Nga Lutfi Dervishi
Tre policë nga Kosova, secili me një kallash, një dylbi dhe një radio, tentuan sot në mesditë të pushtonin Serbinë.
Forcat speciale serbe ndaluan agresorët. Tensionet mbeten të larta.
Beogradi tha se i kishte paralajmëruar partnerët perëndimorë për provokimet që mund të vinin nga Prishtina.
“Nuk është hera e parë që Kosova provokon Serbinë. Në kohën që pritej ulja e tensionit akti i sotëm tregon që Kosova nuk heq dorë nga politika e saj hegjemoniste në rajon dhe edhe njëherë tjetër po e dëshmon veten si “burim destabiliteti”.- tha një burim në ministrinë e jashtme të Serbisë
Zëdhënësi i BE-së tha se “po monitoron me shqetësim situatën e krijuar”. Emisari special i BE-së për bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, Lajçak tha se ishte i keqardhur nga ky akt i beftë i Prishtinës dhe shpreson që akte të tilla të mos përsëriten më.
“Duhet të fokusohemi te dialogu dhe të shohim përpara”. – tha Lajçak.
Një tjetër diplomat perëndimor tha se Kosova duhet të heqë dorë nga provokimet dhe të përqëndrohet te e ardhmja e saj.
“Është koha që Prishtina të ndajë mendjen dhe të vendosë se ku e sheh të ardhmen: në BE apo në stepat e Rusisë?”.
Ka ardhur koha që Prishtina të heqë dorë nga hezitimi strategjik, shtoi një diplomat amerikan, dhe të rreshtohet në krah të Perëndimit, të dënojë agresionin rus në Ukrainë dhe ta lerë pas të shkuarën e saj agresive.
BE dhe SHBA kanë paralajmëruar sanksione të ashpra ndaj Prishtinës nëse nuk heq dorë nga aktet provokative ndaj Serbisë.
Një plan me pesë pika në emër të Quintiti do t’i paraqitet zyrtarisht autoriteve në Prishtinë.
Nga Prishtina kërkohet që 1. të mos dërgojë më banditë në jug të Serbisë, 2. Të mos mobilizojë ushtrinë në kufi me Serbinë 3. Të ndikojë pozitivisht që shqiptarët në Luginën e Preshevës të kthehen në zgjedhje dhe të mos bojkotojnë institucionet. 4. Të arrestojë organizatorët e sulmeve ndaj KFOR-it dhe 5. Të ndërmarrë menjëherë hapa për të ulur tensionin.
Ndaj kryeminsitrit Kurti ka edhe një kërkesë informale: “të mos dalë para ushtrisë i veshur me bluzë ngjyrë kaki si Zelenski.
“Serbia është një demokraci e re, i vetmi vend në rajon që ka një kryeministër të pakorruptuar, dhe historikisht nga vuajtur nga hegjemonia e Kosovës. Enough is enough” tha një diplomat gjerman i frustuar nga provokacionet e përsëritura të Prishtinës.
Ndërkohë diplomatët perëndimorë presin më shumë nga Tirana që të ushtrojë presion ndaj Prishtinës që të moderojë qëndrimin dhe të heqë dorë nga politika e konfliktit dhe provokimeve.
“Tirana, po na zhgënjen, tha një diplomat në kushtet e anonimatit, mund dhe duhet të duhet të kishte bërë më shumë, dhe është e vonuar me sanksionet ndaj Kosovës”