Perëndimi po gabon kur nuk po e ndihmon Serbinë por Vuçiqin, duke e lënë vathën e deleve në gojën e ujkut dhe me këtë pa nevojë po humb kohë dhe para. Serbia mund të demokratizohet një ditë, por pa Vuçiqin, prandaj Perëndimi duhet t’i ndihmojë atij të bie sa më shpejt nga pushteti. Në të kundërtën, Serbia një ditë ka rrezik të shndërrohet në një vathë ujqish të tërbuar
Nga Emin AZEMI
Raportet Kosovë-Serbi nuk po komplikohen për shkak të qëndrimeve të forta të Kurtit, por për shkak të qasjes së njëanshme e joproprcionale të Perëndimit ndaj këtyre raporteve. Nëse para 24 viteve Perëndimi e bombardoi Serbinë për ta larguar atë nga marshimi hegjemonist në Kosovës, sot i njëjti Perëndim po e dekonstrukton kauzën e vet të drejtë. I njëjti Perëndim po ia vesh lëkurën e qengjit ujkut të dikurshëm të Millosheviqit.
Duke e mbështetur qorrazi një pinjoll të Millosheviqit në Beograd (lexo: një këlysh ujku), Perëndimi nuk po i ndihmon Serbisë që të largohet nga Rusia, por po ia zgjatë jetën një regjimi autokratik, i cili u ngrit kryesisht duke pasur frymëzim politikat antiperëndimore të Kremlinit.
Perendimi po gabon kur nuk po e ndihmon Serbinë por Vuçiqin, duke e lënë vathën e deleve në gojën e ujkut dhe me këtë pa nevojë po humb kohë dhe para. Serbia mund të demokratizohet një ditë, por pa Vuçiqin, prandaj Perëndimi duhet t’i ndihmojë atij të bie sa më shpejt nga pushteti. Në të kundërtën, Serbia një ditë ka rrezik të shndërrohet në vathë ujqish të tërbuar.
Perëndimi ka përvojë të mjaftueshme se si duhet të sillet në rrethana të caktuara me politikanët serbë. Millosheviqi ishte një shembull shkollor që ia kujton Perëndimit mendësinë e një politike e cila nuk e njeh dialogun por vetëm forcën e bombave të NATO-s.
Vuçiqi tani po sillet njësoj, si Milosheviqi dikur, ndërkohë që Perëndimi ka ndryshuar. Vuçiqi refuzon të vë sanksione ndaj Rusisë, dhe të trashë miqësinë me kinezët, instrumentalizon serbët e Kosovës për llogari të “botës serbe”, kontrollon dhe shantazhon media dhe intelektual, aeroportin e “Surçinit” në Beograd e ka shndërruar në parajsë transiti të hajdutëve të kamur të Kremlinit që ndodhen në listat e zeza amerikane, u krijon kushte që papengueshëm të helmojnë eterin mediat e Putinit – “Sputnik” dhe “Russia Today” etj. etj.
As vet Vuçiqi nuk ka pritur se Perëndimi do të jetë kaq zemërgjerë me të edhe pas krejt këtij qëndrimi antiperëndimor që ka ai. Vuçiqi thjeshtë po habitet me katarsisin negativ të Perëndimit, i cili ka zgjedhur të kompensojë politikat e drejta ndaj Kosovës me njëfarë shfajësimi absurd ndaj Serbisë. Prandaj Vuçiqi papengueshëm kidnapon policë në territorin e Kosovës dhe urdhëron huliganët të rrahin gazetarët shqiptarë të Prishtinës. Vuçiqi tani saktësisht e di se çfarë qëndrimi do të mbajë Perëndimi pas çdo padrejtësie që i bëhet Kosovës. Prandaj ai përmes Listës Serbe ngulfat pluralizmin politik te serbët e Kosovës, duke minuar çdo urë bashkëpunimi konstruktiv me Qeverinë e Kosovës. Kjo e fundit po sillet normalisht, si çdo qeveri që ka synim të pastër administrimin e gjithë territorit, përmes ligjeve dhe rregullave të mirënjohura demokratike.
Në veriun e Kosovës aktualisht kryqëzohen dy mendësi politike: Ajo mesjetare e përfaqësuar nga politika proruse e Vuçiqit dhe Perëndimore, Demokratike përfaqësuar nga Albin Kurti.
Disa burokratë të Brukselit, në krye me Josef Borrelin, kanë zgjedhur të mbështesin politikën mesjetare proruse të Beogradit në Kosovë dhe të shantazhojnë politikën properëndimore të Qeverisë në Prishtinë.
Borreli dhe Lajçaku në fakt nuk kanë lidhje me parimet demokratike mbi të cilat është ngritur Europa e bashkuar, sepse ata, para se të jenë evropianë, parapëlqejnë të jenë spanjollë dhe sllovakë. Me valixhet diplomatike të BE-së ata kontrabandojnë thërmia të rrezikshme të mendësisë politike të vendeve të tyre që nuk e njohin shtetin Kosovës.
Për rrjedhojë, Borreli dhe Lajçaku janë duke ia nxirë imazhin Europës demokratike, e cila është bërë peng i një politike të jashtme që vazhdon ta sheh Kosovën me syzet e Vuçiqit!
Shkup, 18 qershor 2023