrimit euroatlantik me SHBA dhe pa asnjë interes që të strehonte luftëtarët e MEK, që u quajtën dhe opozita ndaj regjimit të Iranit.
Ndërhyrja nga ana e policisë është mbështetur dhe nga qeveria amerikane, e cila përmes një nga zëdhënësit e DASH nënvizoi për REL se “Policia e Shtetit në Shqipëri na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”.
Por ajo që ka tronditur më shumë ka qënë, nënvizimi nga ana e zëdhënësit të DASH se “SHBA nuk e cilëson MEK-un “lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian”, por ka “shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij”. Dhe kjo është e vërtetë, është ‘brezi’ i dytë i muxhahidinëve në ekzil, dhe nuk kanë më asnjë lidhje me shtetin e tyre Iranin, dhe çfarë ndodh aty jo më të bëjnë opozitë efektive. Thjeshtë janë për trajtim humanitar.
Ajo që është lexuar nga kjo deklaratë, ka të bëjë me faktin se tashmë marrëdhëniet e MEK me SHBA, pas informacioneve për sulme kibernetike ndaj një vendi tjetër e terrorizmin e ushtruar, nuk janë ato që kanë qënë më parë. Kjo shihet dhe tek sulmet e drejtëpërdrejta që muxhahidinët kanë ndërmarrë ndaj qeverisë së SHBA, por dhe ndaj qeverisë shqiptare, duke i akuzuar deri në aleatë të regjimit të Iranit.
A po konturohet tek SHBA ideja dhe qëndrimi se opozita reale, ajo paqësorja që kërkon rrëzimin e qeverisjes së ajatollahëve, është opozita që po bëhet brenda Iranit dhe që e ka tronditur këtë regjim? Kjo mbetet për t’u parë në vijim, pasi deklarata mbështetëse për policinë shqiptare, nuk mund të quhet ndryshim kursi nga ana e SHBA kundrejt MEK. Por thjeshtë një mungesë interesi për këtë grup opozitar, që nuk mund ta luajë më rolin alternativës së regjimit dhe njëndrim konstant i SHBA në mbrojtje të institucioneve.
Por, teksa në Shqipëri po zien debati nëse duhet të qëndrojnë apo duhet të largohen nga vendi muxhahidinët, të cilët kanë shkelur marrëveshjen e pranimit, ka qënë ambasadorja amerikane në Tiranë, e cila së shpejti do të jetë dhe zyrtare e lartë e DASH, Yuri Kim ajo që në një konferencë për mediat teksa ka mbështetur operacionin e policisë shqiptare në kampin e MEK në Manzë, në përgjigjie të pyetjes nëse duhet të dëbohen ose jo muxhahidinët nga Shqipëria, është shprehur se qeveria shqiptare e ka vetë në dorë nëse duhet të vendosë që t’i largojë apo jo.
“Ky është një vendim që duhet ta marrë qeveria shqiptare. Një gjë është e qartë, ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka terma të caktuara që zbatohen për çdo mysafir në vendin tuaj dhe këto duhet të zbatohen, duhet t’i respektojmë ato”, tha ambasadorja Yuri Kim.
Evident është fakti se kush do t’i financojë aktivitetet e deri mbijetesën e muxhahidinëve në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, pasi qeveria shqiptare ka ofruar vetëm strehim e mbrojtje për afër 3 mijë anëtarët e saj. Teksa shihet një ftohje nga ana e amerikanëve, për hir të të cilëve qeveria shqiptare nënshkroi dhe marrëveshjen për pranimin e tyre në Shqipëri, por dhe ‘rrudhjen’ e burimeve financiare nga vendet arabike, duket sikur Shqipërisë i ka mbetur pjesa më e vështirë.
Por përsa i përket muxhahidinëve, nuk është fare habi që në mungesë të financimeve, të kërkojnë alternativa të tjera, duke shërbyer ndoshta dhe për vende e grupe interesi brenda dhe jashtë Shqipërisë, por dhe duke u përzier në çorbën politike shqiptare. Me shërbime përmes të cilave kërkohet pagesë, dhe akuzat në Shqipëri kanë qarkulluar se janë aplikuar shërbime të tilla parciale duke ‘goditur’ sistemin e institucioneve shqiptare, por dhe me qëllim propagande. Deri më tani janë dyshime, pritet çfarë do dalë nga hetimi i mjeteve të sekuestruara.
