Nga Desada Metaj
Ka 3 dite që debati i stisur politik për dekriminalizimin ka shterur në debat “motre” dhe “mitre”.
Për një fakt të thjeshtë, që të mëdhenjtë e politikes i fshihen të vërtetës së kriminelëve që kanë afër, në parti, në qeveri me disa raste edhe në shtëpitë e tyre.
Dhe për t’u fshehur pas banaliteteve, këtë herë kanë zgjedhur të shfrytëzojnë gratë, jo gratë e tyre sepse kjo do ishte dhe më e ndershme në fakt, por po përdorin gratë që kanë zgjedhur për partitë e tyre.
Akti më normal i një opozite është protesta ndaj një qeverie që e ka treguar veten të paaftë të menaxhojë krizën. Pa dyshim që parlamenti eshte fushëbeteja më e gjetur për përballjen e madhe. Por a janë vezët dhe copat e letrës “goditja” fatale ndaj qeverisë?
Ndoshta disa mund ta gjykojne si gjetje, për të tjerë është “aksion i kopjuar” dhe pa rezultat. Shumë pak të njohura kanë qenë për publikun deputetet demokrate qe në përplasjen e fundit ishin me aktivet.
Pak kush mban mend apo ka fiksuar ndonjë fjalim apo betejë parlamentare të tyren. Ato më të njohurat, më të artikuluarat, thjesht ishin në plan të dytë, merreshin me lukun parlamentar të së enjtes apo shkruanin hartime për integrimin europian.
Gratë që hodhen vezë e letra ndaj qeverisë nuk kanë folur shumë në parlament, por në zbatim të porosive u bënë të njohura për të paktën një herë gjatë aktivitetit politik.
Aq sa u poshtëruan dhe më tej nga “feministi” i madh, qe drejton qeverinë dhe që nuk vonoi të shfaqej në një tjetër grup grash (të zgjedhura me kujdes nga vetë ai) për të treguar se sa i kujdesshëm është ndaj seksit të dobët. Sa mire sikur vetë Edi Rama ta besonte këtë.
Por edhe nëse gratë e partisë së tij e degjonin sot me ëndje dhe e besonin, pak metra më tutje disa gra të tjera që presin nga dikush tjetër të zgjidhen në poste të larta, ndiheshin të fyera nga i njëjti burrë dhe të përdorura nga nje burrë tjetër.
Se në këtë vend, ku krimi dhe korrupsioni janë ulur këmbëkryq edhe në parlamentin e mbushur me burra,vetëm disa gra të përdorura mund te kenë fuqi të ngrenë zërin dhe dorën, me të vetmen të drejtë të madhe morale, që të pakten nuk kanë qenë të akuzuara për vrasje dhe korrupsion. Janë thjesht të përdorura dhe të fyera keqas nga shokët e bashkëpunëtorët e kriminelëve. /Opinion.al