Kryeministri Edi Rama ka komentuar qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës ndaj draftit të propozuar nga ai lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Gjatë fjalës së mbajtur në përvjetorin e 32-të të PS-së, Rama tha se ishte krenar për qëndrimet që socialistët kanë mbajtur gjatë qeverisjes ndaj Kosovës.
Rama tha se kundërshtimet e Kosovës dhe Serbisë për draft-statutin e propozuar nga ana e tij për Asociacionin, nuk janë të logjikshme përderisa nuk e dinë ende përmbajtjen. Ndërsa tha se arsyeja përse hartoi një draft projekt mbi këtë çështje është për faktin se Shqipëria nuk dëshiron tensione në rajonin ku ndodhet.
“Më vjen mirë që përpjekja për të dhënë një kontribut konkret për dialogun është pritur mirë nga aleatët. Ndërsa atyre që e kanë kundërshtuar, pa e ditur përmbajtjen si në Prishtinë dhe Beograd duke thënë se nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria, u them dy gjëra. Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë kur politika merrej me kush e tha dhe hjo me cfarë tha.
E dyta ky rajon është edhe i yni, edhe i disa të tjerëve. Nëse atyre u vjen më për mbarë të luajnë akoma luftash ndërkohë që as njëra palë dhe as tjetra nuk i hapin dot njëra tjetrës jo luftë por asnjë të shtënë që kapërcen kufijtë sepse aty është Amerikë dhe NATO. Aleatëve po u soset durimi. Unë u them se nuk jemi fare të interesuar për lojë luftash por jemi kundër asaj lufte”- tha Rama.
Ndërsa sa i takon marrëdhënies me Kurtin, Rama tha se të dy kanë qëllime të njëjta por pranoi se nuk rrugët e tyre janë gjithmonë e më të ndara për arritjen e këtij qëllimi.
“Qëllimi im dhe i kryeministrit të Kosovës janë krejt të njëjtë por rrugët për arritjen e atij qëllimi nuk i shohim njësoj madje gjithnjë e më ndryshe sidomosd kohët e fundit. Për mua kursi i përplasjes me aleatët tanë është një aventurë pa kuptim për të gjithë kotësinë e vetë”-shtoi kreu i ekzekutivit.
Rama kembenguli se ata që kundërshtojnë draft-statutin e tij për asociacionin, duhet të kuptojnë se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm i tyre dhe nuk mund të luajnë ‘luftash’ kur lufta ka çerek shekulli që ka përfunduar.
“Shikoni edhe Kosovën dhe historinë e saj, kur endej i panjohur Hashim Thaçi me shokë punonin bashkë me Fatos Nanon dhe Majkon, kur lufta arriti kulmin, ne socialistët shqiptarë kemi qenë aty në çdo instancë dhe forum ndërkombëtar. Shqiptare ishte edhe ajo partia tjetër që ka qenë në qeveri 2 herë para nesh, kur Shqipëria me bekimin e asaj partia theu embargo e vendosur nga komuniteti ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe nisi furnizimin me naftë për tanket e Millosheviçit.
Ajo parti persekutoi këtu në Tiranë militantët e UÇK. U fol kundër luftës së UÇK dhe marrëveshjes së Rambujesë.Kosova ka hyrë në një impas të rrezikshëm, duke u vetë-izoluar nga miqtë e saj, në një moment kur i ka ardhur mundësia që ta fitojë edhe në mënyrë diplomatike luftën, që ushtarakisht Serbia e ka humbur pa asnjë të drejtë apeli kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë. Qëllimi ynë dhe i udhëheqjes në Kosovë, qëllimi im dhe i kryeministrit në Kosovë janë të njëjutë, por rrugët për arritjen e atij qëllimi i shohim ndryshe. Për mua kursi i përplasjeve me aleatët është një aventurë. Mua më vjen mirë që përpjekja për zgjidhjen e çështjes së asociacionit të komunave me shumicë serbe është pritur shumë mirë.
Ndërsa sipas atyre që thonë se secila prej palëve duhet ta bëjë vetë asociacionin ashtu siç duan vetë. E para ata janë me komunizmin në kokë dhe e dyta ky rajon nuk është vetëm i tyre, është edhe i yni dhe disa të tjerëve. Prandaj nëse atyre u vjen më përmbarë të luajnë akoma luftash cerek shekulli pasi lufta ka mbaruar, ndërkohë që as njëra palë e as tjetra nuk i hapin dot njëra-tjetrës jo luftë, por asnjë të shtënë, sepse aty është Amerikë, është NATO. Aleatëve tanë po u soset durimi. Unë po u them që ne jemi kundër asaj loje luftash”, u shpreh Rama.
Kujtojmë se qeveria e Kosovës e komentoi si me ‘zero rëndësi’ draftin e propozuar nga kryeministri Edi Rama, duke shtuar se nuk kanë nevojë për ndërmjetësim por për mbështetje./m.j