Por në mënyrë publike, kreu i grupimit më të madh të opozitës, Sali Berisha është vënë në mbrojtje të muxhahidinëve që i rezistuan aksionit të policisë, madje ushtruan dhe dhunë ndaj tyre. Berisha arriti deri atje sa të akuzonte qeverinë shqiptare se ka vrarë një anëtar të MEK, ndonëse është drejtësia dhe mjekësia ligjore ajo që do të nxjerrë të vërtetën. Për më tepër që Berisha, i cili e quajti vetën një “muxhahidin’, deklaratë kjo në mes të parlamentit shqiptar, ia dha ‘këstin’ e dytë të mbështetjes MEK-ut.
E kemi fjalën për marrjen nën mbrojtje të dhunës së muxhahidinëve ndaj policisë shqiptare, si avokat mbrojtës zyrtar nga ana e avokatit të familjes Berisha, dhe për më tepër që tashmë është dhe këshilltar i bashkisë së Tiranës në emër të koalicionit “Bashkë Fitojmë” po të Berishës. Flet dhe me gjuhën e Berishës, avokati.
Por ajo që duam të nënvizojmë është fakti se Berisha merr në mbrojtje dhe bën aleatë këdo që del kundër SHBA. qoftë dhe përkohësisht. I është kthyer në ‘sëmundje’ kjo, sidomos pas shpalljes ‘non grata’ nga DASH, dy vite më parë. Këtë radhë janë muxhahidinët, ‘aleatët’ e rinj të Berishës kundër SHBA e qeverisë së Ramës. Dhe sot nuk kurseu akuzat ndaj ambasadores së SHBA, Yuri Kim, të cilën e quajti ‘turpin e kombit që përfaqëson” dhe duke e akuzuar se bashkë me Ramën shkatërroi opozitën.
Urojmë që aleancat e kreut të “Rithemelimit” të mos kenë filluar shumë kohë më parë, që në kohën e sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, duhen pritur hetimet e SPAK, që mund të përbëjnë dhe “këstin” e parë të bashkëpunimit, pasi situata do të ishte akoma më e thellë në paligjshmërinë e vet. Pasi MEK ka nevojë për para, ndërsa Berisha nuk di se ku t’i çojë paratë.
Dhe problemi i vërtetë është të vendoset sa më parë në lidhje me qëndrimin e muxhahidinëve në Manzë të Durrësit, në një kamp më vete, dhe marrja parasysh dhe rrezikut të kthimit të tyre në një ‘minë me sahat’ brenda territorit shqiptar, nëse nuk zbatojnë rregullat dhe pikat e marrëveshjes me shtetin shqiptar. Aq më tepër kur në Shqipëri është një opozitë që ka deklaruar se do të bëjë gjithçka, duke përdorur çdo mjet për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur me votë në Shqipëri.
Urojmë që halli i muxhahidinëve në Manzë për financime mbijetese dhe lufte kundër regjimit të Iranit, të mos jetë një nga mjetet që opozita shqiptare mund të shfrytëzojë dhe të përdorë për luftën politike kundër mazhorancës aktuale, duke shfrytëzuar ‘makinerinë kibernetike’ të tyre, mjetet e sofistikuara të përgjimit dhe elementë të tjerë mbështetës.
Sinjalet nuk janë të mira, situata nuk është solide, ndërsa organet ligjzbatuese duhet ta shohin me shpejtësi precipitimin e situatës, që mund ta shndërrojë Shqipërinë në një potencial shpërthimi, duke u bërë pengesë për integrimin e vendit. Sepse mund të afrohen dy palë në hall, një që s’ka para dhe një tjetër që ka para me shumicë dhe mund t’i hedhë në çdo moment. PD ka dhënë prova se ka marrë gjysmë milioni dollarë nga Rusia për të rrëzuar qeverinë e Ramës, pra se ka për herë të parë.