Vizita e sotme e Viktor Orbán do të shërbejë për të vijuar rrugën e bashkëpunimit mes dy vendeve pas vizitës së delegacionit shqiptar në Budapest. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun hungarez me të cilin do të firmosë të premten edhe një marrëveshje dypalëshe.
Rama solli në vëmendje se Hungaria është një ndër avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në BE.
“…Një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e BE-së. Hungaria e ka mbrojtur pa kushte procesin e përshpejtimit të integrimit. Mbështetje jo vetëm më fjalë por edhe e konkretizuar me ekspertizë. Ndajmë të njëjtën bindje me kryeministrin dhe qeverinë e Hungarisë lidhur me interesin e lartë gjeostrategjik për integrimin sa më shpejtë të Ballkanit Perëndimor,” tha ndër të tjera kreu i qeverisë.
Po ashtu, Rama i kujtoi homologut hungarez se vendi i tij ka “diçka të vetën në Shqipëri.”
“I dhatë vendit një princeshë që u bë mbretëresha e Shqipërisë… Geraldina po të sheh dhe është mirënjohëse në emër të shqiptarëve që ti je këtu.”
Kryeministri shtoi po ashtu se përpos investimeve të deritanishme, synimet janë që në vend të vijnë edhe investime në fushën e energjisë e turizmit.
/a.r