Nga Çapajev Gjokutaj
Dje rjreti ziente e shkumëzonte: flitej, përflitej e stërflitej skandali seksual i kryebashkiakut të Kukësit. Rrallë rastis të ndeshësh të tillë rrëmet.
Në një kuptim gjithçka është e justifikuar. Ta kthejë biri i botës zyrën e shtetit në bordello dhe të gjithë këtë të mos e dëgjosh a lexosh, po ta shohësh sikur të ishe i pranishëm, doemos që është sensasion nga ata që rrallë ke fatin, a më saktë taksiratin t’i shohësh.
Duke ia lejuar vetes që, në vrullin e parë të bashkohesh me rrëmetin e sharjeve, përqeshjeve dhe ngërdheshjeve për këtë akt të shemtuar, disa çaste me vonë, kur esëllohesh dhe reagimi masiv fillon e kthehet në zhurmë bezdisëse, nis e pyet veten: nga buron gjithë ky interes?
Më tej akoma mund të pyesësh: pse skandalet korruptive me miliona të vjedhura e të shpërdoruara nuk ngjallin sensasionin që ngjall seksi në zyrat e shtetit?
Po të nisesh nga interesi publik, skandelet me miliona duhej të ngjallnin shumë më tepër reagim, urrejtje e përbuzje sesa shfrytëzimi i postit për një mender akt seksual.
Në rastin e parë vidhen e shpërdorohen taksat, djersa ime dhe jotja që duhej të shkonte për shkolla, spitale, shërbim urban etj. etj., kurse në rastin e dytë nëpërkëmbet një një person i vetëm.
Pse kur dhunohemi të gjithë në radhë reagojmë më pak sesa kur përdhunohet një person i vetëm? Është kjo një anomali apo diçka e përligjur?
Mbase na bën më mirë të mendojmë e të diskutojmë gjëra të tilla sesa të ekzaltohemi a, larg qoftë, të eksitohemi me video seks