Deputeti i PS, Lavdrim Krashi thotë se nga arrestimi i Vangjush Dakos duhet të mësojnë të gjithë krerët e 61 bashkive që dolën nga zgjedhjet e fundit. Në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, tha se kryetarët e bashkive janë gardianë të parave të popullit ndërsa shtoi se është për të ardhur keq që kryebashkiakët bëjnë si njësha.
“Është shumë e rëndësishme që më në fund në Shqipëri po ndodhin ngjarje që s’mund të imagjinoheshin 3-5 apo 10 vite më parë. Duket që ka qenë figurë e rëndësishme politike e PS për shumë vite. Më në fund erdhi dita që nuk ka njerëz që kanë imunitet ndaj sistemit të drejtësisë. Është për të ardhur keq që kryetarët e bashkive duket se janë njësha, mund të bëjnë ç’të duan, kur të duan. Ndërkohë që qytetarët i zgjedhin. Shpresoj që 61 krerët e bashkive të mësojnë nga kjo që po ndodh me Dakon. Kjo drejtësia e re me insistimin e komuniteti ndërkombëtar më në fund po funksionon dhe shpresoj që t’i shkohet deri në fund”, tha Krashi.
Ndërsa avokati Redi Ramaj thotë se kryetarët e bashkive s’duhet të keqmenaxhojnë paratë e qytetarëve ose të përballen me drejtësinë dhe s’mund të bëjnë çfarë të duan.
“Shpresoj që SPAK dhe çdo organ tjetër të dalë përtej politikës. Shqipërisë i duhen politikanë që thonë se vjedhja është turp. Ndonjëherë e humbim sensin pse abuzohet me detyrën në format që e vuajmë të gjithë. Shpërdorimi i detyrës nuk konsiderohet vepër penale e rrezikshme. Kryetarët e bashkive duhet të dinë që janë në përballje me qytetarët. Kryetarët e bashkive kanë shumë fuqi, bëjnë cfarë të duan”, tha Ramaj.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit. Vangjush Dako eshte arrestuar në 6 qershor me urdhër të SPAK nën akuzën e shpërdorimit të detyrës së tij lidhur me lejen e ndërtimit të kateve shtesë në një pallat të ndërtuar 11 vite më parë si dhe për një tender të dhënë në vitet 2014-2015 për shëtitoren e plazhit të Durrësit duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh. Në pranga kanë rënë edhe 9 zyrtarë dhe ish zyrtarë të drejtorisë së Urbanistikës në Durrës të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion. Gjyqtari i GJKKO, Erjon Bani ka firmosur 10 masa arresti, 7 prej të cilave ‘arrest me burg’ dhe 3 ‘arrest shtëpie’./m.j